Botë

Franca fillon gjyqin e parë për krime lufte ndaj zyrtarëve sirianë

Gjyqi kundër tre zyrtarëve sirianë për bashkëpunimin e tyre në krime kundër njerëzimit. Paris, Francë, 21 maj 2024

Gjyqi kundër tre zyrtarëve sirianë për bashkëpunimin e tyre në krime kundër njerëzimit. Paris, Francë, 21 maj 2024

Franca ka hapur gjyqin e saj të parë kundër zyrtarëve të qeverisë siriane të Presidentit Bashar al-Assadit me tre oficerë të lartë të sigurisë të gjykuar në mungesë për bashkëpunim në krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, raportoi të martën "Al Jazeera".

Gjykata Penale e Parisit ka dëgjuar të martën çështjet kundër zyrtarëve për rolin e tyre të dyshuar në vdekjen e dy burrave francezë sirianë, Mazzen Dabbagh dhe djalit të tij Patrick, të cilët u arrestuan në kryeqytetin sirian, Damask, në vitin 2013.

Ali Mamlouk, ish-kreu i Byrosë së Sigurisë Kombëtare të Sirisë, Jamil Hassan, ish-drejtor i shërbimit të inteligjencës së Forcave Ajrore dhe Abdel Salam Mahmoud, ish-kreu i hetimeve për shërbimin në Damask, janë subjekt i urdhërarresteve ndërkombëtare dhe do të gjykohen në mungesë.

"Për herë të parë, gjykatat franceze do të trajtojnë krimet e autoriteteve siriane dhe do të gjykojnë anëtarët më të lartë të autoriteteve që të ndiqen penalisht që nga shpërthimi i revolucionit sirian në mars 2011", ka njoftuar Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut (FIDH).

Më shumë se gjysmë milioni njerëz janë vrarë në luftën, e cila ka zhvendosur miliona të tjerë dhe ka shkatërruar ekonominë dhe infrastrukturën e Sirisë.

Janarin e kaluar, një gjykatë gjermane dënoi Anëar Raslan, një ish kolonel sirian, me burgim të përjetshëm për krime kundër njerëzimit.

Gjyqi në Francë rezulton nga një hetim shtatëvjeçar i kryer nga një njësi gjyqësore franceze për krimet e luftës.

Në kohën e arrestimit të tij, Patrick Dabbagh ishte student 20-vjeçar i arteve dhe shkencave humane në Universitetin e Damaskut. Babai i tij, Mazzen, ishte këshilltar i lartë arsimor në shkollën franceze në Damask. Të dy u arrestuan në nëntor 2013 nga burra që pretendonin se i përkisnin shërbimit të inteligjencës të Forcave Ajrore Siriane.

"Dëshmia e dëshmitarëve konfirmon se Mazzen dhe Patrick u dërguan në një qendër paraburgimi në aeroportin ushtarak Mezzeh, i cili drejtohet nga inteligjenca e Forcave Ajrore Siriane dhe i njohur për përdorimin e torturës brutale”, thuhet në njoftimin FIDH, duke theksuar se dyshja nuk ishin përfshirë në protestat kundër al-Asadit. Ata u deklaruan të vdekur në 2018. Familja u njoftua zyrtarisht se Patricku vdiq më 21 janar 2014 dhe babai i tij më 25 nëntor 2017.