Të rinjtë amerikanë dalin të votojnë në shkallë më të ulët sesa votuesit e vjetër, edhe pse pjesëmarrja e tyre është ngritur në epokën e Trumpit. Shqetësim potencial për Trumpin është se hendeku gjinor te votuesit e rinj është edhe më i madh në favor të grave sesa te gjeneratat e vjetra. Kjo konsiderohet të jetë në favor të Harrisit. Burrat e rinj jo të bardhë, që kanë shprehur pranueshmëri të madhe për Trumpin, kanë historik të dobët të pjesëmarrjes
Ekziston një arsye përse Donald Trumpi dhe Kamala Harris po intensifikojnë përpjekjet për të arritur përtej votuesve tradicionalë të partive të tyre në javët e fundit të garës së ngushtë për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Votuesit e bardhë të padiplomuar – baza e Partisë Republikane – kanë rënë në numër që nga viti 2020 për dy për qind, duke e ulur nën 40 për qind numrin e përgjithshëm të personave me të drejtë vote për herën e parë ndonjëherë, sipas analizimit të të dhënave të Byrosë së Regjistrimit nga demografi William Frey, të ndara ekskluzivisht për CNN-in.
Përderisa klasa punëtore e të bardhëve po tkurret, Frey ka gjetur se numri i të bardhëve me diplomë kolegji dhe i votuesve me ngjyrë është rritur për nga të paktën një për qind në numrin e përgjithshëm të personave me të drejtë vote. Tani të bardhët e diplomuar përbëjnë një në katër persona me të drejtë vote dhe personat me ngjyrë paraqesin një në tre persona me të drejtë vote.
Trendët ndihmojnë në shpjegimin përse ish-presidenti Trump është i vendosur të dalë përtej kornizave të bazës tradicionale duke iu afruar më shumë votuesve të zinj dhe latinë, sidomos burrave. Dhe në anën tjetër, trendët ndihmojnë të shpjegohet përse zëvendëspresidentja Harris po përpiqet të tërheqë më shumë votues të diplomuar mes të bardhëve që dikur mbështeteshin më shumë kah Partia Republikane.
Ndikimi i ndryshimeve në kompensim të grupeve të mëdha të votuesve mund të tejkalohet nga ndryshimet në preferencat e grupeve. Trumpi për shembull po llogarit në më shumë vota të latinëve, sidomos burrave, për të neutralizuar përkrahjen për Demokratët pasi komuniteti latin është duke u rritur, sidomos në shtetet me votë të papërcaktuar si Arizona dhe Nevada.
Ndikimi i përgjithshëm i këtyre ndryshimeve në përbërjen bazë të elektoratit është i pamohueshëm. Trumpi për shembull në dy fushatat paraprake kishte fituar një pjesë të madhe të votave nga komuniteti i të bardhëve të padiplomuar, siç kishte bërë Ronald Reagani më 1984.
Sivjet gara është shumë e ngushtë dhe ndryshimet e vogla në elektorat, sidomos në shtetet e papërcaktuara, mund ta bëjnë dallimin. Për shembull, fakti që numri i të bardhëve të padiplomuar, sipas analizës së Freyt, ka rënë në shifrat e përgjithshëm dukshëm në Michigan dhe Wisconsin, në krahasim me Pensilvaninë, mund të ndihmojë në shpjegimin përse analistët e konsiderojnë shtetin e Pensilvanisë më të vështirë se dy të tjerët për Harrisin.
Ndryshimet në nivelet racore dhe të edukimit nuk janë të vetmet me rëndësi që janë përllogaritur në ndryshimet e votuesve. Sipas raportit katërvjeçar, është gjetur se gratë tani përbëjnë 52 për qind të të gjithë votuesve, që mund të llogaritet si favor për Harrisin. Frey po ashtu ka gjetur se Gjenerata Z (të lindurit në periudhën 1996-2010) ka shënuar rritje nga 1 në 10 në raportin 1 në 6 sivjet. Ndryshimet vënë në pah përpjekjet e Harrisit që të shfrytëzojë rastin për të rritur përkrahjen e grave të reja dhe që Trumpi të përpiqet t’i bindë burrat e rinj.
