Botë

Fitorja e Trumpit do ta bënte Evropën ta rimendonte mbështetjen për Ukrainën, thotë Orban

Donald Trump Viktor Orban

Foto: Associated Press

Evropa do të duhet të rimendojë mbështetjen e saj për Ukrainën nëse Donald Trumpi zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara, ka thënë të dielën kryeministri hungarez, Viktor Orban, pasi siç ka thwnw, kontinenti "nuk do të jetë në gjendje ta mbajë e vetme barrën e luftës".

Orbani kundërshton ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe e ka bërë të qartë se mendon se Trumpi ndan pikëpamjet e tij dhe do të negocionte një zgjidhje paqeje për Ukrainën, raporton Reuters.

Ai mbështet ish-presidentin Trump, kandidatin e republikanëve, për të mundur kandidaten demokrate Kamala Harris në zgjedhjet e së martës në SHBA.

“Ne (në Evropë) duhet të kuptojmë se nëse do të ketë një president pro paqes në Amerikë, në të cilin unë jo vetëm besoj, por edhe i lexoj numrat në këtë mënyrë, nëse ndodh ajo që presim dhe Amerika bëhet pro- paqe, atëherë Evropa nuk mund të mbetet pro luftës”, ka deklaruar Orban.

Ukraina do të jetë në krye të agjendës kur liderët evropianë të takohen në Budapest në javën e ardhshme, ka thënë, duke iu referuar një takimi të Komunitetit Politik Evropian dhe një takimi më jozyrtar të liderëve të BE-së që do të zhvillohet.

"Evropa nuk mund ta mbajë barrën e (luftës) e vetme dhe nëse amerikanët kalojnë në paqe, atëherë ne gjithashtu duhet të përshtatemi, dhe kjo është ajo që do të diskutojmë në Budapest”, ka shtuar Orban.

Evropa është e shqetësuar se si rezultati i zgjedhjeve në SHBA do të ndikojë në luftën në Ukrainë dhe sigurinë e kontinentit.

Orban ka zemëruar Brukselin me lidhjet e tij të ngushta me Rusinë dhe kundërshtimin ndaj ndihmës për Ukrainën.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto ka deklaruar në korrik se qeveria hungareze e sheh Trumpin si një "shans për paqe" në Ukrainë.

Në korrik, Orban ka thënë se ekipi i tij po ndihmonte ndihmësit e Trumpit me politikat për familjet dhe migracionin. Të enjten, ai ka telefonuar Trumpin për t'i uruar atij fat përpara zgjedhjeve të së martës.