Mbështetësit e Pezeshkianit, kirurg i zemrës dhe ligjvënës prej një kohe të gjatë, dolën në rrugët e Teheranit dhe qyteteve të tjera para agimit për të festuar, ndërsa epërsia e tij rritej ndaj Jalilit, ish-negociatorit bërthamor i linjës së ashpër. Rezultatet e votimeve të publikuara nga autoritetet e nxorën Pezeshkianin si fitues me 16.3 milionë vota kundrejt 13.5 milionëve të fituara nga Jalili në zgjedhjet e së premtes
Kandidati reformist Masoud Pezeshkian ka fituar balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të Iranit, duke mposhtur kandidatin e linjës së ashpër Saeed Jalili. Kandidati Pezeshkian ka premtuar se do të afrohej me Perëndimin dhe do të lehtësojë zbatimin e ligjit të detyrueshëm të bartjes së shamisë në vend, pas vitesh sanksionesh dhe protestash që shtrënguan Republikën Islamike.
Pezeshkiani nuk ka premtuar ndryshime rrënjësore në teokracinë shiite të Iranit, që mban udhëheqësin suprem Ayatollah Ali Khamenei si arbitrin përfundimtar të të gjitha çështjeve shtetërore në vend.
Rezultatet e votimeve të publikuara nga autoritetet e nxorën Pezeshkianin si fitues me 16.3 milionë vota kundrejt 13.5 milionëve të fituara nga Jalili në zgjedhjet e së premtes. Në përgjithësi, Ministria e Brendshme e Iranit ka thënë se 30 milionë njerëz votuan në zgjedhjet e mbajtura pa vëzhgues të njohur ndërkombëtarisht.
Mbështetësit e Pezeshkianit, kirurg i zemrës dhe ligjvënës prej një kohe të gjatë, dolën në rrugët e Teheranit dhe qyteteve të tjera para agimit për të festuar, ndërsa epërsia e tij rritej ndaj Jalilit, ish-negociatorit bërthamor i linjës së ashpër.
“Të dashur qytetarë të Iranit, zgjedhjet kanë përfunduar dhe ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit tonë”, ka shkruar Pezeshkian në platformën sociale X, ende e ndaluar në Iran. “Rruga e vështirë përpara nuk do të jetë e lehtë përveçse me mbështetjen, ndjeshmërinë dhe besimin tuaj. Unë jua shtrij dorën dhe betohem për nderin tim që nuk do t’ju lë vetëm në këtë rrugë. Mos më lini vetëm”.
E kaluara dhe premtimet e reformistit
Pezeshkian ka qenë anëtar i Parlamentit iranian prej vitit 2008 dhe ka shërbyer si nënkryetar mes viteve 2016 dhe 2020, kur reformistët dhe të moderuarit gëzonin shumicën në legjislaturë.
Pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini më 2022 në paraburgim për gjoja veshjen e shamisë së kokës në mënyrë jo të duhur, Pezeshkiani i kishte vënë në pikëpyetje metodat e Iranit për zbatimin e detyrueshëm të hixhabit, një shami islamike e kokës për gratë. Pas vdekjes së Aminit, e cila nxiti trazira disamujore në gjithë vendin, Pezeshkian pati kërkuar sqarim nga autoritetet për rastin e saj.
Pasi votoi gjatë raundit të parë javën e kaluar, Pezeshkian pati deklaruar se “ne do ta respektojmë ligjin për hixhabin, por kurrë nuk duhet të ketë sjellje çnjerëzore ndaj grave”.
Pezeshkian ka folur gjithashtu edhe në favor të bisedimeve me Perëndimin. Megjithatë, ai ka treguar se mbështet parimet e republikës islamike dhe ka thënë se do t’i ndjekë politikat e Khameneit, nëse zgjidhet president. Derisa fitorja e Pezeshkianit nuk ka gjasa të sjellë ndryshime të mëdha politike, ajo mund të ketë ndikim në pasuesin e Khameneit, 85-vjeçarit që është lider suprem i vendit prej vitit 1989.
