Konstruktive dhe pozitive i ka cilësuar presidenti francez Emmanuel Macron, diskutimet me zyrtarë të lartë amerikanë për Ukrainën, të enjten në Paris. Teksa Macroni ka thënë se e kanë dëshirën e njëjtë për paqe, ka qenë sekretari amerikan Marco Rubio ai që e ka njoftuar për bisedimet homologun e tij rus
Teksa diplomacia për luftën në Ukrainë është e ndarë në drejtime të ndryshme, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka mbajtur takime të enjten me zyrtarët e lartë amerikanë, në përpjekje për të ruajtur pamjen e një fronti të bashkuar.
Në një drekë pune me sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, dhe Steve Witkoff, emisar i posaçëm i presidentit Donald Trump, Macroni diskutoi për “negociatat e paqes me qëllim për t’i dhënë fund agresionit rus në Ukrainë”, sipas një komunikate nga Presidenca e Francës.
Macron ka thënë pas takimit se Franca e ka mbështetur gjithmonë nismën e paqes së presidentit Donald Trump. “Qartazi, të gjithë ne kemi dëshirën e njëjtë për paqe”, ka thënë ai. “Që prej fillimit, ne kemi mbështetur propozimin e presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka shkruar Macron në rrjetin social X.
Ai i ka cilësuar pozitive e konstruktive diskutimet.
“Ne u angazhuam në diskutime pozitive dhe konstruktive mbi mënyrën se si do të arrijmë armëpushimin si dhe paqen gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme”, ka shtuar Macroni.
Ndërkohë, pas takimit, Departamenti Amerikan i Shtetit, ka njoftuar se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka biseduar me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, pas bisedimeve të mbajtura, për t’i “përçuar mesazhin e njëjtë që ekipi amerikan i ka komunikuar delegacionit ukrainas dhe aleatëve evropianë në Paris”.
“Presidenti Trump dhe Shtetet e Bashkuara duan që kjo luftë të mbarojë dhe tanimë i kanë prezantuar të gjitha palëve kornizat e një paqeje të qëndrueshme. Pritja e përzemërt e kornizës amerikane në Paris tregon se paqja është e mundur nëse të gjitha palët përkushtohen në arritjen e marrëveshjes”, thuhet më tej në njoftim.
E pas përfundimit të bisedimeve është deklaruar edhe ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Andrii Sybiha, tek ka shkruar në rrjete sociale se ka “vërejtur përparime në përpjekjet e paqes” dhe ka nënvizuar “rëndësinë e përfshirjes dhe udhëheqjes amerikane”.
“Ukraina është e përkushtuar në përpjekjet e paqes dhe dëshiron që lufta të mbarojë sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Sybiha. “Kam ripërsëritur se Ukraina ka pranuar pa kushte një armëpushim të plotë më 11 mars në Jeddah. Duhet të realizohet sa më shpejt që është e mundur”.
Kjo marrëveshje e përmendur nga Sybiha ishte pajtim mes Ukrainës dhe SHBA-së për armëpushim 30-ditor në luftim. Megjithatë ishte kushtëzuar nga Rusia.
Evropa dhe SHBA-ja kanë pasur ndarje në përpjekjet e tyre diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, që nga ardhja në pushtet e Donald Trumpit. Ai ka anashkaluar Evropën duke bërë bisedime direkte me Rusinë. Madje ka pasur raste kur zyrtarë të administratës kanë thënë se Ukraina ishte fajtore për pushtimin nga Rusia, e madje e patën qortuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenksy për mosmirënjohje, e duke u rreshtuar po ashtu me shtetet si Koreja e Veriut sa i përket kundërshtimit të rezolutës së Kombeve të Bashkuara që e dënonte Rusinë për agresionin e saj.
Boxx: Zelensky akuzon emisarin e Trumpit se po përhap narrativa ruse
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Steve Witkoffin, i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës se po “shpërndan narrativa ruse” për luftën, dhe ka theksuar se Ukraina s’do të diskutojë rreth çështjeve territoriale deri në arritjen e një armëpushimi.
“Besoj se zoti Witkoff ka marrë përsipër strategjinë e palës ruse. Mendoj se është shumë e rrezikshme, sepse ai në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme, nuk e di, po shpërndan narrativat ruse”, ka deklaruar Zelensky, gjatë kohës që në Paris po mbahej takimi i zyrtarëve amerikanë me Macronin.
Ai ka folur po ashtu në lidhje me marrëveshjen e mineraleve të rralla, për të cilën ka thënë se Ukraina mund ta nënshkruajë së shpejti një memorandum me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndër të tjera, sipas Zelenskyt, vendi i tij ka fakte se Kina është duke e furnizuar Rusinë me artileri dhe barut.
“Besojmë se përfaqësuesit kinezë janë të përfshirë në prodhimin e disa armëve në territorin e Rusisë”, ka thënë ai gjatë një konference për shtyp në Kiev, ndonëse s’e ka specifikuar se a e kishte fjalën për sisteme të artilerisë apo predha.
Pretendimet e presidentit ukrainas kanë gjasa të dëmtojnë raportet mes Kievit dhe Pekinit, të cilat tashmë janë në pikë të ulët pasi që autoritetet ukrainase kishin bërë të ditur se shtetas kinezë janë kapur duke luftuar për Rusinë, sipas Reutersit.
“Ne tashmë kemi fakte për këtë bashkëpunim mes Kinës dhe Rusisë për të forcuar kapacitetet e tyre mbrojtëse”, ka shtuar Zelensky.
Muajin e kaluar, administrata Trump pati propozuar një marrëveshje të re dhe më të gjerë për mineralet, e cila nuk i ofron Ukrainës asnjë garanci të sigurisë, por i kërkon t’i vendosë të gjitha të ardhurat nga shfrytëzimi i burimeve natyrore nga ndërmarrjet shtetërore dhe private në të gjithë territorin ukrainas brenda një fondi të përbashkët investimi.