Turizmi në Kroaci ka pësuar rënie këtë vit. Madje edhe turistët që erdhën në Kroaci, shpenzuan më pak, sepse e kuptuan “se po rripeshin nga çmimet”, shkruan “Jutarnji.hr”.
Shifrat e para jozyrtare për muajin korrik tregojnë se në Kroaci janë regjistruar rreth 5 për qind më pak turistë të huaj, e këtu shtuar faktin se pothuajse dhjetë për qind më pak turistë nga Gjermania janë regjistruar, e ku dihet se gjermanët janë shumë të rëndësishëm për turizmin kroat.
Kjo është shqetësuese për punonjësit e turizmit në Kroaci.
Në të njëjtën kohë nga Dhoma Kroate e Tregtisë është njoftuar për rënie të shifrave në ambientet e hotelierisë në Adriatik.
Shifrat në bregdet janë dukshëm më të ulëta se mesatarja kroate e gjithashtu kjo nënkupton se mysafirët besnikë të bregdetit kroat po largohen.
Nga sektori i turizmit në Kroaci janë të kujdesshëm me deklarata.
“Nuk është aq e tmerrshme, disa për qind lart apo poshtë, gjithsesi duhet të kemi parasysh se çfarë po ndodh me tregun gjerman, që është vështirë të kompensohet”, ka thënë një nga punonjësit në sektorin e turizmit në Kroaci.
Një sipërmarrës i turizmit në Istria, Jasmin Shabiq, ka thënë se bazuar në përvojën, analizat dhe bisedat e shumta me turistët, arrin në përfundim se lakmia po u kthehet kroatëve si bumerang. Ai thotë se fajtorët më të mëdhenj janë hotelierët e shitësit.
“Kam dy shtëpi me qira që kanë vlerë të lartë dhe nuk vijnë aty mysafirë që s’kanë mundësi. Por, vitet e kaluara këta mysafirë shkonin në restorante të paktën tri herë në javë, e kësaj here nuk shkojnë fare pasi nuk duan të paguajnë për shërbime të shtrenjta. Ata nuk shkojnë në restorante sepse ndihen të mashtruar. Ata përgatisin diçka në shtëpi”, tha Shabiq. “Kam shumë miq gjermanë dhe flas me ta, por edhe me të ftuarit e mi dhe dëgjoj se nuk janë të sigurt se do të vijnë vitin e ardhshëm nëse do të gjejnë ndonjë vend tjetër me çmime normale. Istria nuk ka qenë i lirë, por ne nuk mund të vendosim veten në situatë ku mysafirët ndihen të mashtruar”.