Pasuria e 10 njerëzve më të pasur në botë, një listë e dominuar nga miliarderët e teknologjisë amerikane, është rritur në mënyrë rekorde pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale, sipas Bloomberg.
Indeksi i miliarderëve të Bloomberg vlerëson se 10 njerëzit më të pasur në botë fituan gati 64 miliardë dollarë të mërkurën, rritja më e madhe ditore që nga fillimi i indeksit, në vitin 2012.
Elon Musk, personi më i pasur në botë, regjistroi rritjen më të madhe, me një shtesë prej 26.5 miliardë dollarësh në pasurinë e tij, e cila tani qëndron në total 290 miliardë dollarë.
Mbështetësi i shquar i fushatës së Trumpit, përfitoi nga një rritje e çmimit të aksioneve të Teslas, prodhuesit të veturave elektrike ku ai është shef ekzekutiv dhe në të cilin ai zotëron 13% të aksioneve.
Fitimet erdhën pasi liderët e bizneseve të teknologjisë, duke përfshirë Jeff Bezos të Amazon, Mark Zuckerberg, shefi ekzekutiv i Facebookut - Meta, dhe Tim Cook i Apple, e uruan publikisht Trumpin për fitoren e tij në zgjedhje.
Pjesa më e madhe e fitimeve për top 10-shen ishte për shkak të një rritjeje të aksioneve në SHBA të mërkurën.
Përfitues të tjerë ishin Bezos, themeluesi i Amazon dhe personi i dytë më i pasur në botë, i cili shtoi 7 miliardë dollarë në pasurinë e tij prej gati 230 miliardë dollarësh, dhe Larry Ellison, kryetari i kompanisë së softuerit “Oracle”, historikisht një mbështetës republikan, i cili e rriti pasurinë e tij me afro 10 miliardë dollarë, duke arritur në total 193 miliardë dollarë.
Anëtarë të tjerë të top 10-s, pasuria e të cilëve u rrit, përfshijnë bashkëthemeluesin e Microsoft-it, Bill Gates, ish-shefin ekzekutiv të Microsoft-it, Steve Ballmer, dhe bashkëthemeluesit e Google, Larry Page dhe Sergey Brin.
Megjithatë, Trumpi ka shprehur zhgënjimin e tij me Google gjatë fushatës, pasi kërcënoi në shtator se do të drejtonte departamentin e drejtësisë të ndiqte akuza penale kundër kompanisë së kërkimit nëse ai fitonte zgjedhjet. Ai pretendonte se Google po shfaqte lajme negative për të, por jo për kundërshtaren e tij, Kamala Harris, një pretendim që Google e mohoi.
I vetmi anëtar i elitës së pasurisë që humbi para të mërkurën ishte manjati francez i mallrave luksoze Bernard Arnault, pasuria e të cilit u ul me gati 3 miliardë dollarë.
Pasuria e Zuckerberg ra me 81 milionë dollarë, megjithëse ajo ende vlen 202 miliardë dollarë.
Sipërmarrësi ka nxitur zemërimin e Trumpit i cili në gusht e kërcënoi me burgim të përjetshëm për gjoja komplot kundër tij në zgjedhjet e vitit 2020.
Pasuria e rritur ndërmjet 5 e 6 nëntorit 2024, sipas Bloomberg:
1. Elon Musk 290 miliardë dollarë (+ 10.1%)
2. Jeff Bezos 228.3 miliardë dollarë (+ 3.2%)
3. Mark Zuckerberg 202.5 miliardë dollarë (0%)
4. Larry Ellison 193.5 miliardë dollarë (+5.4%)
5. Bernard Arnault 173.2 miliardë dollarë (-1.6%)
6. Bill Gates 159.5 miliardë dollarë (+1.2%)
7. Larry Page 158.3 miliardë dollarë (+3.6%)
8. Sergey Brin 149.1 miliardë dollarë (+3.6%)
9. Warren Buffett 147.8 miliardë dollarë (+ 5.4%)
10. Steve Ballmer 145.9 miliardë dollarë (+2%)