Botë

Finlanda dënon një rus me burgim të përjetshëm për krime lufte në Ukrainë

Yan Petrovsky

Një rus është dënuar me burgim të përjetshëm të premten, nga një gjykatë finlandeze, për krime lufte të kryera në vitin 2014 në Ukrainën lindore, ku është gjetur se grupi i tij paramilitar ka vrarë një ushtar ukrainas të lënduar. 

Gjyqi i Yan Petrovsky, i njohur edhe si Voislav Torden, është një rast i rrallë që adreson krimet e luftës nga kryengritja kundër Kievit e përkrahur nga Moska në Ukrainën lindore, shumë kohë para fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, raporton Reuters.

Petrovsky, i lindur në vitin 1987, është shpallur fajtor për katër nga pesë akuzat të lidhura me aktivitetet e tij në provincën ukrainase të Luhanskut, pjesë e rajonit industrial të Donbassit.

Petrovsky ka qenë anëtar i Rusich, një njësit paramilitar i lidhur me grupin mercenar rus Wagner, sipas gjykatës. Ai ka qenë nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga viti 2022. 

Gjykata e ka shpallur fajtor në katër nga pesë akuzat, që përfshin vrasjen nga njësiti i tij të një ushtari të lënduar ukrainas, gjymtimi i një tjetri, dhe bërja dhe publikimi i imazheve degraduese të ushtarëve të vdekur. 

Petrovsky është arrestuar në Finlandë pas kërkesës së Ukrainës në vitin 2023 derisa ai po tentonte të udhëtonte për Francë me një identitet të rremë. Më vonë Gjykata Supreme e Finlandës ka bllokuar ekstradimin e tij për në Ukrainë.

Gjykata ka hedhur poshtë një akuzë, në mungesë të provave që njësiti Rusich i Petrovskyt kishte organizuar një pritë nën pretendimin se janë ukrainas gjatë së cilës 22 ushtarë ukrainas ishin vrarë, edhe pse gjykata gjeti se luftëtarë të njësitit Rusich kishin qenë prezent. 

Petrovsky i ka mohuar të gjitha akuzat dhe do të apeloj vendimin, sipas avokatit të tij.