Botë

Evropa i përdor taktikat e Kinës kundër Kinës

Veturat kineze “Leapmotor” Foto: AP

Veturat kineze “Leapmotor” Foto: AP

Foto: Associated Press

Kina i ka arritur firmat evropiane dhe pastaj ka filluar t’i tejkalojë në aspektet e shitjes dhe aftësisë teknologjike në gjithçka, duke i përfshirë edhe veturat elektrike. BE-ja është duke e konsideruar hapin e ardhshëm për t’i ftuar krijuesit e veturave elektrike (EV) të Kinës brenda mureve të saj. E ideja e madhe e BE-së është të përdoret tarifë për t’i detyruar krijuesit kinezë të veturave të vijnë në Evropë për të formuar ndërmarrje të përbashkëta dhe për ta ndarë teknologjinë me bashkëpunuesit e tyre të BE-së

Bruksel, korrik (Politico) - Evropa është duke e përdorur kërcënimin me tarifa për t’iu bërë presion prodhuesve kinezë të veturave elektrike që të vijnë në Bashkimin Evropian (BE) dhe t’i ndajnë njohuritë e prodhimit.

BE-ja është duke menduar më radikalisht për mënyrën se si të përballet me kërcënimin tregtar nga Pekini – dhe përgjigjja e saj “ka shije kineze”.

Gjatë viteve të fundit politikat tregtare të BE-së kanë qenë të fokusuara tradicionalisht në ndërtimin e mureve mbrojtëse dhe vendimi i fundit për t’u vendosur automjeteve elektrike kineze tarifa ndëshkuese, është dukur si shembull tjetër i mbrojtjes klasike nga Brukseli.

Në një kthesë të jashtëzakonshme të ngjarjes, megjithatë, BE-ja është duke e konsideruar hapin e ardhshëm për t’i ftuar prodhuesit kinezë të veturave elektrike (EV) të Kinës brenda kufijve të vet.
Bazuar në biseda me katër diplomatë dhe dy zyrtarë të lartë, ideja e madhe është që të përdoret tarifa kërcënuese që t’i detyrojnë prodhuesit kinezë të veturave të krijojnë ndërmarrje të përbashkëta me kompani evropiane dhe të ndajnë teknologjinë brenda BE-së.

Ka sinjale se formula po konsiderohet joshëse për prodhuesit evropianë të veturave. Krijuesi i veturave franko-ameriko-italian “Stellantis” e ka formuar një ndërmarrje të përbashkët me “Leapmotorin” e Kinës për t’i filluar operacionet evropiane në shtator. “EBRO-EV” i Spanjës është bashkuar me “Cheryn” – kompania e pestë më e madhe e automjeteve në Kinë – për të prodhuar bashkë veturë elektrike në Barcelonë.

Bashkimi Evropian për vite të tëra ka mbrojtur investitorët perëndimorë që kundërshtonin Pekinin dhe idetë që kompanitë e huaja të investojnë bashkë në Kinë e më pas t’i shpërndajnë njohuritë. 

Bota tani ka ndryshuar. Frika nuk qëndron më se po vidhet teknologjia evropiane e veturave elektrike nga Kina, por në fakt se Evropa është duke ngelur mbrapa në këtë aspekt. Duke e kuptuar se industria e saj ka nevojë për investime dhe ekspertizë për të konkurruar, BE-ja tani është duke e kthyer shikimin drejt zgjidhjeve të negociuara me Pekinin.

Burimet brenda industrisë evropiane kanë thënë se prodhuesve të veturave u pëlqejnë marrëveshjet e tilla, të cilat sipas tyre, janë biznesi që i nevojitet një sektori që ka mbetur mbrapa.

“Sipërmarrjet e përbashkëta kanë kuptim, si mënyrë për t’u siguruar që kinezët jo vetëm që krijojnë fabrika në Evropë, por gjithashtu bëhen pjesë të rëndësishme të zinxhirit të furnizimit. Sigurisht, mund të jetë edhe mënyrë për t’u kërkuar kinezëve të ndajnë me të tjerët pak teknologji”, ka thënë një diplomat i lartë, në kushte anonimiteti.

Ideja është të përdoren tarifat shtesë të BE-së deri në 38 për qind për importet nga Kina në sektorin e veturave elektrike si nxitje që këta prodhues të nisin prodhimin brenda bllokut evropian. Përderisa prodhuesit mund t’i hapin fabrikat e veta në bllok për t’i shmangur detyrimet, bashkimi i fuqisë me një prodhues lokal mund t’ua ulë shpenzimet dhe t’u japë qasje më të shpejtë në tregun e përbashkët.

“Në kohën kur Kina po fuqizohet globalisht, pjesa tjetër e botës është duke zbuluar se këto firma nuk janë inferiore”, ka thënë Bill Russo, ekspert i automjeteve, me bazë në Shanghai. “Nëse e gjejmë veten në disavantazh në konkurrencë, sikur në tabelën e shahut pozicionet e fuqisë janë të marra nga kompanitë kineze të veturave dhe kompanitë kineze të baterive, çka edhe është e vërtetë, atëherë ne nuk duhet ta luftojmë këtë. Ne duhet të bashkëpunojmë me ta. Ta bëjmë të kundërtën”.

