Botë

Fjalimi maratonik i senatorit amerikan, ka kaluar 21-orëshin

Corey Booker , fjalim maratonik

Senatori nga radhët e Partisë Demokratike i New Jerseyt, Cory Booker, po mban një fjalim maratonë para Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ka zgjatur gjatë gjithë natës dhe po vazhdon ende, si simbolikë për të shpërfaqur kundërshtimet me agjendën e administratës së presidentit Donald Trump, shkruan AP.

Booker doli në katin e Senatit të hënën në mbrëmje dhe bëri të ditur se do të qëndronte atje për aq kohë sa ishte i “aftë fizikisht”. Më shumë se 21 orë më vonë, senatori 55-vjeçar, një ish-lojtar i futbollit amerikan, duket dukshëm i lodhur, por ende po vazhdon. 

Është një shfaqje e jashtëzakonshme e qëndrueshmërisë, ndër më të gjatat në historinë e Senatit, teksa demokratët po përpiqen t’iu tregojnë votuesve të tyre të frustruar se po bëjnë gjithçka që po munden për të kundërshtuar politikat e presidentit amerikan.

“Këto nuk janë kohë normale në vendin tone”, ka thënë Booker në pjesën hyrëse të fjalimit.
“Dhe nuk duhet të trajtohen si të tilla në Senatin e Shteteve të Bashkuara. Kërcënimet për popullin amerikan dhe demokracinë amerikane janë të rënda dhe urgjente, dhe ne të gjithë duhet të bëjmë më shumë për të qëndruar kundër tyre”, ka shtuar ai.

Booker po shërben mandatin e tij të dytë në Senat. Ai ishte një kandidat për t’u nominuar për president në vitin 2020, kur e nisi fushatën e tij në Newark. Ai u tërhoq pasi pati vështirësi për të fituar terren, duke dështuar ta kalojë pragun e nevojshëm për të marrë pjesë në debatet brendapartiake te Partia Demokratike.