Botë

Evropa dhe Kanadaja rritën shpenzimet e mbrojtjes për 20 për qind më 2024

Mark Rutte

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, të premten para takimit që me shumë gjasë do të jetë nën presionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të shpenzuar më shumë, ka deklaruar se shpenzimet për mbrojtje nga aleatët evropianë dhe Kanadaja kanë qenë 20 për qind më të larta në vitin 2024 sesa një vit më herët.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka përsëritur thirrjet që aleatët e NATO-s duhet të rrisin shpenzimet për mbrojtje, të cilat deklarata i ka dhënë që nga mandati i tij i parë si president, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Shumë vende kanë reaguar me rritje si përgjigje ndaj kërkesave të tij, veçanërisht pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

NATO-ja ka njoftuar se rritja prej 20% nga aleatët evropianë dhe Kanadaja ka arritur shpenzimet totale të mbrojtjes pa SHBA-në në më shumë se 485 miliardë dollarë.

“Po planifikoj të takoj ministrat e mbrojtjes të NATO-s, javën e ardhshme ku do të flasim për më shumë investime dhe më mirë në mbrojtje”, ka deklaruar Rutte në përgjigje ndaj kërkesës së “Reuters” për të dhënat e fundit për shpenzimet e NATO-s.  “Kemi rritur numrat, ato po rriten, në fakt shpenzimet nga Evropa dhe Kanadaja janë rritur për 20% në vitin 2024, duke arritur investimet totale të viteve të fundit nga 640 në 700 miliardë dollarë”.

Me “viteve të fundit” aleanca i referohet periudhës që nga viti 2014 kur aleatët vendosën cakun e shpenzimeve në 2% të bruto produktit vendor të secilit anëtarë.

Në bazë të të dhënave të NATO-s të publikuara vitin e kaluar, 23 nga 32 anëtarët e aleancës e kanë arritur cakun.

Por muajin e kaluar presidenti Trump ka deklaruar se anëtarët duhet të shpenzojnë 5% të BPV në mbrojtje, një nivel që asnjë anëtar i NATO-s madje as SHBA-ja nuk e plotëson.

Vitin e kaluar shpenzimet e SHBA-së ishin rreth dy të tretat e shpenzimeve të mbrojtjes brenda NATO-s, në bazë të të dhënave të NATO-s.

NATO-ja deklaroi se nuk mund të tregojë të dhëna rreth shpenzimeve për momentin. Por pritet t’i shfaqë ato në takimin e të mërkurës në mes ministrave të aleancës, në të cilin do të marrin pjesë edhe Pete Hegseth, sekretari i Mbrojtjes në administratën e Trumpit.