Në Iran, lideri suprem e ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet shtetërore dhe presidenti nuk ka pushtet në shumë çështje të rëndësishme.
Khamenei e ka pranuar se dalja në votim në raundin e parë nuk ishte “siç pritej”, por ka ngulur këmbë se ajo nuk pasqyronte popullaritetin e republikës islamike. Ai e pati quajtur balotazhin “shumë të rëndësishëm” dhe ka thënë se “ata të cilët e duan islamin dhe republikën islamike, si dhe përparimin e vendit, duhet ta tregojnë këtë duke marrë pjesë në zgjedhje”.
Republika islamike për kohë të gjatë ka ngulur këmbë se ligjshmëria e saj vjen nga pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje, por daljet e ulëta në zgjedhjet e viteve të fundit dhe protestat vdekjeprurëse kundër udhëheqësisë, e kanë sfiduar ligjshmërinë e pushtetit të tanishëm.
Raundi i parë i votimit më 28 qershor u përshkua me pjesëmarrjen më të ulët në historinë e Republikës Islamike, që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Zyrtarët iranianë kanë vënë në dukje prej kohësh pjesëmarrjen si një shenjë mbështetjeje për teokracinë shiite të vendit, mes sanksioneve që dërrmuan ekonominë e Iranit, demonstratave masive dhe goditjeve ndaj disidencës. Raundi i parë nuk nxiti pjesëmarrje të madhe pavarësisht se Ali Khamenei kishte bërë thirrje për dalje më të madhe në votim, për ta mbrojtur imazhin e Iranit si një vend i fuqishëm, i cili e gëzon mbështetjen e popullit të vet.
Pezeshkian u rendit i pari në raundin e parë. Jalili më pas siguroi mbështetjen edhe të votuesve të ish-kryetarit të parlamentit, Mohammad Bagher Qalibaf, përfaqësues i linjës së ashpër, e që u rendit i treti në raundin e parë me 3.4 milionë vota. Pezeshkiani e fitoi raundin e parë me 10.5 milionë vota, ndërsa Jalili doli i dyti me 9.5 milionë vota.
Kampi i Pezeshkianit është munduar t’i bindë votuesit të cilët e bojkotuan rundin e parë të dalin dhe të votojnë në balotazh. Mbështetësit e tij kanë argumentuar se nëse Jalili do të vinte në pushtet, administrata e tij do të përdorte politika shtypëse dhe do ta izolonte Iranin edhe më shumë. Mbështetësit e Jalilit e kanë portretizuar Pezeshkianin si një njeri i cili është i butë me Perëndimin dhe do të bëjë që përparimi i Iranit të varet nga marrëdhëniet e mira me vendet e Perëndimit. Ndërkohë, kundërshtarët i kanë bërë thirrje votuesve ta bojkotojnë balotazhin, duke ngulur këmbë se zgjedhjet në Iran nuk janë as të lira, e as të drejta dhe se zgjedhjet e kaluara kanë dështuar të sjellin ndryshime, meqë pushtetin kryesor e ka Khamenei.
Autoritetet kanë vlerësuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e së premtes në 49.6 për qind, një pjesëmarrje historikisht e ulët për zgjedhjet presidenciale iraniane. Autoritetet numëruan 607,575 vota të pavlefshme në garë, që shpesh shihen si shenjë proteste nga ata që ndihen të detyruar të hedhin votën, por refuzojnë kandidatët. Masat e mëdha të sigurisë ishin të dukshme të premten në rrugët e Teheranit, ndërsa grupe jo të mëdha njerëzish ishin të mbledhur pranë qendrave të votimit. Televizioni shtetëror transmetoi pamje me radhë modeste në qendrat e votimit në mbarë vendin.
Zgjedhjet e së premtes ishin balotazhi i dytë në Iran që nga viti 1979. Balotazhi i parë ndodhi në vitin 2005, kur fitoi përfaqësuesi i linjës së ashpër Mahmoud Ahmadinejad. Gjatë drejtimit të tij, Iranit iu vendosën sanksione ndërkombëtare për shkak të përparimit me programin bërthamor dhe ndodhën protestat e Lëvizjes së Blertë në vitin 2009, të cilat u shtypën me dhunë.
