Botë

“Fëmija më vdiq në duar”, rrëfimet rrëqethëse të refugjatëve myslimanë

Rohingya

Disa të mbijetuar të masakrës së Birmanisë, të kryer më 5 gusht ndaj komunitetit rohingia, kanë rrëfyer për BBC-në tmerrin që kanë përjetuar atë ditë, teksa kanë humbur familjarët më të ngushtë, gratë dhe fëmijët. Të mbijetuarit kanë treguar se u sulmuan nga ushtria Arakan, një nga grupet më të forta kryengritëse në Birmani, e cila në muajt e fundit ka dëbuar ushtrinë nga pothuajse i gjithë shteti Rakhine. Ata thanë se fillimisht u sulmuan në fshatrat e tyre, duke i detyruar të iknin, dhe më pas u sulmuan përsëri te bregu i lumit, ndërsa kërkonin të iknin.

Fayaz dhe gruaja e tij besuan se ishin pak momente larg një vendi të sigurt, kur bombat filluan të binin. “Ne po hipnim në varkë njëri pas tjetrit - atëherë ata filluan të na bombardonin".

Britmat pushtuan hapësirën rreth orës 17:00 me kohën lokale më 5 gusht, rrëfen Fayaz (emri është i ndryshuar me kërkesë të personit në fjalë), ndërsa mijëra njerëz të komunitetit rohingia të frikësuar u nisën drejt brigjeve të lumit Naf, në qytetin Maungdaw.

Sulmet e mëparshme në fshatrat në zonë nënkuptonin se kjo ishte ajo që qindra familje, duke përfshirë edhe atë të Fayazit, e panë si opsionin e tyre të vetëm, që për të arritur në një vend ku ka siguri, ata duhej të iknin nga Birmania perëndimore, për në vendet më të sigurta të Bangladeshit.
Fayaz mbante çanta të mbushura me gjithçka që kishin arritur të merrnin. Gruaja e tij mbante në duar vajzën e tyre gjashtëvjeçare, më e madhja vraponte përkrah tyre. Motra e gruas së tij po ecte përpara, me djalin tetëmuajsh të çiftit në krahë.

Bomba e parë vrau kunatën e tij në çast. Foshnja u plagos rëndë – por ishte gjallë.

"Unë vrapova dhe e mbajta ... por ai vdiq ndërsa ne prisnim të ndalonte bombardimi”, rrëfen me dhimbje Fayaz.

Nisari kishte arritur gjithashtu në breg të lumit rreth orës 17:00, pasi kishte vendosur të ikte me nënën, gruan, djalin, vajzën dhe motrën. 

“Dëgjuam dronë lart dhe më pas zhurmën e fortë të një shpërthimi. Ne u hodhëm të gjithë në tokë. Ata hodhën bomba mbi ne duke përdorur dronë”, tregon ai, emri i të cilit si për secilin në këtë shkrim është ndryshuar për çështje sigurie.

Nisari ishte i vetmi nga familja e tij që mbijetoi.

Fayaz, gruaja dhe vajzat e tij shpëtuan dhe përfundimisht do të kalonin lumin. Pavarësisht lutjeve që i kishte bërë, varkëtari refuzoi ta lejonte Fayazin të merrte trupin e foshnjës me vete. 

"Ai tha se nuk kishte kuptim të barte të vdekurit, kështu që hapa një gropë buzë lumit dhe e varrosa me nxitim”, shprehet ai për foshnjën e vrarë.

Tani ata janë të gjithë në një vend relativisht të sigurt në Bangladesh, por nëse kapen nga autoritetet këtu, ata mund të kthehen.

“Bota e tij u shkatërrua në një ditë të vetme”

Nisari mban në duar një Kuran, teksa e shtrëngon me ndjenjën e paaftësisë që të kuptojë se si bota e tij u shkatërrua në një ditë të vetme.

"Nëse do ta dija se çfarë do të ndodhte, nuk do të kisha provuar kurrë të largohesha atë ditë," thotë Nisar.

Është shumë e vështirë të përmbledhësh atë që po ndodh në luftën civile të Birmanisë. Por BBC ka arritur të ndërtojë një pamje të asaj që ndodhi në mbrëmjen e 5 gushtit përmes një serie intervistash ekskluzive me dhjetëra të mbijetuar rohingia që ikën në Bangladesh dhe videove që ata shpërndanë.
Të gjithë të mbijetuarit – rohingia civilë të paarmatosur, tregojnë se kanë dëgjuar shumë bomba që shpërthenin gjatë një periudhe prej dy orësh. Ndërsa shumica përshkruan se bombat hidheshin nga dronët, një armë që po përdoret gjithnjë e më shumë në Birmani, disa thanë se u goditën nga mortaja dhe të shtëna me armë zjarri. Klinika e MSF-së që vepron në Bangladesh ka bërë të ditur se ka parë një rritje të madhe të Rohingia-ve të plagosur në ditët në vijim. Gjysma e të plagosurve ishin gra dhe fëmijë.