Kjo shihet si befasi. Tregon se BE-ja është duke u përgatitur për ta luajtur rolin e muskulozit, rol ndërhyrës në tregtinë botërore, për të cilin dikur e ka akuzuar Kinën. Jo vetëm që Kina e ka arritur Evropën në disa sektorë, por edhe e ka tejkaluar.

“Kjo është pak përulëse për ne, por duhet ta pranojmë se jemi prapa në teknologji të caktuara”, ka thënë diplomati i parë i lartë.

Një tjetër diplomat i lartë i BE-së e ka kritikuar “arrogancën e plotë” të shumë liderëve evropianë në të kaluarën, “që kanë menduar se do të jemi gjithmonë më të mirë në teknologji dhe se Kina nuk do ta arrijë kurrë nivelin tonë”.

Ngelja prapa 

Për dekada Evropa ka këmbëngulur në bindjen se superioriteti në teknologji do të garantonte që të jetë një hap para Kinës – e që në realitet ka dalë të jetë e gabuar. 

Kina i ka mbërritur firmat evropiane dhe pastaj ka filluar t’i kalojë në aspektet e shitjes dhe aftësisë teknologjike në gjithçka, që nga panelet diellore e deri te dronët për konsumatorë, dhe tani edhe me vetura elektrike.

Sipas Odës Gjermane të Tregtisë në Kinë, 69 për qind e kompanive gjermane të automjeteve mendojnë se konkurrentët kinezë tashmë dominojnë në inovacion ose do ta bëjnë këtë brenda pesë vjetëve të ardhshme.

Kështu, të përballur me nevojën për ta mbërritur Kinën, tarifat e Evropës dhe ndërmarrjet e përbashkëta po shihen si përpjekje për t’i dhënë Kinës përjetime të vetë “veprimeve të saj”, ka thënë Hosuk Lee-Makiyama, drejtor i Qendrës Evropiane për Politikat Ndërkombëtare të Ekonomisë (ECIPE).

Pekini duket ta ketë marrë mesazhin dhe ka gjetur mundësi për t’i integruar zinxhirët e furnizimit në Evropë. Në një direktivë të dërguar ndaj kompanive kineze të automjeteve në fillim të këtij viti, Ministria e Tregtisë ka thënë se firmat duhet ta ndërtojnë zinxhirin industrial të furnizimeve “të ndërtuar bashkë dhe të shfrytëzuar nga të gjitha palët”.

Teksa kompanitë kineze janë mbështetur kryesisht në blerjen e aseteve evropiane, qëllimi është “më shumë të jenë të gatshme të formojnë ndërmarrje të përbashkëta sesa të ketë investim kinez prej 100-për qind”, ka thënë François Godement, konsulent në Institutin Montaigne.

“Shiko çfarë më detyrove të bëj”

Në Gjermani, ku disa nga këto kompani akoma kanë fitime të mira në Kinë dhe e kanë vëmendjen e politikanëve të vendit, frika e luftës së tregtisë e ka shtyrë kancelarin Olaf Scholz të dalë haptas me dyshimet mbi hetimin e subvencionit të automjeteve elektrike të BE-së.

Megjithatë, pavarësisht frikës së zgjeruar të tarifave të veturave në Berlin, pikëpamja e shumicës së vendeve të BE-së është se Brukseli në fakt nuk ka pasur zgjidhje, përpos të reagojë ndaj subvencioneve masive të Kinës nëpër tërë zinxhirin e furnizimeve me vetura elektrike, nga rafinimi i lëndëve të para për bateri e deri te veturat e përfunduara.

“Partia Komuniste marsin e kaluar... vendosi t’i rriste subvencionet industriale akoma më shumë. Gjithashtu vendosi të mos e stimulojë konsumimin e brendshëm dhe të mos e rivlerësojë renminbin – valutë e përdorur në Kinë. Nëse dikush e merr një vendim të tillë, kur veç se ka kapacitet të madh, kjo do të thotë: Ne duam t’ju mundim... është deklarim për luftë tregtie”, ka thënë një diplomat i tretë.

“Jemi të shqetësuar për këto zhvillime në marrëdhënien tonë me Kinën. Situata do të përkeqësohet. Por nuk është vendimi ynë. Vendimet merren nga Pekini”.

Dhe disponimi i diplomatëve dhe zyrtarëve të BE-së nuk ishte mbrojtës i idesë së Trumpit për vendimin e vendosjes së tarifave, por më tepër keqardhje dhe alarmim që kjo mund të jetë zgjidhja e fundit – ku shtrirja e bilanceve të qeverive evropiane, thjesht nuk mund të përputhet me subvencionet e Kinës.

Duke iu referuar vendimit të BE-së për t’i vendosur tarifat antisubvencion, Lee-Makiyama ka shtuar: “Është doktrinë e Taylor Swiftit, ku Brukseli i thotë Pekinit: ‘Shiko çfarë më detyrove të bëj’ (Look what you made me do, kënga e saj e njohur)”.

