Botë

Erdogani thotë se Gyleni pati vdekje të pandershme

Recep Tayyip Erdogan

Recep Tayyip Erdogan

Foto: Associated Press

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se Fetullah Gyleni, një klerik islamik që u akuzua nga qeveria e Erdoganit për orkestrimin e përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit në vitin 2016, pësoi një "vdekje të pandershme".

"Ata që i kthyen fëmijët e kombit në skllevër të pamend, nën maskën e shërbimit dhe bamirësisë, kanë përfunduar me një vdekje të pandershme, të ngjashme me demonët e tjerë në formë njerëzore gjatë historisë”, ka thënë Erdogan në një fjalim televiziv të martën, raporton AP.

Fetullah Gylen, një klerik islamik i izoluar që jetoi në mërgim të vetë-imponuar për dekada në SHBA, vdiq të hënën, në moshën 83-vjeçare.

Aleanca për Vlerat e Përbashkëta, një grup me bazë në Nju Jork që është i lidhur me Gylenin në SHBA, ka thënë se Guleni vdiq të dielën në mbrëmje në një spital pranë shtëpisë së tij, në malet Pocono të Pensilvanisë.

Mjeku ligjor i qarkut Monroe, Thomas Yanac Jr., ka thënë se ishte informuar se Gyleni, i cili kishte kohë që ishte në gjendje të keqe shëndetësore, vdiq nga shkaqe natyrore.

Gylen, i ardhur nga lëvizja islamike në Turqi, u bë aleat me Erdoganin në fillim të ngritjes së tij në pushtet, derisa të dy u bënë rivalë pas hetimeve për korrupsion dhe një përçarje në qeveri midis mbështetësve të Erdoganit dhe atyre që janë të lidhur me Gylenin.

LEXO EDHE: