Botë

Fraksionet rebele siriane pajtohen të shkrihen nën Ministrinë e Mbrojtjes

Siria

Foto: Associated Press

Lideri i ri i Sirisë, Ahmed dal-Sharaa, ka arritur marrëveshje me ish-shefat e fraksioneve rebele për t’i shpërbërë të gjitha grupet e t’i shkrijë nën Ministrinë e Mbrojtjes.

Kryeministri Mohammed al-Bashir pati thënë se ministria do të rikonstruktohej duke i përdorur ish-fraksionet rebele dhe ata që mposhtën ushtrinë e Bashar al-Assadit.

Sharaa do ta bëjë këtë duke u munduar të shmangë përplasjet midis grupeve, raportoi Reuters. 

Udhëheqësit e rinj e zgjodhën Murhaf Abu Qasran, një figurë kyçe në kryengritjen që rrëzoi Bashar al-Assadin, si ministër i Mbrojtjes në qeverinë e përkohshme.

Rebelët sirianë morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke detyruar ish-presidentin të ikte nga shteti pas mbi 13 vjetësh të luftës civile, e duke i dhënë fund regjimit dekada të gjatë të familjes së Assadit.