Transformimi
Analizat e Freyt kanë gjetur se votuesit e bardhë të padiplomuar po bien në numër të përgjithshëm, e madje në të shtatë shtetet që konsiderohen si të papërcaktuara. Kjo rënie ka bazë në procesin e vazhdueshëm të ndërrimit të gjeneratave. Krahasuar me të rinjtë, te të moshuarit amerikanë dominojnë të bardhët e padiplomuar. Vota po transformohet pasi gjenerata më të shkolluara po hyjnë në zgjedhje. “Të bardhët janë pjesa që po tkurret dhe pjesa e popullatës që po tkurret edhe më shumë janë njerëzit e pashkolluar”, ka thënë Frey.
Frey ka gjetur se që nga viti 2020 numri i këtij grupi ka pësuar rënie të dukshme në Michigan dhe Wisconsin. Në të dyja shtetet grupet që u rritën ishin të bardhët e diplomuar. Në Pensilvani, transformimi s’është shumë dramatik. Ndërsa në pjesën tjetër të vendeve të papërcaktuara, klasa punëtore është në përqindje më të vogël në raportin e përgjithshëm, me rreth 1 në 3 votues në Arizona, Georgia dhe Nevada dhe pak mbi 2 në 5 në Karolinën e Veriut.
Në të dyja rajonet, formula e Demokratëve për të fituar që nga vitet 1990 ka qenë duke maksimizuar përkrahjen te votuesit jo të bardhë dhe te të bardhët e shkolluar, me fokus te gratë në të dyja grupet. Ndërsa në epokën e Trumpit, strategjia dominuese e Republikanëve ka qenë maksimizimi i votës te të diplomuarit, kryesisht burrat. Sivjet fokusi është te të zinjtë dhe latinët e padiplomuar, sidomos burrat.
Fytyrat e reja të partive
Manuel Pastor, drejtor i Institutit “Equity Research” në Universitetin e Kalifornisë Jugore, ka thënë se kontrastet e strategjive të Harrisit dhe Trumpit në ditët e fundit të fushatës pasqyrojnë “fytyrat e reja” të partive, si rezultat i ndryshimeve racore e arsimore të elektoratit.
Sipas Pastorit, “Trumpi i është përgjigjur ndryshueshmërisë së elektoratit duke u fokusuar kah burrat, sidomos latinë dhe ata të zinj”. Dhe Harrisi është në përpjekje për të mbrojtur sa më shumë vota të burrave latinë e të zinj, “por është pajtuar edhe me ndryshimet e shpejta që po bëhen”.
Patrick Ruffini, republikan që merret me sondazhe e që ka specializuar në trendët demografikë, ka thënë se përfitimet e Demokratëve te të bardhët e shkolluar dhe ato të Trumpit te jo të bardhët, duhet të kuptohen pa u shkëputur me dinamikën e njëjtë.
“Veprimi më me sukses i Trumpit në mesin e klasës punëtore është funksion i suksesit të Demokratëve te votuesit e shkolluar”, ka thënë Ruffini, autor i librit të fundit “Partia e Popullit” për ndryshimet te Republikanët. “Teksa elektorati po ndahet në shkollim, klasa e punëtorëve jo të bardhë nuk do të jetë imune ndaj trendëve dhe do të lëvizë kah Trumpi më shumë se standardet republikane. Mendoj se po zgjerohet koalicioni, jo domosdoshmërisht me përpjekje të qëllimshme, por për shkak të dinamikës natyrore në elektorat”.
Demokratët duhet të mbesin në garë të paktën te të bardhët në klasën punëtore, sidomos në shtetet në të cilat dominon kjo klasë. Por qëllimi më realist për Demokratët në SHBA është të frenohen humbjet te të bardhët.
