Botë

Fillon kapja e majmunëve në qytetin tajlandez pas sulmeve ndaj banorëve

Majmunet makak ne Tajlande

Autoritetet tajlandeze kanë zbuluar të mërkurën një plan për të kapur mijëra majmunë që po enden në qytetin qendror të Lopburit, e të cilët po i sulmojnë banorët.

Kafshët janë konsideruar prej kohësh një simbol i provincës, që ndodhet rreth 140 kilometra në veri të Bangkokut, dhe janë pikë tërheqëse e madhe për turistët, raporton agjencia “AP”.

Por majmunët makakë, të cilët llogariten të jenë rreth 2.500 në qytetin Lopburi, janë bërë gjithnjë e më agresivë dhe të vështirë për t’u kontrolluar.

Në rrjete sociale kanë qarkulluar video ku shihen majmunët duke rrëmbyer ushqim nga banorët dhe duke u shkaktuar atyre lëndime. Videot janë bërë virale. 

Autoritetet do të ndërtojnë dy kafaze të mëdha e ku do t’i fusin majmunët.

Në një konferencë shtypi në Bangkok, të mërkurën, autoritetet kanë njoftuar se së shpejti do të fillojnë një operacion të përbashkët për të kapur qindra majmunë, për t’i sterilizuar dhe për t’i vendosur në kafazin e parë.

Ata kanë filluar kapjen e majmunëve që javën e kaluar dhe deri më tani kanë kapur 37, disa prej tyre meshkuj alfa, kapja e të cilëve konsiderohej si prioritet.

Athapol Charoenshunsa, drejtori i përgjithshëm i Departamentit të Parqeve Kombëtare, Kafshëve të Egra dhe Ruajtjes së Bimëve, ka thënë se departamenti i tij do të punojë së bashku me administratën lokale për të siguruar që të paktën disa nga majmunët të mbeten të lirë, duke bredhur rrugëve.
Majmunët janë fajësuar për shqetësimin publik të banorëve dhe mbylljen e bizneseve për shkak të sjelljes së tyre agresive.

LEXO EDHE: