Botë

Finlanda kërkon ndihmën e BE-së për ndaljen e fluksit të emigrantëve nga Rusia

Ursula von der Leyen dhe Petteri Orpo

Ursula von der Leyen dhe Petteri Orpo

Foto: Associated Press

Kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo, ka kërkuar ndihmën e Bashkimit Evropian për të ndalur fluksin e madh të emigrantëve nga Rusia dhe lidhur me ndikimin ekonomik të mbylljes së kufirit së Finlandës lindore.

“Ne vizituam me zonjën presidente kufirin dhe e përshkruam situatën se si është, dhe tani duhet të gjejmë zgjidhje të përbashkët për të ndaluar këtë fenomen kur Rusia përdor emigrantët ilegal kundër nesh. Jemi duke përgatitur legjislacionin tonë por gjithashtu kemi nevojë për masa në nivel të BE-së”, ka thënë Orpo duke folur krah presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë një vizite të përbashkët në kufirin Finlandë-Rusi.

Ai ka shtuar se është falënderues që Bashkimi Evropian e ka mbështetur Finlandën.

Sipas tij Finlanda lindore ka vuajtur për shkak të sjelljes së Rusisë dhe mbylljes së kufirit.

“Ajo që na nevojitet është që Bashkimi Evropian duhet të ndihmojë Finlandën lindore dhe zonat që vuajnë për shkak të sjelljes ruse… dëshira jonë është që Bashkimi Evropian të ndërtojë një instrument të ri për të financuar Finlandën lindore dhe zonat që vuajnë”, ka shtuar Orpo.

Vitin e kaluar, Finlanda mbylli kufirin e saj të gjatë me Rusinë pas rritjes së numrit të personave që hynin në shtet, përfshirë shtetas të Sirisë dhe Somalisë.