Botë

Mbi 300 civilë Alawit vriten nga forcat siriane

siri

Forcat siriane të sigurisë dyshohet se kanë vrarë 340 civilë, shumica e tyre nga minoriteti Alawit në provincën bregdetare Latakia. 


Forcat e sigurisë siriane akuzohen se kanë ekzekutuar qindra Alawit

Forcat e sigurisë siriane dyshohet se kanë ekzekutuar qindra njerëz nga minoriteti Alawit, ne provincën bregdetare Latakia, sipas një grupit të mbikëqyrjes së luftës.

Observatori sirian i të Drejtave të Njeriut me bazë në Britani (SOHR) ka deklaruar se 162 civilë janë vrarë në “ekzekutime fushe” në atë rajon – baza e presidentit të rrëzuar Bashir al-Assad, i cili i takon sektit Alawit, ka raportuar “BBC”.

Një burim nga ministria e Brendshme ka thënë për agjencinë e lajmeve të vendit “Sana” se “krime individuale” janë bërë në bregdet dhe ka premtuar se do t’i ndalojë.

13 gra dhe pesë fëmijë janë në mesin e të vrarëve sipas SOHR-së.

Liderët e rinj të Sirisë, që kanë rrëzuar Assadin në dhjetor, kanë njoftuar se një operacion ushtarak po zhvillohet në Qardaha, qyteza e lindjes e ish-presidentit.

Në deklaratën e parë që kur filloi dhuna, presidenti në detyrë i vendit, Ahmed al-Sharaa ka deklaruar se Siria do t’i ndjekë “të mbeturit” e regjimit të rrëzuar të Assadit dhe do t’i sjellë para gjyqit, ka raportuar “Reuters”.

Kjo erdhi pas përplasjeve në mes forcave qeveritare dhe luftëtarëve besnikë të Assadit, që la më shumë se 70 të vdekur.

Një orë policore është vendosur në qytetet e Homsit, Latakias dhe Tartousit, ku luftimet filluan, dhe guvernatori i Latakias ka deklaruar se e gjithë energjia elektrike e provincës është ndalur.

Dhuna e ka lënë komunitetin Alawit në “gjendje horrori”, ka deklaruar një aktivist sirian.

“Ata po ndjehen shumë të frikësuar, ata janë në gjendje të tronditur”, ka deklaruar aktivisti, i cili mbeti anonim për kushte sigurie.

“Ata nuk e dinë çfarë të bëjnë, nuk ka qeveri apo shtet që është i gatshëm t'i ndihmojë ata, t'i mbrojë ata”, ka shtuar ai.

I dërguari special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Siri, Geir Pedersen, ka deklaruar se ishte “thellësisht i shqetësuar” nga raportet e përplasjeve dhe vrasjeve.

“Ndaloni veprimet që do t’i rrisnin tensionet, përshkallëzojnë konfliktin, rrisin vuajtjet e komuniteteve të ndikuara, destabilizojnë Sirinë, dhe shkatërrojnë tranzicionin politik gjithëpërfshirës dhe kredibil”,  ka deklaruar Pedersen.

Rajoni është qendra e minoritetit Alawite dhe baza e familjes së Assadit, e cila është e të njëjtit sekt.

Numri i personave të vrarë varion nga burimet. 

Banorët thonë se ata kanë qenë cak i dhunës sektare. 

Turqia dhe Rusia kanë paralajmëruar se gjakderdhja, më e madhja që nga rrëzimi i Assadit në dhjetor, kërcënon stabilitetin e të gjithë rajonit. Gjermania ka shtyrë Sirinë të shmangë një “spirale të dhunës” pas përplasjeve.

Alawitet, janë sekt Shia mysliman me rreth 10% të popullatës në Siri, e cila është shumicë Sunni.