Gara gjinore dhe e moshës
Grupet në të cilat Harrisi duhet të dallohet si fituese janë votat e komuniteteve jo të bardhë dhe të bardhët e shkolluar (sidomos gratë). Fakti se të dyja grupet janë në rritje në elektorat dhe grupi më i favorshëm i Trumpit po tkurret, mund t’i japë Harrisit një shtytje të lehtë. “Pjesët në rritje të popullatës po anojnë drejt demokratëve, edhe këtë herë”, kur kaq shumë votues janë të pakënaqur me kushtet në shtet, ka thënë Frey. Fakti se gratë pritet të dalin më shumë në zgjedhje se burrat, sipas tij, do të jetë lehtësi e vogël për Harrisin.
Por shumë analistë theksojnë se këto ndryshime demografike lehtësisht mund të tejkalohen nëse Trumpi mund t’i reduktojë margjinat e Demokratëve në mesin e grupeve që pritet t’i fitojë Harrisi, ose t’i thellojë dallimet në grupet ku udhëheq vetë republikani. Për shembull, fakti që Gjenerata Z po rritet në elektorat mund t’i sjellë përfitime Harrisit duke marrë parasysh faktin që Demokratët kanë dominuar te votuesit e rinj që nga zgjedhjet e 2004-s. Por teksa Harrisi ka avantazh të theksuar te vajzat, Trumpi mund të përfitojë në transicionin e gjeneratave nëse depërton te djemtë e gjeneratës Z.
Melissa Deckman, shefe ekzekutive e Institutit “Public Religjion Research” dhe autore e librit “Politikat e Gjeneratës Z”, ka thënë se gjithçka rreth mesazheve të Trumpit në çështjet kulturore, racore e gjinore, tjetërsojnë shumicën e vajzave të gjeneratës Z. “Mendoj se gratë e Gen Z, përfshirë të bardhat, janë shumë të përkushtuara për demokraci gjithëpërfshirëse”, ka thënë ajo.
Por përderisa djemtë e rinj mund të mos i mbështesin plotësisht mesazhet e Trumpit për ndryshimet racore dhe kulturore, sipas saj, kanë më pak gjasa se ato t’u pengojnë në raport me perspektivën ekonomike. Te të rinjtë në SHBA, shumë më shumë vajza po diplomohen në raport me djemtë.
“Për të rinjtë në përgjithësi, ka shumë ankth për çështjet ekonomike”, ka thënë Deckman. “Por mendoj se dallimi mes vajzave të gjeneratës Z është se mund t’i prioritizojnë çështjet sociale, ndërsa meshkujt të votojnë për çështjet e xhepit”.
Këto theksojnë një çështje më të rëndësishme: Në një moment të tillë të politikës amerikane, ndryshimi në përbërjen e elektoratit s’paraqet aq shumë rezultatin e zgjedhjeve, por ua tregon palëve detyrat që të sigurojnë votat.
Një tjetër faktor është kyç për diskutimet se si ndryshimi demografik mund të ndikojë në balancimin e pushtetit mes dy partive sivjet. Bëhet fjalë për faktin se sa për qind të secilit grupacion do të dalin në ditën e zgjedhjeve. Në këtë rast më 5 nëntor.
Votuesit e bardhë e të shkolluar në vazhdimësi dalin në shkallë më të lartë se cilido grup tjetër. Në zgjedhjet e 2020-s, gati 9 në 10 të bardhë të shkolluar votuan në krahasim me më pak se 2 në 3 të bardhë të padiplomuar dhe rreth 3 në 5 te jo të bardhët, sipas kalkulimeve të kryera nga Michael McDonald, politolog nga Universiteti i Floridës, që ka studiuar për pjesëmarrjen e votuesve.
Duke analizuar të dhënat e Censusit, Frey dhe McDonald kanë gjetur se në vitin 2020, të bardhët e diplomuar hodhëm pak më shumë se 3 në 10 vota, ndërsa ata me ngjyrë pak më pak se 3 në dhjetë. Të bardhët e padiplomuar mbetën grupi më i madh, por me më pak se 40 për qind të të gjitha votave – për herën e parë në histori. Të dhënat kanë treguar se përqindja e të bardhëve kishte përjetuar rënie në daljen në zgjedhje për herë të parë më 2008, kur Barack Obama u zgjodh presidenti i parë me ngjyrë.
Një lëvizje e ngjashme është edhe te gjinitë. Gratë kishin dalë më pak në zgjedhje sesa burrat në çdo palë zgjedhje që nga ato të 1980-s, sipas Qendrës për Gratë Amerikane dhe Politikat në Universitetin Rutgers. Dallimi luan rol. Frey ka kalkuluar se në zgjedhjet e 2004-s, dalja e grave ka tejkaluar atë të burrave për 3.3 për qind, duke mbërritur në 4 për qind në disa raste.
Si rezultat, sipas analizimeve të Freyt, një në shtatë shtetet e pacaktuara, gratë më 2020 ishin 52 për qind e votuesve në Michigan, Pennsylvania, Wisconsin dhe Nevada, 54 për qind në Karolinën e Veriut dhe rreth 55 për qind në Arizona e Georgia. Në nivel të plotë të SHBA-së, 53 për qind e votave ishin nga gratë. Zakonisht kur ka më shumë gra, Demokratët konsiderojnë fitoren pasi burrat më shumë e përkrahin Partinë Republikane. Të dhënat mund të tregojnë se Harrisi mund të mbijetojë sivjet edhe nëse Trumpi fiton burrat me pak më shumë vota.
Të rinjtë dalin në shkallë më të ulët sesa votuesit e vjetër, edhe pse pjesëmarrja e tyre është ngritur në epokën e Trumpit. Shqetësim potencial për Trumpin është se hendeku gjinor te votuesit e rinj është edhe më i madh në favor të grave sesa te gjeneratat e vjetra, sipas qendrës “Rutgers”. Burrat e rinj jo të bardhë, që kanë shprehur pranueshmëri të madhe për Trumpi, kanë historik të dobët të pjesëmarrjes.
Burimet tjera të të dhënave për përbërjen e elektoratit më 2020, përdorin pamje tjetër nga ato që përdor Frey. Studimi i Qendrës “Pew Research” ka konkluduar se të bardhët e padiplomuar që zënë 42 për qind të të gjithë votuesve, ndërsa analizimi i “Catalistit” kompani e angazhuar nga Demokratët, thotë se përqindja në këtë grup është 44. Të dyja kanë vendosur që personat me ngjyrë dhe të bardhët e padiplomuar janë më pak në numër se të dhënat e Censusit. Sondazhet e kryera nga “Edison Research” për konsorciumin e mediave, përfshirë CNN-in dhe AP/VoteCastin, kanë gjetur se gratë zënë një përqindje pak më të vogël te të gjithë votuesit sesa të dhënat e Censusit; Catalist ka konkluduar se ato përfaqësojnë edhe më shumë.
Megjithatë, të gjitha të dhënat pajtohen se të bardhët e padiplomuar po bien në përqindje totale, ndërsa personat me ngjyrë dhe të bardhët e diplomuar po rriten ngadalë në përqindje. Po ashtu të dhënat përputhen se gratë po bëhen shumica e votuesve.
Askush nuk mund të parashikojë se si votuesit e secilit grup do të votojnë sivjet. Por të dhënat historike tregojnë se ndryshimet e dokumentuara nga Frey, mund të ndryshojnë edhe votën elektorale.
Ekspertët besojnë se të bardhët e diplomuar do të vazhdojnë të tkurren në përqindjen totale, ndërsa të bardhët e diplomuar do të rriten. Zakonisht ndryshimet në elektorat lënë shenja përgjatë dekadave dhe jo nga zgjedhjet në zgjedhje. Por kjo mund të ketë ndikim të mjaftueshëm për të ndryshuar ekuilibrin e dy partive që kanë vizion të ndryshëm për të ardhmen e Amerikës, por që janë pothuajse të barabarta në madhësi.