Videot e të mbijetuarve të analizuara nga BBC Verify tregojnë bregun e lumit të mbuluar me trupa të gjakosur, shumë prej tyre gra dhe fëmijë. Numri i njerëzve të vrarë nuk është i verifikuar, por dëshmitarë të shumtë okularë i kanë thënë BBC-së se kanë parë shumë trupa.

Të mbijetuarit i thanë BBC-së se u sulmuan nga ushtria Arakan (AA), një nga grupet më të forta kryengritëse në Birmani, e cila në muajt e fundit ka dëbuar ushtrinë nga pothuajse i gjithë shteti Rakhine. Ata thanë se fillimisht u sulmuan në fshatrat e tyre, duke i detyruar të iknin, dhe më pas u sulmuan përsëri te bregu i lumit, ndërsa kërkonin të iknin.

Askush nga AA nuk ka pranuar të intervistohet, por zëdhënësi i saj Khaing Tukha e ka mohuar akuzën dhe u është përgjigjur pyetjeve të BBC-së me një deklaratë ku ka theksuar se "incidenti nuk ka ndodhur në zonat e kontrolluara nga ne". Ai gjithashtu ka akuzuar aktivistët rohingia për organizimin e masakrës dhe akuzim të rremë ndaj AA-së.

Megjithatë, Nisari u qëndron prapa fjalëve të tij. 

"Ushtria Arakan po gënjen”, thotë ai.

“Sulmet janë bërë nga ata. Atë ditë ishin vetëm ata në zonën tonë. Dhe ata na sulmojnë prej javësh. Ata nuk duan të lënë asnjë mysliman të gjallë”, shton ai.

Shumica e myslimanëve rohingia të Birmanisë jetojnë si pakicë në Rakhine - një shtet me shumicë budiste, ku të dy komunitetet kanë pasur prej kohësh një marrëdhënie të tensionuar. Në vitin 2017, kur ushtria e Birmanisë vrau mijëra pjesëtarë rohingia në atë që OKB-ja e përshkroi si "një shembull i spastrimit etnik", burra vendas Rakhine gjithashtu iu bashkuan sulmeve. Tani, në mes të një konflikti midis juntës dhe AA-së, e cila ka mbështetje të fortë në popullsinë etnike rakhine, rohingiat e gjejnë përsëri veten të bllokuar.

Pavarësisht rrezikut për t'u kapur dhe kthyer në Birmani nga autoritetet e Bangladeshit, të mbijetuarit rohingia i thanë BBC-së se dëshironin të tregonin detaje të dhunës me të cilën u përballën, në mënyrë që ajo të mos kalonte pa u dokumentuar.

“Zemra ime është thyer. Tani, kam humbur gjithçka. Nuk e di pse mbijetova”, thotë Nisar.

Një tregtar i pasur rohingia, shiti tokën dhe shtëpinë e tij ndërsa bombardimet u shtuan pranë shtëpisë së tij në Rakhine. Por konflikti u intensifikua më shpejt nga sa priste, dhe në mëngjesin e 5 gushtit, familja vendosi të largohej nga Birmania.

“Vajza ime vdiq në krahët e mi”

Ai qan teksa tregon trupin e vajzës së tij në një nga videot.

“Vajza ime vdiq në krahët e mi duke thënë emrin e Allahut. Ajo duket aq e qetë, sikur po fle. Ajo më donte shumë”, rrëfen ai.

Në të njëjtën video, ai tregon edhe gruan dhe motrën e tij, të dyja të plagosura rëndë, por të gjalla kur u xhirua videoja. Ai nuk mundi t'i barte ato pasi bombat po binin ende, kështu që ai bëri zgjedhjen e dhimbshme për t'i lënë ato pas. Më vonë e mori vesh se kishin vdekur.

"Nuk kishte mbetur asnjë vend që të ishte i sigurt, kështu që ne vrapuam drejt lumit për të kaluar në Bangladesh," thotë Fayaz. 

Të shtënat dhe bombat i kishin ndjekur nga fshati në fshat, dhe kështu Fayaz ia dha të gjitha paratë e tij një varkëtari për t'i çuar përtej lumit.

I shkatërruar dhe i zemëruar, ai mban një foto të trupit të gjakosur të djalit të tij.

"Nëse ushtria Arakan nuk qëlloi mbi ne, atëherë kush e bëri?. Drejtimi nga erdhën bombat, e di që ushtria Arakan ishte atje. Apo po binte bubullima nga qielli?”, thotë ai.

Këto akuza ngrenë pyetje serioze në lidhje me ushtrinë Arakan, e cila e përshkruan veten si një lëvizje revolucionare që përfaqëson të gjithë njerëzit e Rakhine.

Që nga fundi i vitit të kaluar, AA, pjesë e aleancës së kryengritësve të armatosur në Birmani, të quajtur “Tre Vëllazëria”, ka fitua shumë beteja kundër ushtrisë.

