Një kopje të këtij drafti, të kosponsorizuar nga Gjermania dhe Ruanda, e ka siguruar edhe KOHA. Drafti ka 7 pika dhe ai do të nxirret për votim më 2 maj në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate
Drafti i rezolutës për gjenocidin serb në Srebrenicë është finalizuar dhe që nga e marta u është shpërndarë të gjitha misioneve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Një kopje të këtij drafti, i kosponsorizuar nga Gjermania dhe Ruanda, e ka siguruar edhe KOHA.
Drafti ka 7 pika dhe ai do të nxirret për votim më 2 maj në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate.
Në pikën e parë flitet për caktimin e 11 korrikut si Ditë Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, e që do të shënohet çdo vit, derisa në pikën e dytë flitet për dënimin pa rezerva të gjithë atyre që e mohojnë këtë vepër.
Më 11 korrik 1995, forcat serbe në Bosnjë-Hercegovinë vranë mbi 8.000 burra e djem myslimanë të paarmatosur.
“Dënon pa rezerva çdo mohim të gjenocidit të Srebrenicës dhe u kërkon shteteve anëtare të ruajnë faktet e vërtetuara, duke përfshirë përmes sistemeve të tyre arsimore, duke zhvilluar programe të përshtatshme, gjithashtu në kujtim, drejt parandalimit të revizionizmit dhe shfaqjes së gjenocideve në të ardhmen”, thuhet në pikën 2 të këtij drafti.
Edhe pika 3 flet për dënimin e atyre që lavdërojnë të dënuarit për krime lufte e që në Serbi dhe në Republika Sërpska të Bosnjës ndodh shpesh.
“Gjithashtu dënon pa rezerva veprimet që lavdërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin e Srebrenicës”, thuhet në pikën 3.
Në fakt, Serbia nuk pranon se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, së fundi ka paralajmëruar “ditë të vështira” për vendin e tij pikërisht për shkak të kësaj nisme në OKB.
Ai ka trumbetuar se me këtë rezolutë po synohet t’u hapet rrugë viktimave ta padisin shtetin e Serbisë.
Ndërkohë Ruanda e ka përjetuar vetë një gjenocid. Më 1994, në këtë vend u vranë mes 500 mijë e 800 mijë banorë të fisit Tutsis. Po ashtu u dhunuan mbi 250 mijë gra. I gjithë krimi ndodhi brenda pak muajve. E Gjermania është fajtore për Holokaustin ndaj hebrenjve.
Projektrezoluta për gjenocidin në Srebrenicë
1. Vendos të caktojë 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë që do të shënohet çdo vit
2. Dënon pa rezerva çdo mohim të gjenocidit të Srebrenicës dhe u kërkon shteteve anëtare të ruajnë faktet e vërtetuara, duke përfshirë përmes sistemeve të tyre arsimore, duke zhvilluar programe të përshtatshme, gjithashtu në kujtim, drejt parandalimit të revizionizmit dhe shfaqjes së gjenocideve në të ardhmen
3. Gjithashtu dënon pa rezerva veprimet që lavdërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin e Srebrenicës
4. Thekson rëndësinë e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të viktimave të mbetura të gjenocidit të Srebrenicës dhe varrimit me dinjitet dhe bën thirrje për ndjekje të vazhdueshme të autorëve të gjenocidit të Srebrenicës
5. Nxit të gjitha shtetet që t’u përmbahen plotësisht detyrimeve të tyre sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, siç është e zbatueshme dhe të drejtën zakonore ndërkombëtare për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit, duke pasur parasysh vendimet përkatëse të GJND-së
6. Kërkon nga sekretari i përgjithshëm të krijojë një program informimi të titulluar “Gjenocidi i Srebrenicës dhe Kombet e Bashkuara”, duke filluar aktivitetet e tij me përgatitjet për 30-vjetorin më 2025, dhe më tej i kërkon sekretarit të përgjithshëm që të sjellë rezolutën aktuale në vëmendjen e të gjitha shteteve anëtare, organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të shoqërisë civile për respektimin e duhur
7. Fton të gjitha shtetet anëtare, organizatat e sistemit të Kombeve të Bashkuara, të tjera ndërkombëtare dhe organizatat rajonale dhe shoqëria civile, duke përfshirë organizatat joqeveritare, institucionet akademike dhe palët e tjera të interesuara për të respektuar Ditën Ndërkombëtare, duke përfshirë komemoracione dhe aktivitete të veçanta në kujtim dhe nderim të viktimave të gjenocidit të 1995 në Srebrenicë, si dhe edukimin e duhur dhe aktivitete për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut.