Familjarë të Trumpit dhe të ftuar të tjerë nisen të mbledhen për inaugurimin
Familja e Donald Trumpit ka mbërritur në një kishë në Uashington DC përpara inaugurimit të tij në orën 12:00 (18:00 me kohën lokale të Kosovës).
Edhe të ftuar të tjerë kanë nisur të mblidhen për inaugurimin.
Ceremonia, e mbajtur tradicionalisht jashtë Kapitolit të SHBA-së, është zhvendosur në ambiente të mbyllura për shkak të parashikimit për temperatura të ulëta, të cilat do të mbërrijnë deri në -13C, raporton BBC.
Pas betimit, Trumpi do t'i drejtohet kombit. Në mbrëmje ai pritet të marrë pjesë në tri ballo inauguruese.
Përpara se Trumpi të marrë zyrtarisht detyrën, Joe Bideni ka lëshuar falje paraprake për disa figura të "kërcënuara me ndjekje penale", duke përfshirë Dr Anthony Fauci dhe oficerët që dëshmuan për trazirat e Kapitolit.
Ndërkohë, në një tubim të dielën, Trumpi ka premtuar të nënshkruajë një sërë urdhrash ekzekutivë në ditën e tij të parë si president.
Liderët botërorë urojnë Trumpin
Udhëheqësit botërorë uruan të hënën Donald Trumpin për inaugurimin e tij si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ishte mes atyre që uruan Trumpin.
“Presidenti Trump është gjithmonë i vendosur dhe politika e paqes përmes forcës që ai njoftoi ofron një mundësi për të forcuar udhëheqjen amerikane dhe për të arritur një paqe afatgjatë dhe të drejtë, e cila është një përparësi kryesore”, tha Zelenskyy.
Më 22 shkurt mbushen tre vjet nga fillimi i sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës.
Presidenti Trump më parë ka premtuar t'i jap fund luftës Rusi-Ukrainë brenda një dite pasi të bëhej president, apo edhe para inaugurimit të tij. Kohët e fundit, këshilltarët e Trump kanë thënë se zgjidhja e këtij konflikti tani do të marrë muaj ose edhe më shumë.
Presidenti Trump ka shprehur skepticizëm për mbështetjen e vazhdueshme ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Kievin.
Edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu uroi Trumpin për fillimin e mandatit të dytë.
“Unë besoj se bashkëpunimi ynë do ta thellojë më tej aleancën SHBA-Izrael”, tha Netanyahu.
Një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi të dielën, vetëm një ditë para se presidenti Trump të fillonte mandatin.
“Mezi pres të punoj me ju për të liruar pengjet e mbetura, për të shkatërruar aftësitë ushtarake të Hamasit dhe për t’i dhënë fund sundimit politik të këtij grupi në Rripin e Gazës dhe për tu siguruar që Gaza të mos bëhet kurrë kërcënim për Izraelin”, shtoi Netanyahu.
Presidenti Trump mori urime edhe nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe aleatët e Shteteve të Bashkuara si Gjermania, Italia dhe Britania.
“Shtetet e Bashkuara janë aleati ynë më i ngushtë dhe qëllimi i politikës sonë është gjithmonë një marrëdhënie e mirë transatlantike”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz.
Kryeministri britanik Keir Starmer vuri në dukje marrëdhënien e gjatë midis Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë.
"Për shekuj, vendet tona kanë pasur një marrëdhënie bashkëpunimi dhe partneritet të qëndrueshëm", tha Starmer. “Bazuar në dashurinë e gjatë dhe lidhjet historike të presidentit Trump me Mbretërinë e Bashkuar, e di që miqësia jonë e thellë do të vazhdojë”.
Dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit në Washington, tha se është "e sigurt se miqësia midis vendeve tona dhe vlerat që na bashkojnë do të vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin midis Italisë dhe Shteteve të Bashkuara".
Presidenti i Panamasë, José Raul Mulino, kritikoi një pjesë të fjalimit të presidentit Trump, në të cilin ai përsëriti dëshirën e tij për të rikthyer kontrollin e Shteteve të Bashkuara mbi Kanalin e Panamasë.
Shtetet e Bashkuara i dhanë plotësisht kontrollin e kanalit të rëndësishëm strategjik Panamasë në vitin 1999.
“Në emër të Republikës së Panamasë dhe popullit të saj, unë duhet të shprehë kundërshtim të plotë të pjesës së fjalimit të Presidentit Donald Trump në lidhje me Panamanë dhe kanalin e saj”, tha Mulino përmes një deklarate./VoA
Trumpi betohet si president i SHBA-së
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, është betuar të hënën në Kapitol.
Ai u betua me dorë në një bibël që daton nga 1861-a e periudhës së Abraham Lincolnit dhe një bibël e nënës së Trumpit.
Betimin e bëri edhe JD Vance si zëvendëspresident i Amerikës.
Gjatë fjalimit si president, Trump u shpreh se epoka e artë e SHBA-së ka nisur tani.
“Epoka e artë e Amerikës nis pikërisht tani. Nga kjo ditë e tutje, vendi ynë do të lulëzojë dhe do të respektohet. Unë thjesht e vendos Amerikën në plan të parë...Jam shpëtuar nga Zoti për ta bërë Amerikën të madhërishme sërish”, ka thënë ai.
