Botë

Estonia u kërkon aleatëve të NATO-s ta rikthejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak

rekrut Estoni

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe “rregullimit” të marrëdhënieve me Rusinë post-sovjetike në vitet ’90, rekrutimi është lënë pas në histori në shumë vende të Evropës. Por jo në Estoni. Tani, pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin, rekrutimi është duke u kthyer dhe duke u zgjeruar përgjatë Evropës

Shiu bie mbi syzet e rekrutit të ri Tovio Saabas, duke përshkuar vijat e ngjyrosura në fytyrën e tij me ngjyrë të gjelbër e të zezë të cilat ia kompletojnë kamuflazhin.

I shtrirë mbi tokën e lagur dhe duke shikuar përmes armës së tij, e vetmja gjë që kërcënon ta zbulojë pozicionin e tij është shtëllunga e ajrit që i del për shkak të frymëmarrjes në pyllin e ngrirë estonez.
Pastaj vjen thirrja shurdhuese për të sulmuar.

25-vjeçari nxiton të ngrihet në këmbë. Duke formuar një linjë me vëllezërit e tij në krah, ai niset mes pemëve drejt kufirit rus.

Ndërsa ai vazhdon të ecë përpara nën zhurmën e zjarrit të armikut, inxhinieri mekanik i diplomuar i Universitetit të Southampton e di se një ditë kjo gjë mund të jetë reale. 

“Ne jemi duke praktikuar në rast të çfarëdo kërcënimi”, thotë ai. “Ne jemi gati për çdo gjë që mund të ndodhë në Estoni dhe jemi gati për të mbrojtur vendin”.

Toivo, nga kryeqyteti Tallinn, është në mesin e trupave aktual të estonezëve të rinj që është duke kaluar shërbimin ushtarak – detyrë që u kërkohet ta kryejnë të gjithë burrat mbi moshën 18-vjeçare. Për gratë, është vullnetare.

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe “rregullimit” të marrëdhënieve me Rusinë post-sovjetike në vitet e ’90-ta, rekrutimi është lënë pas në histori në shumë vende të Evropës.
Por jo në Estoni.

Dhe tani, pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin, rekrutimi është duke u kthyer dhe duke u zgjeruar përgjatë Evropës.

Këtë javë, Norvegjia ka njoftuar se është duke e rritur numrin e rekrutimit të ushtarëve, pasi Danimarka ka deklaruar muajin e kaluar se synon ta zgjerojë rekrutimin edhe për gratë dhe ta rrisë gjatësinë e shërbimit.

Letonia dhe Suedia së fundmi kanë rifilluar shërbimin ushtarak dhe Lituania e ka rikthyer atë pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014. 

“Kjo të shkakton dëme mendore”, thotë Toivo i bërë qull nga shiu, duke shpjeguar se trajnimi ka qenë eksperienca më e rëndë e jetës së tij. “Por në fund të fundit, është shërbim për vendin tënd. Të jesh i përgatitur për gjithçka është më mirë se sa të largohesh fshehurazi dhe të përpiqesh ta shmangësh shërbimin”.

Shiu është kthyer në breshër dhe pastaj në borë brenda disa minutave. Të gjithë janë bërë qull deri në lëkurë. Por teksa trajnimi mbaron, nisin bisedat dhe të qeshurat të cilat mbulojnë vështirësitë e kaluara në orët e mëparshme.

“Rekrutët në Ukrainë janë ata për të cilët ndjej keqardhje”, thotë kapiteni Mikk Haabma, që është duke mbikëqyrur procedurat. “Ata janë duke luftuar për jetën e tyre”.
Duke qenë 2 metra i gjatë, 38-vjeçari ka avantazh të natyrshëm sa i përket vëzhgimit të progresit të rekrutëve të tij të rinj.

“Vendi ynë është i bazuar në rezerva ushtarake dhe këta djem janë duke i mbushur hapësirat tërë kohën. Por gjithashtu, ata janë duke fituar aftësi të reja për jetët e tyre – sidomos për rritjen e vetëbesimit të tyre. Disa javë më vonë, këta djem do të jenë gati për të luftuar ballëpërballë me armikun”.
Ai e ka fjalën për Rusinë.

“Në fund ne kemi NATO-n”

Rusia kurrë nuk ka sulmuar një vend aleat të NATO-s, marrëveshja e mbrojtjes kolektive e së cilës do të thotë se një sulm ndaj njërit prej anëtarëve të saj përbën sulm mbi të gjitha. 

Tri vendet e NATO-s – Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca – secila ka armë bërthamore, siç ka edhe Rusia, kështu që lindin shqetësimet rreth rrezikut të përshkallëzimit bërthamor si rezultat i një konflikti të tillë.

Gjithsesi, nëse rusët do të sulmonin, me çka do të përballeshin ata?

“Me disfatë masive”, thotë Haabma. “Sigurisht, ata e kanë kapacitetin, por në fund në nivel strategjik kemi NATO-n dhe superioritetin teknik”.

Aleanca ushtarake transatlantike – tash me 32 anëtarë duke përfshirë edhe anëtarët e rinj Finlandën dhe Suedinë – të enjten më 4 prill ka festuar përvjetorin e 75-të.

Pra çka është kjo ndjenjë dërrmuese në Estoni?

Një ndjenjë sigurie e të qenit pjesë e një aleance të madhe? Apo frika nga lëvizjet e paparashikueshme që mund të ndërmarrë Vladimir Putini pastaj?

“Mendoj se janë të dyja”, thotë Kaja Kallas kryeministri e Estonisë.

Për të, mbajtja e premtimit nga aleatët e NATO-s për të shpenzuar 2 për qind të GPD-së për mbrojtje, është vendimtare. 

