Botë

Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet në Valencia teksa përmbytjet godasin Barcelonën

Spanje, vershime

Foto: Associated Press

Ekipet spanjolle të shpëtimit po fokusojnë kërkimin për persona të zhdukur në garazhet nëntokësore dhe një parkingu me disa kate, pas përmbytjeve shkatërruese të javës së kaluar në Valencia, raporton BBC.

Mendohet se konsumatorët dhe punonjësit janë bllokuar brenda parkingut të veturave në një qendër tregtare në Aldaia, në periferi të Valencias, teksa rryma e ujit ka goditur zonën.

Policia ka konfirmuar se nuk janë gjetur viktima në 50 veturat e para të inspektuara në parking.

Por raportimet thonë se këto vetura janë gjetur afër hyrjes së parkingut dhe se pjesa tjetër është e zhytur nën ujë dhe se duhet të eksplorohet.

Policia spanjolle ka përdorur dronë për të kontrolluar pjesën e brendshme të parkingut, për ta kuptuar më mirë situatën, ka thënë zëdhënësi i policisë.

Agjencia Meteorologjike e Shtetit ka alarmuar pjesë të rajonit verilindor të Katalonisë për reshje, ku Barcelona është goditet nga përmbytjet të hënën.

Numri i viktimave ka arritur në 217.

Stuhia ka zënë shumë viktima në vetura nëpër rrugë, tunele ose parkingje nëntokësore, ku operacionet e shpëtimit janë të vështira.

Ka pasur zemërim për mungesën e paralajmërimit dhe mbështetjen e pamjaftueshme nga autoritetet pas përmbytjeve.

Të dielën, mbreti dhe mbretëresha e Spanjës u qëlluan me baltë dhe objekte të tjera nga protestuesit e zemëruar gjatë një vizite në qytetin e Paiporta - nga më të prekurit në Valencia.

LEXO EDHE: