Botë

Erdogan akuzon Perëndimin se po mbështet Izraelin për ta zgjeruar luftën në Liban

Recep Tayyip Erdogan

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka thënë të mërkurën se vendet perëndimore po mbështesin “planet e Izraelit për të zgjeruar luftën” në Liban, pas sulmeve të reja ajrore izraelite në Libanin jugor.

“Izraeli tani po e kthen vëmendjen te Libani dhe ne shohim se në prapaskena fuqitë perëndimore po e ndihmojnë Izraelin dhe madje po e mbështesin”, ka thënë Erdogan gjatë një takimi me partinë e tij në Ankara.

Ai gjithashtu deklaroi se planet e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të zgjeruar luftën në rajon do të çojë në një fatkeqësi të madhe.

“Është jashtëzakonisht e tmerrshme, për të ardhur keq që vendet që flasin për lirinë, të drejtat e njeriut mbajnë në robëri një të çmendur si Netanyahu”, shtoi Erdogan.

Ai ka thënë se Turqia qëndron në krah të Libanit dhe u bën thirrje aktorëve rajonalë të mbështesin Bejrutin.

Izraeli ka pasur përplasje të vazhdueshme me Hezbollahun, grupin ekstremist me bazë në Liban por që ndihmohet nga Irani. Ka frikë të vazhdueshme se lufta mund të zgjerohet edhe me Hezbollahun. SHBA-ja i ka bërë thirrje Izraelit ta ndalojë çdo përshkallëzim të mundshëm.