Botë

Familja më e pasur britanike dënohet pasi keqshfrytëzoi shërbëtorët

familja Hinduja

familja Hinduja

Një gjykatë penale zvicerane ka dënuar me burg katër anëtarë të familjes miliardere Hinduja për shfrytëzimin e shërbëtorëve në vilën e tyre buzë liqenit në Zvicër. Është familja më e pasur në Britaninë e Madhe, shkruan BBC.

Prakash dhe Kamal Hinduja, si dhe djali i tyre Ajay dhe gruaja e tij Namrata, u shpallën fajtorë për shfrytëzim dhe punësim të paligjshëm dhe u dënuan nga gjykata zvicerane me dënime që varionin nga katër deri në katër vjet e gjysmë burgim.

Familja u shpall fajtore pasi i konfiskuan pasaportat shërbëtorëve, ia ndaluan daljen jashtë dhe i detyronin të punonin deri 18 orë në ditë.

Ata u liruan nga akuza për “trafikim njerëzor”.

Avokatët që përfaqësojnë të pandehurit thanë se do ta apelojnë vendimin.

Tre shërbëtorët, të cilën erdhën nga India dhe punonin në vilë, kanë thënë se familja Hinduja i ka paguar vetëm tetë dollarë për 18 orë punë - më pak se një e dhjeta e shumës së kërkuar nga ligji zviceran.

Ata gjithashtu pohuan se familja - pasuria e së cilës vlerësohet në rreth 40 miliardë euro - rrallë i lejoi ata të largoheshin nga vila, e cila është në lagjen e pasur Cologny të Gjenevës.

Gjatë gjyqit, prokurorët argumentuan se familja shpenzoi më shumë për qenin sesa për shërbëtorët.

Mbrojtja argumentoi se punonjësit merrnin përfitime bujare, nuk mbaheshin të izoluar dhe ishin të lirë të largoheshin nga rezidenca.

Nuk është hera e parë që Gjeneva, qendra e organizatave ndërkombëtare si dhe e të pasurve të botës, është në qendër të vëmendjes për shkak të keqtrajtimit të njerëzve të punësuar si shërbëtorë.

Vitin e kaluar, katër punëtorë nga Filipinet ngritën padi kundër një prej misioneve diplomatike të Gjenevës në Kombet e Bashkuara, duke pretenduar se nuk ishin paguar prej vitesh.