Botë

Evropa mund ta ketë edhe një shtet me armë bërthamore

armë bërthamore

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka deklaruar se arsenali bërthamor i Francës mund të luajë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e Polonisë. Ai është shprehur se, përveç vendosjes së armëve bërthamore amerikane në tokën polake, edhe kokat bërthamore franceze do ta forconin sigurinë e vendit të tij.

“Këto dy ide nuk janë as kundërthënëse dhe as përjashtuese. Ne mund t’i pranojmë të dyja”, u shpreh Duda, shkruan "Politico".

Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron ka propozuar zgjerimin e asaj që njihet si “ombrella bërthamore” franceze për aleatët evropianë, në kontekstin e kërcënimeve në rritje nga Rusia, e cila ka pushtuar Ukrainën më 2014 dhe sërish më 2022.

Franca është i vetmi vend anëtar i Bashkimit Evropian që zotëron armë bërthamore dhe një nga tre fuqitë bërthamore të NATO-s, përkrah SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, me rreth 300 koka bërthamore.

Polonia dhe Danimarka janë treguar të hapura ndaj kësaj ideje. Kryeministri polak Donald Tusk, edhe pse nga një parti kundërshtare me presidentin Duda, ka deklaruar në mars se Varshava është duke zhvilluar bisedime serioze me Francën për këtë mundësi. Kjo temë ka marrë më shumë rëndësi pas paralajmërimeve se SHBA-ja nën Donald Trumpin, mund të mos ofrojnë më garanci të plota sigurie për Evropën.

Në anën tjetër, Polonia ka forcuar ndjeshëm kapacitetet e saj ushtarake në vitet e fundit. Me një ushtri prej 200 mijë trupash, ajo është bërë forca më e madhe tokësore në BE, dhe synon ta rrisë këtë numër në 500 mijë në të ardhmen e afërt.