Sfidat dhe pritjet
Fitorja e Pezeshkianit ndodh në një periudhë delikate për Iranin, me tensione të larta në Lindjen e Mesme për shkak të luftën Izrael-Hamas, avancimin e programit bërthamor të Iranit dhe zgjedhjet e afërta në Shtetet e Bashkuara, që mund të vënë në rrezik çdo shans për ulje tensionesh midis Teheranit dhe Washingtonit.
“Nuk pres asgjë prej tij, por jam i lumtur që vota u vuri frerin linjave të ashpra”, ka thënë punonjësja e bankës Fatemeh Babaei, e cila ka pranuar se ka votuar për zotin Pezeshkianin. “Shpresoj se zoti Pezeshkian mund ta kthejë administratën në një mënyrë në të cilën të gjithë njerëzit mund të ndjejnë se ka një të nesërme”.
Taher Khalili, një iranian me origjinë kurde, i cili udhëheq një dyqan të vogël rrobaqepësie në Teheran, ka ofruar një arsye tjetër shpresëdhënëse, ndërsa u shpërndante karamele kalimtarëve.
“Më në fund dikush nga vendlindja ime dhe perëndimi i Iranit erdhi në pushtet”, ka thënë ai. “Shpresoj se ai do ta bëjë ekonominë më të mirë për bizneset e vogla”.
Doktori Pezeshkian, i cili flet gjuhët azerbajxhanase, farsi dhe kurde, ka bërë fushatë për t’u afruar me shumë etni të Iranit. Ai përfaqëson presidentin e parë iranian nga Irani perëndimor në dekada, diçka që njerëzit shpresojnë se do ta ndihmojë qarkun pasi ata në Perëndim konsiderohen më tolerantë për shkak të diversitetit etnik dhe fetar në zonën e tyre.
Zgjedhjet u mbajtën mes tensioneve të larta rajonale. Në prill, Irani nisi sulmin e tij të parë të drejtpërdrejtë ndaj Izraelit për shkak të luftës në Gazë, ndërsa grupet e milicisë që armatosen nga Teherani, si Hezbollahu libanez dhe kryengritësit Houthi të Jemenit, janë përfshirë në luftime dhe kanë përshkallëzuar sulmet e tyre.
Banorët në rrugët e kryeqytetit Teheran kanë shprehur optimizëm pas premtimeve për zbutje të trysnisë ekonomike dhe të ligjeve të ashpra, si dhe për një perspektivë të re në komunikimin me Perëndimin, pas fitores së reformistit Pezeshkian në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale, që ka premtuar për përmirësim të komunikimit me Perëndimin.
“Masoud Pezeshkiani duhet ta lehtësojë trysninë ndaj njerëzve. Të paktën trysninë ekonomike që përjetojmë, nuk e kam fjalën për politikën... Të gjithë janë sot disi më të gëzuar. Sapo njerëzit dëgjuan se fitoi Pezeshkiani, iu shfaq një buzëqeshje e vogël”, ka thënë Mohammad Sharifnejad, shofer taksie.
Të tjerë kanë sugjeruar hapat që mund të ndërmarrë Pezeshkian që të përmirësohet cilësia e jetesës në Iran.
“Për të hequr sanksionet, Masoud Pezeshkiani duhet të arrijë njëherë në një marrëveshje me fuqitë botërore dhe të shikojë se cilat janë kërkesat e tyre dhe tonat. Duhet bërë në një mënyrë që vendi të mos dobësohet. Bisedimet duhet të mundësojnë që të mos ketë sanksione, ndërsa vendi vazhdon të jetë i fortë”, ka thënë Mahmoud Mohammadi, banor në Teheran.
Edhe pse s’ka premtuar ndryshime radikale për sistemin teokratik shiit të Iranit, objektivat modeste të presidentit të zgjedhur pritet të sfidohen nga një qeveri iraniane që përbëhet kryesisht nga përfaqësues të linjës së ashpër, nga lufta Izrael-Hamas në Rripin e Gazës, si dhe nga shqetësimet e Perëndimit për pasurimin e uraniumit nga Teherani në nivelet e mjaftueshme për armë bërthamore.
