Botë

Fitorja e AfD-së në zgjedhjet rajonale paraqet pengesë për Olaf Scholzin

Alternativa për Gjermaninë (AfD)

Alternativa për Gjermaninë (AfD) është afër t’i fitojë zgjedhjet rajonale në Gjermani dhe të bëhet partia e parë e ekstremit të djathtë që fiton nga Lufta e Dytë Botërore, sipas sondazheve, edhe pse ishte pothuajse e sigurt se do të përjashtohej nga pushteti prej partive rivale.

AfD-ja është projektuar të fitojë 33.5% të votave në shtetin Turingen, më shumë se konservatorët e Partisë së Bashkimit Kristian Demokrat (CDU) me 24.4%, kanë treguar sondazhet e transmetuesit televiziv, ZDF. Në shtetin e Saksonisë, konservatorët kanë udhëhequr me 32%, vetëm gjysmë përqindje më shumë sesa AfD-ja.

“Është sukses historik për ne. Është hera e parë që bëhemi forca më e fortë në zgjedhjet shtetërore”, ka thënë Alice Weidel, bashkëdrejtuese e AfD-së.

Partia e majtë popullsite, Sahra Wagenknecht Alliance (BSW), ka dalë e treta në të dyja shtetet, me rreth 11.5 dhe 12% të votave në Saksoni dhe 14.5 deri 16% në Turingen, sipas sondazheve.

Me vetëm një vjet para zgjedhjeve kombëtare të Gjermanisë, rezultatet duken shqetësuese për koalicionin e kancelarit gjerman Olaf Scholz, ndonëse socialdemokratët duket se e kanë arritur pragun prej 5% për të qëndruar në parlamentet e të dy shteteve.

Të gjitha partitë, përfshirë BSW-në, janë zotuar të mos e lejojnë në koalicion AfD-në, të cilën ata e konsiderojnë si antidemokratike dhe ekstremiste.