Botë

Ekipet e shpëtimit në Spanjë vazhdojnë kërkimet për persona të zhdukur

Spanje

Foto: Associated Press

Garda Civile e Spanjës publikoi të dielën pamjet që tregonin ekipet nënujore duke kërkuar në garazhet dhe ndërtesat në Valencia, pas katastrofës natyrore më vdekjeprurëse të Spanjës.

Punonjësit e shërbimit të urgjencës dhe ushtarët u panë duke vazhduar kërkimin e tyre për trupa gjatë natës, duke punuar në dritë të kufizuar dhe në ujë deri në qafë, raporton AP.

Shkatërrimi i shkaktuar si pasojë e vërshimeve mund të marrë javë për t'u pastruar.

Menaxhimi i krizës, i klasifikuar si niveli dy nga qeveria e Valencias, është në duart e autoriteteve rajonale, të cilët mund t'i kërkojnë qeverisë qendrore ndihmë për mobilizimin e burimeve.

Me kërkesë të presidentit të Valencias, Carlos Mazón, kryeministri socialist Pedro Sánchez njoftoi të shtunën vendosjen e 5,000 ushtarëve të tjerë që do të bashkohen me përpjekjet e shpëtimit, do të pastrojnë mbeturinat dhe do të ofrojnë ujë dhe ushqim.

Qeveria do të dërgojë gjithashtu 5,000 policë të tjerë kombëtarë në rajon, ka bërë të ditur Sanchez.

Aktualisht janë rreth 2,000 ushtarë nga Njësia Ushtarake e Emergjencave (UME), forca e parë e ndërhyrjes së ushtrisë për fatkeqësitë natyrore dhe krizat humanitare, të përfshirë në punën e emergjencës, si dhe pothuajse 2,500 xhandarë të Gardës Civile, të cilët kanë shpëtuar 4,500 njerëz dhe 1,800 oficerë të policisë kombëtare.