Kalimi kufitar i Rafahut, i rëndësishëm për dërgesat e ndihmave në Gaza nga Egjipti, nuk mund të funksionojë përsëri nëse Izraeli nuk heq dorë nga kontrolli dhe ua dorëzon atë palestinezëve në anën e Gazës, ka thënë të hënën ministri i Jashtëm egjiptian, Sameh Shoukry.
Muajin e kaluar, Izraeli ka marrë nën kontroll tërësisht kufirin tokësor të Gazës, përfshirë edhe kufirin me Egjiptin, gjatë një ofensive kundër Hamasit në qytetin e Rafahut, raporton Reuters.
Pikëkalimi nënkupton po ashtu të vetmen linjë lidhjeje me botën e jashtme për 2,3 milionë banorë që ndodhen në territorin e rrethuar nga Izraeli.
"Është e vështirë për kalimin e Rafahut të vazhdojë të funksionojë pa një administratë palestineze”, ka thënë Shoukry të hënën në një konferencë shtypi me homologun e tij spanjoll në Madrid.
Shoukry ka shtuar se traktati i paqes egjiptio-izraelit i vitit 1979 mbeti "një bazë solide për sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe të gjithë duhet të marrin parasysh dhe të marrin masa me përgjegjësi për të ruajtur këtë traktat të rëndësishëm".
Komentet e tij erdhën në mes të tensioneve në rritje pas vdekjes së një ushtari egjiptian javën e kaluar në një shkëmbim zjarri me forcat izraelite, për të cilët burimet egjiptiane të sigurisë kanë thënë se kaluan vijën kufitare ndërsa po ndiqnin për të vrarë disa palestinezë.
Dy burime egjiptiane të sigurisë kanë thënë se një takim të dielën me zyrtarë amerikanë, egjiptianë dhe izraelitë dha shenja pozitive pavarësisht se nuk kishte asnjë marrëveshje për rihapjen e kalimit.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka thënë të dielën se forcat izraelite po kërkonin të shkatërronin tunelet midis Gazës dhe Egjiptit të përdorura nga Hamasi për të kontrabanduar armë, ose ndoshta si një mjet për t'i shpëtuar luftës. Mirëpo, Egjipti e ka mohuar ekzistencën e tuneleve të tilla.
Sipas traktatit të tyre të paqes, Egjipti dhe Izraeli kanë bashkëpunuar ngushtë për çështjet e sigurisë rreth kufijve midis Izraelit, Gadishullit Sinai të Egjiptit dhe Gazës. Ata së bashku mbështetën një bllokadë të Gazës pasi Hamasi mori kontrollin e territorit në vitin 2007.
Shoukry gjithashtu ka bërë thirrje që Hamasi dhe Izraeli të pranojnë propozimin aktual për një armëpushim në Gaza të paraqitur nga presidenti i SHBA-së Joe Biden, duke thënë se komentet fillestare të Hamasit ishin pozitive.
“Tani presim përgjigjen izraelite”, ka thënë Shoukry.