Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e ka quajtur kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu një “psikopat” dhe “vampir”, pas sulmeve në Rafah që lanë shumë të vdekur në tendat e popullatës së zhvendosur nga zonat e tjera të luftës.
“Bota po shikon barbarizmin e një njeriu të sëmurë, të një maniaku, të një psikopati dhe të një vampiri gjakpirës i quajtur Netanyahu, dhe këtë po e shikon në transmetime të drejtpërdrejta”, ka deklaruar Erdogani të mërkurën, gjatë një fjalimi para ligjvënësve të partisë së tij, raporton AP.
Erdogani i ka mbajtur përgjegjës për këtë SHBA-në dhe kombet evropiane, derisa ka kritikuar po ashtu edhe kombet islamike për dështim në ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta kundër Izraelit.
“Kur do ta shihni këtë, kur do të reagoni, kur do të bëheni bashkë dhe të ndërmerrni një pozicion”, është shprehur Erdogan.
Shtëpia e Bardhë e ka dënuar të martën humbjen e jetëve civile si pasojë e një sulmi në Rafah, por ka shtuar se nuk është duke planifikuar ndonjë ndryshim në politikë si rezultat i veprimeve të Izraelit.