Zgjedhjet u mbajtën pasi presidenti 63-vjeçar Ebrahim Raisi vdiq pas rrëzimit të helikopterit me të cilin po udhëtonte me 19 maj, kur u vra edhe ministri i Jashtëm i vendit dhe zyrtarë të tjerë.
Kush është presidenti i ri i Iranit, Masud Pezeshkian?
Ligjvënësi reformist Masud Pezeshkian do të bëhet presidenti i nëntë i Republikës Islamike të Iranit.
Pezeshkian, ish-ministër i Shëndetësisë, në 16 vjetët e fundit e ka përfaqësuar provincën iraniane të Azerbajxhanit lindor e cila ka një shumicë etnike azerbajxhanase në Parlamentin e Iranit.
Megjithëse ka mbi 20 vjet në politikë, Pezeshkian nuk është përballur kurrë me ndonjë akuzë për korrupsion dhe as nuk është përfshirë në ndonjë skandal politik.
Pezeshkian u lind në qytetin me shumicë kurde Mahabad në provincën iraniane të Azerbajxhanit perëndimor dhe i flet rrjedhshëm gjuhët kurde dhe azerbajxhanase.
Ai shkoi në front gjatë luftës së viteve 1980-88 mes Iranit dhe Irakut, ku luftoi dhe shërbeu si mjek. Pas luftës, ai specializoi në kirurgjinë kardiake.
Pezeshkian, 70 vjeç, ka punuar edhe në akademi, sepse shërbeu si president i Universitetit të Shkencave Mjekësore të Tabrizit, nga viti 1994 deri në vitin 1999.
Ai u fut në politikë pak pasi u largua nga universiteti, duke u zhvendosur në Teheran në vitin 2000 për të shërbyer si zëvendësministër i Shëndetësisë në Qeverinë e presidentit të atëhershëm, Mohammad Khatami.
Më 2001, Khatami e emëroi Pezeshkianin ministër të Shëndetësisë. Dy vjet më vonë, Parlamenti dështoi në përpjekje për ta akuzuar atë për, siç thanë kritikët e tij, emërimet e dobëta dhe përdorimin e keq të huave nga Banka Botërore.
Më 2008, tre vjet pasi u largua nga Qeveria, Pezeshkian garoi për Parlament dhe zuri vendin e parë në zonën elektorale të Tabrizit. Ai u zgjodh në Parlament për pesë mandate katërvjeçare radhazi.
Nga 2016 deri më 2020 – kur të moderuarit dhe reformistët e kishin në dorë legjislaturën – Pezeshkian shërbeu si njëri nga dy nënkryetarët e Parlamentit.
Pezeshkian garoi për president më 2013, por u tërhoq nga gara pastaj pa e mbështetur ndonjë kandidat tjetër. Ai e provoi fatin më 2021, por u diskualifikua prej garës nga Këshilli i Gardës, një organizatë kushtetuese e cila i kontrollon kandidatët që garojnë në zgjedhje të mëdha.
Pezeshkiani shpesh e reciton kuranin dhe është ekspert i Nahjul Balagha, një përmbledhje e predikimeve dhe thënieve të imamit të parë shiit, Ali. Ky libër zë vend të veçantë në mesin e shiitëve iranianë.
Ai ka qenë kritik i politikave të republikës islamike për zbatimin e detyrueshëm të ligjit për hixhabin, shamisë islamike për mbulimin e kokës te gratë. Më 2023, ai paralajmëroi se kjo vetëm sa do t’i nxiste njerëzit ta urrejnë fenë.
Pezeshkiani është shprehur i hapur për bisedime me Perëndimin dhe në të kaluarën i ka kundërshtuar brohoritjet kundër vendeve të tjera, përfshirë kundër Shteteve të Bashkuara.
Por, Pezeshkian ka folur edhe në mbështetje të parimeve të republikës islamike dhe ka ngulur këmbë se politikat e vendosur nga lideri suprem Khamenei duhet të ndiqen.