Për ditë të tëra gjeorgjianët properëndimorë janë përplasur me policinë e vendit. Ata po kundërshtojnë planin e qeverisë për të pezulluar bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian
Mijëra gjeorgjianë demonstruan para Parlamentit të vendit të tyre për natën e pestë me radhë të hënën, duke zgjeruar krizën politike që ka vendosur qeverinë proruse të vendit kundër atyre që duan lidhje më të ngushta me Perëndimin.
Në qendër të përplasjes është njoftimi i javës së kaluar nga partia qeverisëse “Ëndrra gjeorgjiane” se vendi do të pezullonte bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028.
Presidentja e vendit, Salome Zourabichvili, e cila është pro anëtarësimit në BE, ka inkurajuar mijëra njerëz që kanë dalë në rrugë çdo natë për të protestuar kundër këtij plani të qeverisë.
“Ne duam që fati ynë evropian të na kthehet”, tha ajo të hënën për radion franceze “Inter Radio”.
Protestat, të cilat filluan të enjten e kaluar në kryeqytetin gjeorgjian, Tbilis, janë shpërndarë edhe në qytete të tjera në të gjithë vendin.
Nga ana tjetër kryeministri gjeorgjian, Irakli Kobakhidze, iu tha gazetarëve të hënën se “nuk do të ketë negociata” me forcat e opozitës që protestojnë dhe bojkotojnë parlamentin e vendit.
“Ua kujtoj të gjithëve se nuk do të ketë revolucion në Gjeorgji”, tha ai, duke pretenduar se protestat ishin “financuar nga jashtë”.
Kobakhidze kishte thënë javën e kaluar se Gjeorgjia nuk po e braktiste synimin e saj afatgjatë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, por po bënte pauzë në mënyrë që të rishqyrtojë kushtet e anëtarësimit. Ndër të tjera, ai përmendi thirrjet e Bashkimit Evropian për të shfuqizuar ligjet e fundit që ndalojnë atë që përshkruhet si propaganda LGBTQ, sipas Imedi-t, rrjet televiziv proqeveritar në Gjeorgji.
Zourabichvili ka pasur shpesh përplasje me partinë “Ëndrra gjeorgjiane”, e cila ka qenë në pushtet që nga viti 2012, duke përcaktuar kështu edhe agjendën legjislative.
Kundërshtimi ndaj vendimit të qeverisë po zgjerohet duke përfshirë edhe shkollat. Ka pasur video të publikuara të hënën në rrjetin social “Telegram” të studentëve që protestojnë në Tbilis. Autoritetet u bënë thirrje prindërve që të mos i lejojnë të miturit që të marrin pjesë në protesta.
Janë shpërndarë video të studentëve nga shkolla të ndryshme, që mblidheshin në kryeqytet, si dhe në qytetin e Batumit, Rustavit dhe Akhaltsikhes.
Organet e zbatimit të ligjit kanë arrestuar dhjetëra protestues, duke përfshirë liderin e opozitës, Zurab Japaridze. Bazuar në të dhënat e autoriteteve ligjzbatuese të vendit, më shumë se 220 persona janë arrestuar gjatë katër netëve të para të protestës, dhe 21 policë kanë pësuar lëndime.
Sipas të dhënave të degës lokale të “Transparency International”, organizatë joqeveritare, mbikëqyrëse e të drejtave të njeriut, del se shumë prej të arrestuarve gjatë protestave të hënën ishin lënduar. “Disa të arrestuar aktualisht janë duke u trajtuar pasi kanë pësuar mavijosje të mëdha dhe lëndime në fytyrë, duke përfshirë thyerje të hundës dhe nofullave”, thuhen në një njoftim për shtyp të organizatës.
Thuhet gjithashtu se autoritetet kishin përdorur “masa të pashembullta shtypëse kundër demonstruesve paqësorë”, kishin bërë arrestime të paligjshme dhe kishin shënjestruar qëllimisht edhe gazetarët. Organizata “Reporters Without Borders” bëri të ditur të hënën se më shumë se 25 gazetarë që mbulonin raportimet nga protestat ishin arrestuar.
Cili është rreziku?
Gjeorgjia ka qenë prej kohësh e ndarë mes fuqive të mëdha, problem ky shqetësues për vendin e vogël në Detin e Zi, që dikur ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik. Pothuajse 80 për qind e gjeorgjianëve janë pro anëtarësimit në BE, sipas një sondazhi të publikuar vitin e kaluar nga Instituti Kombëtar Demokratik, organizatë joqeveritare me qendër në Washington, DC, e financuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe qeveritë e tjera perëndimore.
Por të tjerë shqetësohen se Rusia fqinje do ta ndëshkojë Tbilisin për lidhje më të ngushta me Brukselin dhe Washingtonin sesa me të. Moska zyrtare aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, pasi ukrainasit sinjalizuan se donin të kishin lidhje më të ngushtë me Evropën.
Lidhjet e Tbilisit me Moskën u tensionuan pas një lufte të vitit 2008 me Rusinë që zgjati pesë ditë, por la plagë të thella në Gjeorgji. Megjithatë, ka disa gjeorgjianë, veçanërisht në komunitetet më rurale në ish-qendrën industriale, me nostalgji për të kaluarën sovjetike.
