Protesta paqësore në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, ka eskaluar të premten, pasi që një grup i protestuesve kanë gjuajtur me gurë në drejtim të policisë greke, e cila reagoi duke hedhur gazlotsjellës për të shpërndarë turmat e protestuesve, shkruan The Guardian.
Qindra mijëra njerëz iu kishin bashkuar protestës në Athinë për t’u solidarizuar me përvjetorin e dytë të aksidentit hekurudhor, si pasojë e të cilit humbën jetën 57 persona dhe i lënduan dhjetëra të tjerë, në atë që njihet si aksidenti më i rëndë hekurudhor në historinë e Greqisë.
Sipas policisë greke, afërsisht 300,000 njerëz kanë marrë pjesë në protestë.
Në bazë të vlerësimeve të ekspertëve, aksidenti kishte ndodhur për shkak të pakujdesisë dhe dështimeve të shumta sistematike.
Organizatorët e protestës e kanë fajësuar qeverinë e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, për neglizhim të aksidentit dhe mungesë të transparencës në zbardhjen e rastit.
“Ajo që po shohim është akumulim i zemërimit që rritet minutë pas minute. Qytetarët ndihen të mashtruar. Ata duan përgjigje, duan drejtësi dhe duan të mbështesin familjet e viktimave. Të gjithë besojnë se kjo do të jetë shfaqja më e madhe e fuqisë së popullit në këtë vend në dekada”, ka deklaruar aktivisti politik Petros Constantinou.
Protestat po mbahen në mbi 200 qytete e qyteza në mbarë vendin.
Të gjitha fluturimet ndërkombëtare dhe vendase u pezulluan të premten, pasi punëtorët e trafikut ajror iu bashkuan marinarëve, shoferëve të trenave, mjekëve, avokatëve dhe mësuesve në një grevë të përgjithshme 24-orëshe për të nderuar viktimat e aksidentit. Në të gjithë vendin, bizneset u mbyllën dhe teatrot anuluan shfaqjet.
Dhjetëra të arrestuar e të lënduar nga protestat në Greqi
Janë arrestuar të paktën 41 persona dhe rreth 20 janë lënduar gjatë përleshjeve të protestuesve me Policinë greke jashtë objektit të Parlamentit në Athinë.
Protesta që ka nisur si paqësore në dyvjetorin e aksidentit hekurudhor ku vdiqën 57 persona u kthye në protestë të dhunshme. Protestuesit hodhën gurë e molotov në drejtim të policëve, teksa këta të fundit gjuajtën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat e njerëzve.
Përveç Athinës, mijëra qytetarë kanë protestuar edhe ne qytete të tjera për të kërkuar drejtësi për vdekjen e 57 personave. Ata kanë akuzuar Qeverinë greke për mungesë transparence në zbardhjen e rastit, raportoi AP. Aksidenti i 2023-s konsiderohet si më i rëndi në historinë e Greqisë.
Autoritetet greke kanë thënë se afërsisht 300,000 njerëz kanë marrë pjesë në protestat përreth Greqisë.