Botë

Evakuohen mbi 400 shtëpi në Irlandën e Veriut për të larguar një bombë të LDB-së

Ilustrim

Ilustrim

Policia në Irlandën e Veriut urdhëroi evakuimin e më shumë se 400 shtëpive për të hequr atë që dyshohet të jetë një bombë e kohës së Luftës së Dytë Botërore.

Operacioni i largimit mund të zgjasë më shumë se pesë ditë, ka bërë të ditur policia të dielën, raporton AP.

Pajisja u zbulua të premten në Newtownards, një zonë e County Down, rreth 15 kilometra në lindje të Belfast.

"Unë e vlerësoj problemin që kjo ka shkaktuar, megjithatë mbajtja e njerëzve të sigurt është parësore dhe ne nuk do të rrezikojmë”, ka thënë komandanti i distriktit North Down dhe Ards, Johnston McDowell. 

Policia kishte ngritur barrikada dhe u kërkoi shoferëve të shmangnin zonën.

Është krijuar po ashtu një qendër mbështetëse emergjente për banorët që duhej të largoheshin nga shtëpitë e tyre.