Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe ministri i tij i Jashtëm, Jean-Noel Barrot kanë deklaruar të dielën se Franca dhe Britania po propozojnë një armëpushim të pjesshëm njëmujor midis Ukrainës dhe Rusisë.
Sipas tyre, armëpushimi do të përfshinte sulmet ajrore, detare dhe ato të infrastrukturës energjetike, por jo edhe luftimet tokësore, raporton Reuters.
Komentet e tyre kanë ardhur në mes të një stuhie të diplomacisë evropiane të krijuar për të vazhduar mbështetjen perëndimore për Ukrainën pas një takimi të ashpër midis presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump në Zyrën Ovale të premten.
"Një armëpushim i tillë në infrastrukturën ajrore, detare dhe energjetike do të na lejonte të përcaktojmë nëse presidenti rus Vladimir Putin po vepron me mirëbesim kur angazhohet për një armëpushim. Dhe pikërisht atëherë mund të fillojnë negociatat reale të paqes”, ka thënë të hënën ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot.
Sipas propozimit anglo-francez, trupat tokësore evropiane do të vendoseshin në Ukrainë vetëm në një fazë të dytë, ka thënë ndërkaq Macroni, në një intervistë të botuar në “Le Figaro” të dielën vonë.
"Nuk do të ketë trupa evropiane në tokën ukrainase në javët e ardhshme”, ka cituar “Le Figaro” të ketë thënë Macroni teksa fluturonte për në Londër për takimin e liderëve evropianë, të thirrur nga kryeministri britanik, Keir Starmer për të avancuar përpjekjet në hartimin e një plani paqeje në Ukrainë.
“Pyetja është se si e përdorim këtë kohë për të arritur një armëpushim, me negociata që do të zgjasin disa javë dhe më pas, pasi të nënshkruhet paqja, një dislokim (trupash)”, ka thënë Macron.
Presidenti francez nuk ka dhënë detaje se si mund të monitorohet infrastruktura ajrore, detare dhe energjitike.
Kremlini, i cili ka hedhur poshtë idenë e dislokimit të trupave perëndimore në Ukrainë, ka thënë të hënën se përplasja në Zyrën Ovale midis Trumpit dhe Zelenskit tregon se sa e vështirë do të ishte të arrihet një zgjidhje për konfliktin në Ukrainë.
LEXO EDHE: