Botë

Forcat izraelite rrethojnë komplet qytetin e Rafahut në Rripin e Gazës

gaza

Foto: Associated Press

Ushtria e Izraelit ka njoftuar të shtunën se forcat e saj kanë kompletuar rrethimin e qytetit të Rafahut në Rripin e Gazës, si pjesë e planit për të kontrolluar më shumë pjesë të enklavës, paralelisht me thirrjet për evakuim të popullatës civile, transmeton Reuters.

Trupat izraelite kanë lëshuar në mënyrë të vazhdueshme fletushka për evakuim të qindra mijërave palestinezëve përtej Rafahut që prej kur kanë rifilluar operacionet ushtarake në Gazë më 18 mars, duke e shtyrë popullatën drejt një hapësire gjithnjë e më të kufizuar nga deti.

“Në 24 orët e fundit, trupat e divizionit të 36-të përfunduan krijimin e rrugës Morag, duke ndarë Rafahun nga Khan Younis”, thuhet në njoftimin e ushtrisë. 

Në total, rreth 1,500 palestinezë janë vrarë dhe 3,700 të tjerë janë lënduar nga muaji i kaluar kur Izraeli rifilloi ofensivën ushtarake pas braktisjes së armëpushimit të përkohshëm me grupin militant palestinez, Hamas. 

Autoritetet izraelite kanë bërë të ditur se fushata ushtarake do të vazhdojë derisa Hamasi të lirojë 59 pengjet e mbetura, 24 prej të cilëve besohet se janë ende gjallë, dhe të largohet tërësisht nga territori i enklavës.