Botë

Egjipti mirëpret Hamasin për përpjekjen e re të armëpushimit në Gaza

Gaza

Foto: Associated Press

Liderët e Hamasit kanë mbajtur bisedime me zyrtarët egjiptianë të sigurisë të dielën, në një shtysë të re për armëpushim në Gaza, kanë thënë dy burime të Hamasit.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është planifikuar t’i mbajë bisedimet e sigurisë për çështjen, kanë thënë dy zyrtarë izraelitë.

Vizita e Hamasit në Kairo ka qenë e para qëkur Shtetet e Bashkuara janë zotuar të mërkurën se do t’i rinisnin përpjekjet në bashkëpunim me Katarin, Egjiptin dhe Turqinë për ta negociuar armëpushimin në Gaza, që do të përfshinte edhe marrëveshjen për pengjet, raporton Reuters.

Këshilltari i sigurisë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, ka thënë se mendon që shanset për armëpushim dhe lirim të pengjeve tani kanë më shumë gjasa të ndodhin.

“Hamasi është izoluar. Hezbollahu nuk po lufton më dhe mbështetësit nga Irani dhe vendet tjera janë të zënë me konflikte të tjera”, ka thënë ai të dielën. “Prandaj mendoj se kemi shanse për të bërë progres, por nuk do ta parashikojë kur do të ndodhë... jemi afruar shpesh dhe nuk akoma nuk e kemi kaluar vijën e finishit”.

Edhe pse ka pasur disa raunde negociata gjatë vitit të fundit, Hamasi ka insistuar se çdo marrëveshje duhet ta përfshijë përfundimin e luftës, ndërsa Izraeli ka thënë se lufta do të përfundojë kur Hamasi nuk udhëheq më Gazën e as nuk paraqet kërcënim për Izraelin.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, ka thënë të dielën se ka disa tregues për përparim drejt marrëveshjes së pengjeve, por se kushtet e Izraelit për t’i dhënë fund luftës nuk kanë ndryshuar.

“Ne do ta dimë në ditët në vazhdim. Nga perspektiva jonë, qeveria e Izraelit, ka dëshirë për zhvillim drejt këtij drejtimi”, ka thënë ai në një konferencë për gazetën izraelite Hayom.