Botë

Forcat izraelite vranë 14 persona në Gaza, detyrojnë zhvendosje në veri

Lufta në Gaza

Foto: Associated Press

Sulmet ushtarake izraelite kanë vrarë të paktën 14 palestinezë përgjatë Rripit të Gazës të mërkurën, teksa forcat izraelite kanë depërtuar më thellë në Beit Henoun në veri, duke e detyruar shumicën e banorëve të mbetur të largohen, raporton Reuters.

Banorët kanë thënë se forcat izraelite kanë rrethuar strehimoret që strehonin familje të zhvendosura dhe popullsinë e mbetur, që është vlerësuar të jetë rreth disa mijëra, duke i urdhëruar të nisen drejt jugut përmes vendkalimit që ndan dy qytete dhe një kamp refugjatësh në veri nga qyteti i Gazës.

Burrat janë marrë në pyetje, ndërsa gratë dhe fëmijët janë lejuar të vazhdojnë drejt qytetit të Gazës, kanë thënë banorët dhe mjekët palestinezë.

Fushata e Izraelit në veri të Gazës dhe evakuimi i dhjetëra mijëra palestinezëve nga zona, ka nxitur reagime nga banorët, të cilët thonë se vendi po pastron zonën për ta përdorur si zonë tampon dhe potencialisht t’i rikthejë kolonët izraelitë.

“Skenat e katastrofës së 1948-s janë duke u përsëritur. Izraeli është duke i përsëritur masakrat e veta, zhvendosjet dhe shkatërrimin”, ka thënë Saed, banor i Beit Lahiya. “Gaza veriore po kthehet në zonë të madhe tampon, Izraeli po kryen spastrim etnik nën vëzhgimin e botës së pafuqishme”.

Saed i është referuar luftës arabo-izraelite të Lindjes së Mesme të vitit 1948, e cila e ka krijuar shtetin e Izraelit dhe ka shkaktuar shpërnguljen e qindra mijëra palestinezëve nga qytetet dhe fshatrat e tyre nga tokat që tani janë në Izrael.

Ushtria izraelite i ka mohuar synimet e tilla dhe kryeministri, Benjamin Netanyahu ka thënë se nuk dëshiron t’i rikthejë kolonë e larguar nga Gaza në vitin 2005. Figurat kryesore të qeverisë së tij kanë folur hapur për një rikthim të tillë.