Nëse nuk mund t’i mundësh, bashkoju 

I përballur me presion masiv nga Berlini për t’iu mënjanuar luftës së tregtisë, plani i ndërmarrjeve të përbashkëta për ta shtensionuar betejën - duke siguruar disa fitore për Evropën - është duke marrë pëlqim në Bruksel.

Mund të jetë mundësia e fundit e Evropës për të luajtur rol më të madh në zinxhirin e furnizimeve me vetura elektrike.

Sigurisht, marrëveshjet politike për t’i siguruar investimet e mëdha lokale nuk janë asgjë e re. 

“Çdo krijuesi aziatik të veturave i është dashur të investojë në Evropë, në mënyrë që të përjetojë zbritje tarifore. Japonezët kanë ndërtuar një impiant në Francë, Poloni dhe Portugali. Koreanët e Jugut kanë shkuar në Evropën Qendrore. Gjithashtu firmat tjera kineze si Huawei ndoshta kanë investuar në Francë për të fituar qasje të pjesshme”, ka thënë Lee-Makiyama i ECIPE-së.

Gjithsesi, çka është e re është se BE-ja nuk është duke i përdorur vetëm subvencionet dhe marrëveshjet tregtare, por edhe tarifat, për t’i inkurajuar kompanitë kineze të investojnë në tokën e saj.

Akoma më mbresëlënëse janë diskutimet mes zyrtarëve dhe diplomatëve për t’i përdorur mjetet e tilla, si rregullorja e shqyrtimit të investimeve për t’i nxitur kompanitë kineze drejt sipërmarrjeve të përbashkëta.

“I takon Komisionit të dalë me propozim rreth kësaj”, ka thënë diplomati i parë i lartë, kur është pyetur nëse BE-ja do të shkonte aq larg sa të impononte zyrtarisht kërkesat lokale të pronësisë.

Hungaria – tani përfituesja kryesore e investimeve kineze të veturave elektrike në Evropë – gjithashtu ka dashur të shtyjë kërkesa të tilla për ndërmarrje të përbashkëta në presidencën e saj të ardhshme të Këshillit të BE-së, ka thënë diplomati i katërt, duke sugjeruar se mund të ketë një marrëveshje për t’i hequr tarifat e BE-së ndaj prodhuesve kinezë të makinave që investojnë në vend.

Realiteti industrial 

Në fakt, ligjbërësit e BE-së mund të mos kenë zgjidhje, në kohën kur industria veç po avancon me ndërmarrje të tilla të përbashkëta. Pasi janë detyruar të nënshkruajnë marrëveshje për të pasur qasje në tregun fitimprurës të Kinës në vitet e ’90, shumë firmave evropiane të makinave po u pëlqen ideja dhe po nënshkruajnë me dëshirën e tyre ndërmarrje të reja për të prodhuar makina kineze në Evropë. 

“Është zhvillim shumë i natyrshëm”, ka thënë Jens Eskelundi, udhëheqës i Odës së Tregtisë së BE-së në Kinë. “Kompanitë evropiane kanë qenë shumë të suksesshme në Kinë... Evropa duhet ta konsiderojë: Cilat janë kushtet, sipas të cilave investimet kineze mund të jenë në fakt pozitive për Evropën?”

Kjo shtrirje në Evropë mund të shpjegojë se pse disa prodhues kinezë të makinave, si “BYD”, janë prekur nga tarifa shumë më të ulëta sesa të tjerët, si partneri kryesor kinez i “Volkswagen” “SAIC” - i cili është goditur me tarifën më të lartë të BE-së prej 38.1 për qind.

“Mund të shohësh shkalla më të larta ose më të ulëta të tarifës në varësi të vullnetit për të investuar”, ka thënë Lee-Makiyama. “Vullneti i BYD-së për të bashkëpunuar e shpjegon tarifën e ulët”, ka shtuar ai. Tarifa anti-subvencion e BE-së, 17.4 për qind në BYD “nuk është e pakapërcyeshme nëse gjithashtu konsiderohet se juani e ka tejkaluar euron në dy vitet e fundit".

Megjithatë, jo të gjithë janë të gatshëm për t’u kapur për dore dhe për të hyrë në valle. 

“Volkswageni” nuk ka plane për të prodhuar vetura elektrike të krijuara nga partnerët kinezë në fabrikat e tij evropiane, ka konfirmuar kompania në mars. Dhe BYD-ja, krijuesi më i madh në botë i veturave elektrike, do ta bëjë këtë i vetëm në Hungari, ku është duke e ndërtuar fabrikën e vet.
Franca është e interesuar për t’i tërhequr drejt vetes prodhuesit kinezë të veturave dhe baterive.

“BYD-ja është e mirëpritur në Francë dhe industria e automjeteve është e mirëpritur në Francë”, ka thënë muajin e kaluar ministri i Ekonomisë, Bruno Le Maire.

Në vend se të fillojë një luftë të madhe të tregtisë, vendimi i Evropës për tarifë mund të jetë një valë tjetër e integrimit.

Në përpjekjet për ta arritur, Evropa është duke u kthyer në Kinë.

 

Përgatiti: Latra Gashi