Franca konsideron se kushtet nuk janë plotësuar për të njohur zyrtarisht shtetin palestinez, dhe se një veprim i tillë duhet të jetë më shumë se vetëm simbolik apo qëndrim politik, sipas ministrit të Jashtëm francez, Stephane Sejourne.
Deklarata e tij e distancon Francën nga Irlanda, Spanja dhe Norvegjia, të cilat kanë thënë të mërkurën se do ta njihnin një shtet palestinez më 28 maj, me shpresën se do të përshpejtoheshin përpjekjet për të arritur armëpushim në luftën në Gaza, raporton Reuters.
“Franca nuk konsideron se janë plotësuar ende kushtet që ky vendim të ketë një ndikim real në këtë proces”, ka thënë Sejourne pas bisedimeve në Paris me ministrin e Jashtëm izraelit, Israel Katz.
Parisi zyrtar ka bërë të ditur edhe më parë se njohja e shtetit palestinez nuk është një tabu, por duhet të jetë pjesë e një përpjekjeje të jashtme për një zgjidhje me dy shtete, ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve.
Pavarësisht lobimit nga disa shtete evropiane dhe disa arabe që ta njohë shtetin palestinez, Franca konsideron se një veprim i tillë do të ndikonte shumë pak për ta ndryshuar situatën në terren.
“Kjo nuk është vetëm një çështje simbolike apo një pozicionim politik, por një vegël diplomatike në shërbim të një zgjidhjeje për dy shtete që jetojnë krah për krah në paqe dhe në siguri”, ka shtuar Sejourne.
Franca ka punuar për një projekt-rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që shpreson ta paraqesë gjatë verës.
Ajo dëshiron të sjellë parametrat për bisedimet për një zgjidhje me dy shtete në Këshillin e Sigurimit duke mbështetur gjithashtu dënimin e qartë të grupit militant islamik Hamas pas sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit në Izrael që shkaktoi luftën në Gaza.
Procesi i negociatave ka qenë në gjendje të keqe për një dekadë. SHBA-ja beson se një shtet palestinez duhet të arrihet përmes negociatave dhe jo njohjes së njëanshme, dhe ka fuqinë e vetos në Kombet e Bashkuara.
LEXO EDHE: