Një jugkorean i akuzuar se u ka kushtuar investuesve mbi 40 miliardë dollarë, është ekstraduar në SHBA, raporton “BBC”.
Do Kwon ishte shefi i platformës Terraform, që operonte dy kriptovaluta – TerraUSD dhe Luna – dyja prej të cilave kolapsuan në vitin 2022, duke shkaktuar një tronditje në tregun e kriptovalutave atëbotë.
SHBA-ja thonë se jugkoreani ishte fajtor për dështimin e dy kriptovalutave, dhe e akuzon atë se “orkestroi një mashtrim miliardë dollarësh”.
Kwon u largua nga Koreja e Jugut pasi u lëshua një urdhërarrest, ndërsa përfundoi në Mal të Zi, ku edhe u arrestua. Ai u ekstradua pas një beteje të gjatë ligjore.
Ai u shpall fajtor për falsifikim dokumentesh nga një gjykatë e Malit të Zi, pasi u arrestua teksa përpiqej të nisej për në Dubai në mars të vitit 2023.
Ishte e paqartë nëse ai do të përballej me ekstradim, pasi Mali i Zi s’ka traktat ekstradimi me SHBA-në apo Korenë e Jugut.
Por, pas një beteje ligjore që zgjati 18 muaj, Kwon më në fund u ekstradua.
Firma e Kwonit, Terraform Labs, ishte bërë e njohur gjerësisht në vitin 2021, kur kriptovalutat e saja Luna e TerraUSD shpërthyen në popullaritet.
Adhuruesit e Lunës u bënë të njohur si “Lunatics”, ndërsa Kwonit i referoheshin si “mbret”.
Por, pavarësisht se një sasi e madhe parash u investua në to, më 9 maj të vitit 2022 Terraform Labs u shemb në mënyrë katastrofike, duke humbur më shumë se 99 për qind të vlerës në 48 orë.
Investuesit u përpoqën të merrnin paratë e tyre nga kriptovalutat e tjera, nga frika se mund të ngjajë një gjë e ngjashme.
Vlerësohet se i ashtuquajturi “cryptocrash” rezultoi në humbje të mëdha, qindra miliarda dollarë.
Bitcoini ishte në mesin e kriptovalutave që u prek.
Terraform Labs përfundimisht paraqiti falimentimin në SHBA në janar të vitit 2024.