Por humbjet e ushtrisë kanë sjellë rreziqe të reja për rohingias, të cilët kanë thënë më parë për BBC-në se po rekrutoheshin me forcë nga junta për të luftuar AA-në.
Kjo, së bashku me vendimin e grupit militant rohingia “ARSA” për t'u bashkuar me juntën kundër kryengritësve rakhine, ka acaruar marrëdhëniet tashmë të dobëta midis dy komuniteteve dhe i ka bërë civilët rohingia shumë të prekshëm ndaj ndëshkimit.

Një i mbijetuar i sulmit të 5 gushtit i ka thënë BBC-së se militantët e ARSA-s, të cilët ishin rreshtuar me juntën, kishin qenë në mesin e turmës që po ikte, dhe kjo mund të kishte provokuar sulmin.

“Edhe nëse ka pasur ndonjë objektiv ushtarak, ka pasur një përdorim joproporcional të forcës. Kishte fëmijë, gra, pleq që u vranë atë ditë. Gjithçka bëhej pa dallim”, thotë John Quinley, drejtor i grupit të të drejtave të njeriut “Fortify Rights”, i cili ka hetuar incidentin.

“Një krim lufte ka ndodhur më 5 gusht”

“Pra, kjo do të na linte të mendojmë se ka arsye për të besuar se një krim lufte ka ndodhur më 5 gusht. Ushtria Arakan duhet të hetohet për këto krime dhe komandantët e lartë të Ushtrisë Arakan duhet të mbahen përgjegjës”, shprehet Quinley.

Ky është një moment i pasigurt për komunitetin rohingia. Më shumë se një milion prej tyre ikën në Bangladesh në vitin 2017, ku vazhdojnë të jenë të kufizuar në kampe të stërmbushura e në kushte të rënda.

Më shumë kanë ardhur në muajt e fundit pasi lufta në Rakhine po i arrin ata, por, nuk është më si në vitin 2017, kur Bangladeshi hapi kufijtë e tij. Këtë herë, qeveria ka thënë se nuk mund të lejojë më rohingia të hyjnë në vend.
Për të mbijetuarit që mund të gjejnë para për të paguar varkëtarët dhe trafikantët, BBC-së iu tha se kjo ka kosto prej 184 dollarësh për person. Ata më pas duhet të kalojnë para rojeve kufitare të Bangladeshit dhe të ndajnë fatin e tyre me vendasit, ose të fshihen në kampet e rohingias.

Kur Fayaz dhe familja e tij mbërritën në Bangladesh më 6 gusht, rojet kufitare u dhanë atyre një vakt, por më pas i hipën në një varkë dhe i kthyen.

“Kemi kaluar dy ditë në det pa ushqim apo ujë. Unë u dhashë vajzave të mia ujë nga lumi për të pirë dhe iu luta disa prej të tjerëve në varkë që t'u jepnin disa biskota nga pakot që kishin”, rrëfen ai.

Ata hynë në Bangladesh në përpjekjen e tyre të dytë. Por të paktën dy varka ishin përmbysur për shkak të mbingarkimit. 

Një grua e ve me 10 fëmijë tha se kishte arritur të fshihte familjen e saj gjatë bombardimeve, por pesë nga fëmijët e saj u mbytën kur varka e tyre u përmbys.

“Fëmijët e mi ishin si copa të zemrës sime. Kur mendoj për ta, dua të vdes”, thotë ajo duke qarë.

Nipi i saj, një djalë 8-vjeçar qëndron i ulur pranë saj. Prindërit dhe vëllai i tij më i vogël gjithashtu vdiqën.

Po ata që mbetën pas? Rrjetet e telefonit dhe të internetit në Maungdaw mbetën të ndërprera për javë të tëra, por pas përpjekjeve të përsëritura, BBC-ja kontaktoi një burrë, i cili dëshironte të mbetej anonim për sigurinë e tij.

“Ushtria Arakan na ka detyruar të largohemi nga shtëpitë tona dhe po na mban në shkolla dhe xhami. Unë jam duke u mbajtur me gjashtë familje të tjera në një shtëpi të vogël”, tregon ai.

Ushtria Arakan i tha BBC-së se shpëtoi 20,000 civilë nga qyteti në mes të luftimeve kundër ushtrisë. Ai tha se po u siguronte atyre ushqim dhe trajtim mjekësor dhe shtoi se “këto operacione kryhen për sigurinë e këtyre individëve, jo si zhvendosje të detyruara".

Por burri me të cilin BBC-ja kontaktoi në telefon hodhi poshtë pretendimet e tyre. 

“Ushtria Arakan na ka thënë se do të na qëllojnë nëse përpiqemi të largohemi. Po na mbarojnë ushqimet dhe ilaçet. Unë jam i sëmurë, nëna ime është e sëmurë. Shumë njerëz kanë diarre dhe po vjellin”, shprehet ai. Ai më pas u lut për ndihmë. 

“Dhjetëra mijëra rohingia janë nën kërcënim këtu. Nëse mundeni, ju lutemi na shpëtoni”, lutet ai.
Përtej lumit në Bangladesh, Nisar shikon prapa në Birmani. Ai mund të shohë bregun ku u vra familja e tij.

"Unë kurrë nuk dua të kthehem”, thotë ai.