Ai është shprehur se nën udhëheqjen e tij do të rifitohet sovraniteti i amerikanëve.
“Siguria jonë do të rikthehet. Peshorja e drejtësisë do të ribalancohet...Prioriteti ynë kryesor do të jetë krijimi i një kombi krenar, të begatë dhe të lirë”, ka thënë Trump.
“20 janari i 2025-s është dita e çlirimit. Shpresoj që zgjedhjet e fundit të mbahen mend si më të mëdhatë dhe më të rëndësishmet në historinë e vendit tonë”, ka shtuar ai.
Presidenti Trump u zotua gjatë fjalimit se SHBA-ja do të marrë Kanalin e Panamasë.
“Në vitet e fundit kombi ynë ka vuajtur shumë, por ne do ta rikthejmë dhe do ta bëjmë sërish madhështor, më të madh se kurrë më parë. Ne do të jemi një komb si asnjë tjetër, plot dhembshuri e guxim. Fuqia jonë do t’i ndalojë të gjitha luftërat dhe do të sjellë një frymë të re uniteti në një botë që ka qenë e zemëruar, e dhunshme dhe krejtësisht e paparashikueshme. Amerika do të respektohet përsëri dhe do të admirohet, duke përfshirë njerëzit e fesë, besimit dhe vullnetit të mirë. Ne do të jemi të begatë, do të jemi krenarë, do të jemi të fortë dhe do të fitojmë si kurrë më parë. Nuk do të pushtojmë. Ne nuk do të frikësohemi. Ne nuk do të thyhemi dhe nuk do të dështojmë. Nga kjo ditë e tutje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë një komb i lirë, sovran dhe i pavarur. Do të qëndrojmë me guxim, do të jetojmë krenarë. Ne do të ëndërrojmë me guxim dhe asgjë nuk do të na pengojë sepse ne jemi amerikanë, e ardhmja është e jona dhe epoka jonë e artë sapo ka filluar”, ka deklaruar Trump.
Kur foli për komunitetet dhe të drejtat, Trump u shpreh se “që nga sot, tash e tutje, do të jetë politikë zyrtare e Qeverisë së SHBA-së që ka vetëm dy gjini – mashkull dhe femër”. Ai pritet të nënshkruajë afro 100 urdhra ekzekutivë në ditën e parë si president.
Trump është presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ishte edhe presidenti i 45-të.
Vendimet “urgjente” që Trumpi pritet t’i marrë pas marrjes së detyrës
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka mbërritur në Kapitol, e pasi të bëjë betimin ka planifikuar të ndërmarrë disa urdhra ekzekutivë.
BBC-ja ka shkruar të hënën se ai do të shpallë një emergjencë kombëtare në kufi, për të dërguar më tepër trupa dhe fuqi punëtore atje. Ai gjithashtu ka udhëzuar zyrtarët e shtetit që të rifillojë ndërtimi i murit ndarës me Meksikën.
Republikani dëshiron t'ua heqë nënshtetësinë e të drejtës së lindjes fëmijëve emigrantë që jetojnë ilegalisht në territorin amerikan.
Trump gjithashtu ka planifikuar një emergjencë kombëtare të energjisë, që thotë se do të lejojë vendimin të ketë më tepër burime natyrore dhe të krijojë vende pune.
Trump u takua me presidentin në largim, Joe Biden, ku ky i uroi mirëseardhje në Shtëpinë e Bardhë.
Trumpi mbërrin në Kapitol për t’u betuar si president i 47-të i SHBA-së
Donald Trumpi ka mbërritur tashmë në Kapitol për të bërë betimin si presidenti i 47-të i SHBA-së.
Inaugurimi i tij fillon në orën 18:00 me kohën e Kosovës.
Administrata e ardhshme e Trumpit tregon se ai do të shpallë një "emergjencë kombëtare" në kufirin SHBA-Meksikë, së bashku me një mori veprimesh të tjera ekzekutive, të cilat do të shpallen më vonë të hënën.
Përpara se Trumpi të marrë detyrën, Bideni ka lëshuar falje paraprake për disa figura "të kërcënuara me ndjekje penale", duke përfshirë Dr Anthony Fauci dhe oficerët që dëshmuan mbi trazirat e Kapitolit.
“Mirë se erdhët në shtëpi”, Bideni takon Trumpin
Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka takuar pasuesin e tij, Donald Trump, pak para se ky të marrë postin e presidentit.
Bideni i uroi mirëseardhje Trumpit.
“Mirë se erdhët në shtëpi”, ka deklaruar ai.
Biden e pyeti Trumpin se si ndihet, derisa ai u përgjigj me “mirë”.
Asnjëri s'iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Takimi u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë. Trumpin e takoi edhe zonjën e parë, Jill Biden.
Donald Trumpi ndjek shërbesën e kishës para betimit
Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump dhe gruaja e tij Melania po marrin pjesë për shërbesën e kishës, në Kishën e Shën Gjonit përballë Shtëpisë së Bardhë në Uashington.
Në orën 18:00 me kohën lokale do të zhvillohet ceremonia e betimit të Trumpit si president i 47-të i SHBA-së.
Të ftuar të shumtë kanë nisur të mblidhen për ceremoninë e inaugurimit e cila këtë radhë mbahet në ambiente të mbyllura për shkak të motit të ftohtë.