“Në vitin 1938, ishte e qartë se lufta ishte duke u afruar, kështu që shpenzimet e mbrojtjes u rritën për  100 përqind, por prapëseprapë ishte shumë vonë”, thotë Kallasi. “Kjo është ajo që ne duhet të ndërmarrim për ta ruajtur mënyrën tonë të jetesës, në mënyrë që ta ruajmë paqen në Evropë”, shtoi ajo.

Megjithatë, në vitin 2024, më pak se dy e treta e anëtarëve të NATO-s janë në rrugën e arritjes së objektivit e tyre për financimin prej 2 për qind, mungesë që ka shqetësuar vazhdimisht ish-presidentin e SHBA-së Donald Trump gjatë kohës së tij në Shtëpinë e Bardhë. 

Kallasi, e cila ka udhëhequr Estoninë që nga viti 2021, e sheh rekrutimin si pjesë kryesore të frenimit të Rusisë, por gjithashtu edhe mbrojtjes më të fortë nëse ajo sulmon.
Pasi ajo përmend Britaninë, ajo ia rekomandon edhe Britanisë së Madhe rekrutimin.

“Sigurisht, çdo vend vendos për veten e vet, ne jemi të gjitha demokraci, por unë e rekomandoj këtë në shumë aspekte”, thotë ajo.

“Ne kemi humbur pavarësinë një herë”

Ajo kujton kur kreu i ushtrisë britanike është qortuar nga “Downing Street” pasi ka thënë se Britania duhet ta trajnojë një “ushtri qytetare” të gatshme për të luftuar në të ardhmen.

“Kjo nuk më befason, meqë ne kemi histori të ndryshme. Ne kemi humbur pavarësinë dhe lirinë tonë një herë dhe nuk duam ta humbasim përsëri. Ata thonë se mund ta kuptosh lirinë dhe çka do të thotë liria, vetëm nëse nuk e ke”, ka thënë ajo.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar i ka thënë BBC-së që “nuk ka absolutisht asnjë sugjerim për rikthimin e rekrutimit”. 

Qeveria britanike ka thënë se kanë planifikuar të investojnë 50 miliardë funte në forcat e saj të armatosura në vitin 2024 për të trajtuar kërcënime të shumta, duke përfshirë edhe agresionin rus në Ukrainë.

Shërbimi ushtarak mund të jetë duke kaluar një rilindje, por kjo nuk do të thotë se të gjithë të rinjtë estonez janë të mbushur me entuziazëm për të.

Ngrohtësia dhe zhurma e barit “F-Hoone” në qendrën e kryeqytetit është e kundërt me atë të pyllit të lagur nga shiu ku të rekrutuarit janë duke u munduar. 

Kryeqyteti është duke u përgatitur për “Javën e Muzikës në Tallinn”, festë vjetore me koncerte të pasura me një sërë zhanresh muzikore.

Ne mesin e atyre që do të shfaqen në skenë janë “The Boondocks” – një grup roku me prejardhje nga India i përbërë prej katër vetash, i formuar për herë të parë në Pärnu, qytet bregdetar në pjesën jugperëndimore të vendit.

“Unë nuk jam ushtar”, këndon 25-vjeçari, Villem Sarapuu në këngën e tij “Smokin' Aces”.

Por në fakt çdo mëngjes për dy muaj ai ka shkuar dhe ka përfunduar ushtrimet për ushtar.

“Së pari, unë nuk doja ta kryeja shërbimin”, thotë ai. “Nuk e kam ditur se ka shumë njerëz që shkojnë vullnetarisht atje”.

Ai thotë se në fillim kjo i ka shpenzuar sasi të konsiderueshme të shëndetit mendor.

“Je i izoluar nga e gjithë bota, por je akoma në Tallinn kështu që është sikur një gjendje harrese e çuditshme”.

Pas trajnimit të parë fizik, Villemi i ka kaluar gjashtë muajt e mbetur me orkestrën e ushtrisë, duke performuar në paradën e Ditës së Pavarësisë. 

“Shokët që po kryenin shërbimin e vërtetë kanë qeshur me mua – në mënyrë pozitive. Por edhe unë isha duke bërë të njëjtën gjë, përfaqësimi i vendit nuk ka të bëjë vetëm me llogore.

I ulur afër tij është anëtari i bandës së tij Hendrik Tamberg, 28-vjeçar.

Si refuzues i rekrutimit, ai ishte kursyer nga shërbimi ushtarak dhe në vend të kësaj ka kaluar një vjet duke u kujdesur për të rriturit me probleme të shëndetit mental.

“Mua mu duk që u shpërbleva, por gjithsesi nuk isha në shoqërinë e njerëzve që kalonin nëpër ecje të vështira pyjore. Mu duk sikur kam humbur diçka interesante”, ka thënë ai.

Këngëtari kryesor Villem thotë se tani e rikujton kohën sa ishte në trajnim ushtarak duke shtuar se ka kujtime të bukura dhe thotë se është kontrast i fortë me shqetësimin e thellë kolektiv që gjenerata e tij e ndjen nga ideja që Rusia mund të sulmojë.

“Nëse e mendoj vullnetin e lirë të njerëzve, rekrutimi nuk është gjë e mirë për t’i detyruar njerëzit ta bëjnë”, thotë ai. “Por kur bie fjala për vende të tilla si Estonia, mjaft e vogël, është absolutisht e nevojshme të rekrutosh njerëz për të kryer shërbim ushtarak. Ose ky vend nuk do të ekzistonte më”.

Përgatiti: Latra Gashi

LEXO EDHE: