Botë

Frikë për përsëritjen e “trazirave të Capitolit” pas pretendimeve të Trumpit

Donald Trump

Pretendimet e rreme për mashtrimin me vota në Pensilvani kanë ngritur shqetësime se kandidati republikan Donald Trump mund të kërkojë edhe një herë ta përmbysë votimin atje ose në shtete të tjera që mund të përcaktojnë fituesin të martën e ardhshme.

Sondazhet tregojnë se Trumpi është në garë të ngushtë me zëvendëspresidenten demokrate, Kamala Harris, katër ditë para ditës së zgjedhjeve.

Trumpi vazhdon të pretendojë se humbja e tij në vitin 2020 ndaj presidentit demokrat Joe Biden ishte rezultat i mashtrimit me vota.

Kjo retorikë çoi në një turmë të dhunshme mbështetësish të Trumpit që mësynë  Capitolin më 6 janar 2021, në përpjekje për të ndaluar Kongresin që të certifikonte fitoren e Bidenit dhe detyruan ligjvënësit dhe atëherë zëvendëspresidentin Mike Pence që të iknin për t'i shpëtuar vdekjes, raporton Reuters. 

“Si duket mund të hasim prapë në përpjekje për ta përmbysur një rezultat zgjedhor”, ka thënë Kyle Miller, strateg i politikave për grupin “Protect Democracy”.

“Ne e pamë atë në vitin 2020 dhe mendoj se mësimi që Trump dhe aleatët e tij kanë mësuar që atëherë është se ata duhet t'i  realizojnë këto ide më herët”.

Gjatë tubimeve të tij, republikani ka theksuar se pret fitore të madhe duke shtuar se mund ta paramendojë humbjen “nëse do të ishin zgjedhje të korruptuara”.

Pretendimet e Trumpit kanë ngritur shqetësime se po përgatitet që në rast se humb në Pensilvani, të pretendojë sërish për mashtrim me vota.