Udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe u janë bashkuar thirrjeve për një armëpushim në Gaza, kthimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe dërgimin e papenguar të ndihmave humanitare.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar të hënën, ata miratuan përpjekjen e fundit nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti për të ndërmjetësuar një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës 10-mujore Izrael-Hamas.
Ndërmjetësuesit kanë shpenzuar muaj duke u përpjekur që palët të bien dakord për një plan trefazor, sipas të cilit Hamasi do t’i lironte pengjet e mbetura të kapura në sulmin e tij të 7 tetorit në këmbim të palestinezëve të burgosur nga Izraeli. Kërkohej edhe tërheqja e Izraelit nga Gaza, raporton AP.
“Luftimi duhet të përfundojë tani dhe të gjithë pengjet e mbajtura ende nga Hamasi duhet të lirohen. Populli i Gazës ka nevojë për shpërndarje urgjente dhe të papenguar të ndihmës”, thuhet në deklaratë. Deklarata u nënshkrua nga presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri britanik Keir Starmer.
Deklarata gjithashtu i bën thirrje Iranit dhe aleatëve të tij që të përmbahen nga çdo sulm hakmarrës që do të përshkallëzonte më tej tensionet rajonale pas vrasjes së dy militantëve të lartë muajin e kaluar në Bejrut dhe Teheran.