Botë

Forcat izraelite kanë rrethuar tërësisht gjysmën lindore të Rafaut

Tanket izraelite

Tanket izraelite

Foto: Associated Press

Forcat izraelite kanë kapur të premten rrugën kryesore që ndan gjysmën lindore dhe atë perëndimore të Rafahut, duke rrethuar kështu tërësisht anën lindore të qytetit më jugor të Gazës.

Banorët kanë thënë se dëgjojnë vazhdimisht shpërthime dhe gjuajtje me armë zjarri në lindje dhe në veri të qytetit, pasi luftimet ndërmjet forcave izraelite dhe militantëve të Hamasit e xhihadistëve islamikë janë intensifikuar, raporton Reuters. 

Hamasi ka thënë se i ka zënë në pritë tanket izraelite afër një xhamie në lindje të qytetit, një shenjë kjo se Izraeli ka depërtuar tashmë disa kilometra nga lindja deri në periferi të zonës së ndërtuar. 

Izraeli ka urdhëruar largimin e civilëve nga gjysma lindore e Rafahut, duke detyruar kështu mijëra njerëz që të kërkojnë strehim jashtë qytetit, i cili deri tani mbante më shumë se 1 milion palestinezë të zhvendosur nga zonat e tjera ku zhvilloheshin luftime. 

Izraeli thotë se nuk mund ta fitojë luftën pa e sulmuar Rafahun, me synimin për të shfarosur mijëra luftëtarë të Hamasit, për të cilët beson se po strehohen në këtë qytet. Mirëpo Hamasi thotë se do të luftojë për ta mbrojtur atë. 

Agjencitë e ndihmës thonë se beteja po i vë në rrezik qindra e mijëra civilë tashmë të zhvendosur. 

Vendimi për të sulmuar Rafahun këtë vit ka krijuar çarje në raportet shumë të afërta ndërmjet Izraelit dhe SHBA-së, e cila së fundmi ka vendosur që të ndalë dërgimin e armëve në Izrael, për herë të parë që kur ka nisur lufta. 

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë të enjten se Izraeli “do të luftonte me thonj” nëse është nevoja.

Ndërkohë, bisedimet e armëpushimit janë ndërprerë të enjten pa një marrëveshje për t’i ndalë luftimet dhe për lirimin e pengjeve, të marra nga Hamasi në sulmin e tij në jug të Izraelit, më 7 tetor.

Hamasi ka thënë se ishte pajtuar në fillim të kësaj jave me një propozim të ndërmjetësve të bisedimeve, Egjip dhe Katar, i cili më parë ishte pranuar edhe nga Izraeli. Mirëpo Izraeli ka thënë se propozimi i Hamasit përmbante elemente që nuk mund t’i pranonte.

Më shumë se 34,000 palestinezë janë vrarë në shtatë muaj lufte, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.