Trazirat aktuale politike filluan pas zgjedhjeve të tetorit. Komisioni Zgjedhor i vendit deklaroi se partia “Ëndrra gjeorgjiane” kishte fituar 54 për qind të votave, duke i dhënë partisë një mandat të katërt për të formuar qeverinë. Presidentja Zourabichvili, e cila mbajti anën e një blloku partish opozitare që përfunduan me 61 nga 150 ulëset e parlamentit, e cilësoi procesin zgjedhor si të paligjshëm dhe u zotua të bojkotojë organin legjislativ.

Çfarë çoi në protesta?
Progresistët në Gjeorgji u zemëruan fort pas miratimit të një ligji këtë verë, i cili mediat dhe organizatat e shoqërisë civile që marrin fonde nga organizatat perëndimore i cilëson si nën “influencë të huaj”. Ligji, i cili nxiti demonstrata, është i ngjashëm me një ligj rus të vitit 2012 për “agjentët e huaj”, që është përdorur për të shtypur pikëpamjet antiqeveritare atje dhe për të stigmatizuar ata që i shpërndajnë ato.
Zgjedhjet e tetorit, tejet të diskutueshme, shtuan zhgënjimin. Të enjten, anëtarët e Parlamentit Evropian votuan me një diferencë prej 444 -72 në favor të një rezolute joobliguese që dënon zgjedhjet, për të cilat ata thanë se “nuk përfaqësojnë vullnetin e popullit gjeorgjian”. Organi bëri thirrje që rezultatet të zhvlerësoheshin dhe votimi të përsëritej nën mbikëqyrjen e autoriteteve ndërkombëtare.
Disa orë më vonë kryeministri Kobakhidze njoftoi se Tbilisi zyrtar do të pezullonte negociatat me BE-në për katër vjet, pavarësisht një neni në Kushtetutën e Gjeorgjisë që vendos integrimin në bllokun 27-anëtarësh si një prioritet kombëtar.
Të hënën ai pohoi se anëtarësimi në bllok “deri në vitin 2030” vazhdon të jetë një ndër “prioritetet kryesore” të vendit. “Dua t’i bind të gjithë se integrimi evropian nuk po pezullohet, por do të arrihet me përpjekje maksimale”, tha Kobakhidze në konferencën për shtyp të së hënës.
Ky pretendim ishte hedhur poshtë nga protestuesit.
Përgjigjja nga Perëndimi
Bashkimi Evropian lëshoi një deklaratë të dielën duke shprehur zhgënjimin mbi qëllimin e kryeministrit Kobakhidze për ta tërhequr Gjeorgjinë nga BE-ja.
“Theksojmë se ky njoftim shënon një kthesë ndryshimi nga politikat e të gjitha qeverive të mëparshme gjeorgjiane dhe aspiratat evropiane të shumicës dërrmuese të popullit gjeorgjian, siç parashikohet në Kushtetutën e Gjeorgjisë”, thuhet në deklaratë.
Bashkimi Evropian bëri të ditur se procesi i anëtarësimit ishte shtyrë “de facto” në qershor për shkak të shqetësimeve evropiane mbi ligjin e “influencës së huaj”. Më shumë se 126 milionë dollarë fonde të BE-së të destinuara për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe anëtarësimin në bllok u anuluan në tetor përpara zgjedhjeve, njoftoi delegacioni i BE-së në Gjeorgji në atë kohë.
Presidentja Zourabichvili bëri thirrje për mbështetje edhe më të fortë nga Bashkimi Evropian.
“Unë mendoj se Bashkimi Evropian duhet të godasë me grushtin e tij në tryezë, sepse kjo është ajo që njerëzit presin dhe ata do të ishin jashtëzakonisht të zhgënjyer, duke pasur parasysh që sot ata po demonstrojnë më fuqishëm për Evropën se kudo tjetër”, tha ajo të hënën në intervistën për radion franceze “Inter Radio”.
Shtetet e Bashkuara u përgjigjën gjithashtu, duke njoftuar të shtunën se kanë pezulluar “partneritetin strategjik” të Washingtonit me Gjeorgjinë.
Liderët e Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë vendosën që t’ua ndalojnë udhëtimin në këto shtete një numri anëtarësh të rangut të lartë të “Ëndrrës gjeorgjiane” të hënën, duke përfshirë themeluesin, miliarderin Bidzina Ivanishvili.
Çfarë ka thënë Rusia?
Moska është përpjekur ta portretizojë përgjigjen perëndimore ndaj zgjedhjeve të Gjeorgjisë si ndërhyrje nga të huajt. “Gjithçka që po ndodh në Gjeorgji është punë e saj e brendshme”, u tha gazetarëve të hënën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry S. Peskov. “Ne nuk kemi ndërhyrë dhe nuk synojmë të ndërhyjmë në këto procese”.
Ai tha se Moska kishte vërejtur “një përpjekje për të destabilizuar situatën”, duke nënkuptuar se Perëndimi po përpiqej të nxiste një krizë politike. Ai i krahasoi ngjarjet në Gjeorgji me të ashtuquajturin Revolucioni Portokalli i Ukrainës i vitit 2004 dhe Revolucionin e Maidan-it të vitit 2013, kur protestat masive çuan në rrëzimin e qeverive proruse në Kiev, duke thënë se ai vërejti një “paralele të drejtpërdrejtë”.
Ngjarjet po ndiqen nga afër në Ukrainë, ku njerëzit i cilësojnë protestat si pjesë të së njëjtës luftë që ata kanë zhvilluar kundër ndikimit rus. Njerëzit që morën pjesë në Revolucionin Maidan kanë ofruar këshilla në rrjetet sociale se si të ngrihen barriera kundër policisë dhe kanë publikuar mesazhe mbështetjeje.