Egjipti ka njoftuar se është duke punuar në një “vizion gjithëpërfshirës” për rindërtimin e Rripit të Gazës të shkatërruar nga lufta që u garanton palestinezëve të drejtën për të qëndruar në tokën e tyre, ndryshe nga propozimi i shtyrë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, raporton “BBC”.
Ministria e Jashtme e Egjiptit ka njoftuar se po shpreson të bashkëpunojë me administratën e Trumpit për të arritur “një marrëveshje të drejtë për kauzën palestineze”.
“Në këtë kontekst, Egjipti afirmon qëllimin e tij për të prezantuar një vizon gjithëpërfshirës për rindërtimin e Rripit të Gazës, në atë mënyrë që i siguron popullit palestinez qëndrimin në tokën e tyre, dhe në linjë me të drejtat legjitime dhe ligjore të popullit të saj”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.
Nuk dihet se kur do të prezantoj Egjipti planin alternativ për Gazën.
Kajro ka organizuar samit urgjent të vendeve arabe, i cili pritet të mbahet më 27 shkurt, për të diskuar zhvillimet serioze për palestinezët, derisa princi i kurorës së Arabisë Saudite Mohammed bin Salman ka ftuar liderët arab në Riad pa një datë specifike.
Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi, ka pranuar ofertë të hapur nga Trumpi për të vizituar Shtëpinë e Bardhë gjatë një bisede telefonike më herët gjatë këtij muaji. Gjithsesi, burimet e sigurisë në Egjipt kanë thënë për “Reuters” se Sisi nuk do të udhëtonte për në Washington nëse agjenda përfshinë planin e Trumpit.
Pyetjes se nëse do të zhvendoste palestinezët me forcë nga Gaza, Trumpi iu përgjigj se “ata të gjithë do të duan të largohen”. Gjatë intervistës po ashtu ai shtoi se palestinezët e Gazës nuk do të kenë të drejtë të kthehen se ai ishte “duke folur për të ju ndërtuar atyre një vend të përhershëm”.
Kjo erdhi pas takimi të Trumpit me mbretin e Jordanisë, Abdullah, të martën, ku ai insistoi në planin e tij që SHBA-ja të marrë nën kontroll Gazën dhe të zhvendosë në mënyrë të përhershme dy milionë palestinezët që jetojnë aty për në Jordani, Egjipt dhe vende të tjera.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se çdo zhvendosje me forcë e popullatës së territorit do të ishte e jashtëligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare dhe “e barabartë me pastrim etnik”.
Kjo erdhi si pasojë e rritjes së shqetësimit se luftimet në Gaza mund të rifillojnë, pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu paralajmëroj Hamasin se do të ndalonte armëpushimin nëse grupi i armatosur palestinez “nuk i kthen pengjet e tona deri të shtunën”.
Ultimatumi erdhi pasi Hamasi njoftoi se po shtynte lirimin e pengjeve deri në njoftimin e radhës, pasi sipas tyre Izraeli ka thyer kushtet e armëpushimit.
Gjatë takimit me mbretin Jordanez në Shtëpinë e Bardhë të martën, Trump deklaroi se ka pasur “progres të madh” në propozimin e tij për të kontrolluar Gazën.
“Me Shtetet e Bashkuara në kontroll të asaj pjese të tokës ... ju do të keni stabilitet për herë të parë në Lindjen e Mesme, dhe palestinezët ose njerëzit që jetojnë tani në Gaza, do të jetojnë bukur në një vend tjetër”, deklaroi Trumpi.
Ndërsa mbreti Abdullah deklaroi se “duhet të kujtojmë se është një plan nga Egjipti dhe vendet e tjera arabe”.
Më vonë në llogarinë e tij sociale në X, mbreti Abdullah shtoi për “rikthimin në pozicionin e palëkundur të Jordanisë kundër zhvendosjes së palestinezëve në Gaza dhe Bregun Perëndimor, dhe se ky është pozicion i përbashkët arab”.
Para takimit Trumpi kishte deklaruar se do të mund të ndalojë ndihmat për Jordaninë dhe Egjiptin nëse ato refuzojnë të bashkëpunojnë me planin e tij dhe të marrin popullin e Gazës.