Pyetja shqetësuese për mundësinë e luftës në mes të Egjiptit dhe Izraelit është bërë temë e shumë bisedave në Egjipt. Gjatë javëve të fundit, reagimet diplomatike pas propozimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për largimin e detyrueshëm të palestinezëve nga Gaza në Egjipt kanë rritur frikën për konflikt
“A jemi duke hyrë në luftë” pyeti një shitëse e shqetësuar nga Kajro, pasi kuptoi se po fliste me një gazetar. Pyetja shqetësuese për mundësinë e luftës në mes të Egjiptit dhe Izraelit është bërë temë e shumë bisedave në vend.
Këto murmuritje të luftës shfaqin shqetësimet në rritje në popullin që ka përjetuar kriza të njëpasnjëshme ekonomike dhe të tmerruar nga shkatërrimi që Izraeli ka shkaktuar në Gazë dhe Liban.
Gjatë javëve të fundit, reagimet diplomatike pas propozimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për largimin e detyrueshëm të palestinezëve nga Gaza në Egjipt kanë rritur frikën për konflikt.
Pyetja e njëjtë, bashkë me përgjigjet alarmuese, janë shfaqur nga mediat egjiptiane, arabe dhe izraelite. Një webfaqe izraelite ka publikuar një skenar të gjeneruar me inteligjencë artificiale të një sulmi për shkatërrimin e digës strategjike, High Dam, në Egjipt. Dhe një youtuber egjiptian ka publikuar një video të gjeneruar nga AI-ja të një sulmi ndaj reaktorit bërthamor izraelit. Influencerët në mediat sociale kanë shkëmbyer akuza dhe kërcënime në shumë platforma të mediave sociale dhe në debate televizive, që ata i shohin si provë e gatishmërisë së secilës palë për luftë.
Sipas raportit të gazetës izraelite “Yedioth Ahronoth”, ky “sentiment i luftës” është ushqyer nga informacione mashtruese e rritur nga krahu i ekstremit të djathtë në Izrael. Ajo ka hedhur poshtë shumë raportime të rreme që qarkullonin në mediat sociale dhe televizion rreth shtimit të forcave egjiptiane në kufi.
Amos Harel, analist i sigurisë në gazetën izraelite “Haaretz”, ka deklaruar se nuk e di “sa nga kjo është e koordinuar dhe sa është spontane”, por ka shtuar se mund të jetë në interes të së djathtës ekstreme në Izrael për të lëvizur “kazanin” drejt Egjiptit, për të larguar vëmendjen nga kritikat e brendshme ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Familjet e pengjeve të mbajtur në Gaza kanë akuzuar Netanyahun për vonimin e marrëveshjes për lirimin e pengjeve me qëllim që të zbutë krahun e të djathtës ekstreme në qeverinë e tij, akuza të cilat ai i ka mohuar. Egjipti dhe ndërmjetësuesit e tjerë janë duke u munduar të shpëtojnë armëpushimin, që ka hyrë në fuqi në janar dhe tani është nën kërcënim.
Tensionet mbi gadishullin e Sinait
Çështja kryesore është nëse Kajro ka vendosur më shumë trupa dhe pajisje ushtarake në Sinai, se sa që i lejohet në provizionet e sigurisë, të arritura në traktatin e paqes me Izraelin në vitin 1979.
Traktati, i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, ka përfunduar luftën dekadëshe në mes dy vendeve dhe vendos ndalesa në praninë ushtarake egjiptiane në gadishullin e Sinait që është në kufi me Izraelin. Kjo filloi në një epokë të bashkëpunimit të afërt në mes të dy vendeve dhe SHBA-së.
Egjipti ka qenë i vendosur për të treguar se është duke i ndjekur rregullat. Në vitin 2016, derisa po luftonte një degë të ISIS-it, ka kërkuar aprovim nga Izraeli për të rritur prezencën ushtarake në Sinai.
Kur Egjipti ka shtuar forcat në kufirin e tij në Gaza dhe ka rritur sigurinë vitin e kaluar, zyrtarët egjiptianë kanë insistuar se shtimi i forcave është brenda kritereve të një marrëveshjeje të vitit 2016 në mes dy vendeve.
Në shtator, Egjipti ka kryer manovra ushtarake në Sinai duke përdorur municione reale, të pasuar me një paradë ushtarake në tetor ku kishte marrë pjesë presidenti Abdel-Fattah el-Sisi. Mediat në të dyja anët e kufirit kanë shfaqur pamjet nga ky organizim dhe e kanë paraqitur si shenjë të mundshme e përgatitjeve për luftë.
Alarmet e tilla nuk kanë qenë vetëm në media, por edhe zyrtarët izraelitë kanë reaguar.
“Ne kemi baza që po ndërtohen që mund të përdoren vetëm për operacione sulmuese”, ka deklaruar ambasadori i Izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, gjatë takimit me liderët hebrenj amerikan në janar. Ai shtoi se Egjipti ka bërë shkelje serioze të traktatit të paqes dhe se kjo do të adresohet me hapa seriozë.
Danny Danon, ambasadori i Izraelit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ka pyetur pse Egjipti po shpenzon “qindra miliona dollarë në pajisje ushtarake” gjatë një interviste me një radiostacion izraelit. “Kjo duhet të ngre alarme, ne e kemi mësuar mësimin tonë, ne duhet të monitorojmë Egjiptin nga afër dhe të përgatitemi për çdo skenar”, ka deklaruar ai.
Analistët ushtarakë në të dyja anët kanë hedhur poshtë raportimet e mediave rreth vendosjes së trupave egjiptiane në Sinai.
“Asnjë tank egjiptian nuk hyn në Sinai pa aprovimin e Izraelit”, ka deklaruar Hossam el-Hamalawy, analist egjiptian i sigurisë në Berlin, duke shtuar se ushtria egjiptiane nuk ka kapacitete të hyjë në luftë me Izraelin. Sipas tij, shumica e videove të vendosjes së trupave egjiptiane dhe manovrave ushtarake që po qarkullojnë në mediat izraelite dhe arabe, janë ose të vjetra ose nuk janë të filmuara në Sinai.
“Nëse e kemi fatin të luftojmë, ne do ta bëjmë”
Në një intervistë të rrallë televizive komandanti ushtarak egjiptian, Maj. Gen. Ahmad Mahmoud Safi El-Din, ka deklaruar për kanalin saudit të lajmeve Al-Hadath të enjten se shpenzimet ushtarake të Egjiptit dhe përpjekjet për të modernizuar arsenalin kanë si qëllim “ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”.
Shefi në largim i shtabit të ushtrisë izraelite, Herzi Halevi, po ashtu ka adresuar shqetësimin në rritje përmes një adresimi publik. “Mendojmë se nuk është kërcënim për momentin, por mund të ndryshohet brenda momentit”, ka shtuar ai.
Me mungesën e deklarimeve qeveritare, çështja u është lënë personaliteteve me ndikim për të interpretuar situatën.
“Nuk jemi në prag të luftës me Izraelin”, ka deklaruar në shkurt udhëheqësi i famshëm egjiptian i një emisioni, Amr Adib. I njohur për lidhjet e ngushta me qeverinë egjiptiane, ai ishte i kujdesshëm në formulim, duke shtuar se reflekton vetëm momentin “sa për tani, në 22:15”, ka deklaruar ai derisa shikonte në orën e tij, duke lënë të kuptohet se kjo mund të ndryshojë shpejt.
“Të dy vendet thyejnë armëpushimin, dhe gjendja mund të kolapsojë vetëm nëse njëra anë sulmon tjetrën, por nuk jemi duke hyrë në luftë”, ka deklaruar ai.
Rrezikimi i traktatit të paqes
Kërcënimi për luftë është mbuluar nga problemet e mëdha të brendshme, me të cilat liderët e të dy vendeve po përballen. Gjithsesi, analistët po ashtu kanë përmendur edhe disa ngjarje që potencialisht mund ta minojnë traktatin.
“Mendjet racionale nuk duan që traktati të jetë në rrezik. Veprimet e marra gjatë 15 muajve të fundit kanë vënë traktatin në një rrezik në të cilin nuk ka qenë kurrë më parë”, ka deklaruar Nabil Fahmy, ish-ministër i Jashtëm i Egjiptit.
Zhvendosja e palestinezëve të Gazës për në Egjipt eventualisht do të shkatërronte ekuilibrin, pasi do të do të shkaktonte kërcënim për sigurinë kombëtare të Egjiptit, ka shtuar Fahmy.
Në muajt që quan në operacionin ushtarak të Izraelit në qytetin kufitar Rafah të Gazës, që ka filluar në maj, Egjipti ka paralajmëruar se largimi me forcë i mbi një milion palestinezëve për në Egjipt, siç ishte propozuar nga zyrtarët izraelitë, do të vendoste traktatin në rrezik.
Një vit më parë, presidenti i Egjiptit, Sisi, ka deklaruar për reporterët dhe homologët evropianë se një zhvendosje e tillë do të thotë se lufta palestineze kundër Izraelit do të bartej në territorin egjiptian. “Sinai do të bëhej bazë për luftën kundër Izraelit... si përgjigje Izraeli do të sulmonte territorin egjiptian”, ka shtuar ai.
Pra, kur Trumpi prezantoi këtë plan për të zhvendosur palestinezët për në Egjipt dhe Jordani dhe të kthejë Gazën në një “rivierë” të Lindjes së Mesme, ky skenar veçse ishte diskutuar nga disa.
“Izraelitët nuk e kanë marrë seriozisht planin e Trumpit. Por në anën egjiptiane, ishte marrë shumë seriozisht”, sipas Max Rodenbeck, drejtori i projektit Izrael/Palestinë në Grupin e Krizave Ndërkombëtare, nga think tank-u me seli në Bruksel. Me frikën se presioni i rritur në Washington D.C do të detyronte Kajron të pajtohet, egjiptianëve u duhej të shfaqnin forcë politike dhe të jepnin shenja se traktati është në rrezik, ka shtuar ai.
Vendet arabe nuk deshën të kundërshtonin hapur presidentin e SHBA-së, përmes angazhimit në media. Si refuzim të planit, deklarimet zyrtare bënin thirrje për bashkëpunim me Trumpin për të arritur paqen në rajon. Liderët arabë pritet të takohen në Kajro këtë javë për të diskutuar rreth një plani tjetër për t’ia prezantuar Trumpit.
Nëse Trumpi e përkrahë apo jo, vendet arabe e kanë kuptuar se rajoni, si e gjithë bota, është duke hyrë në një territor të panjohur gjatë mandatit të dytë të Trumpit.
“Propozimi i Trumpit është komplet kontradiktor me të gjithë objektivën e paqes në mes arabëve dhe izraelitëve”, ka shtuar Fahmy.
Fahmy, si ekspertët e sigurisë që folën për CNN-in, uli ndikimin real të debateve mediatike në një luftë në ardhje, por të gjithë janë shqetësuar nga rritja e intensitetit të tyre.
Është një frikë e fshehur se traktati i paqes në mes Izraelit dhe Egjiptit, i pari në mes një vendi arab dhe shteti hebre – i cili është bërë bazë për sigurinë rajonale – mund të përballet me kërcënimin më të madh qëkur është nënshkruar 45 vjet më parë.
Përgatiti: Shkelzen Dema