Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të premten para gazetarëve se nëse Rusia dhe Ukraina e vështirësojnë arritjen e marrëveshjes së paqes, atëherë Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga procesi negociator, raporton The Guardian.
“Nëse për ndonjë arsye njëra nga të dyja palët e bën të vështirë vazhdimin e procesit... atëherë ne thjesht do të tërhiqemi dhe nuk do të marrim pjesë. Shpresojmë se nuk do të duhet ta bëjmë këtë”, ka thënë Trumpi.
Ai ka shtuar se beson që ka “gjasa të mira” për të “zgjidhur problemin”.
Më tutje, Trump ka këmbëngulur se nevojitet entuziazëm nga të dyja palët për t’i dhënë fund luftës.
“Besoj se po e shoh atë entuziazëm. Besoj se po e shoh nga të dyja palët”, ka vazhduar ai.
Më herët gjatë ditës së sotme, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se SHBA-ja mund të tërhiqet nga negociatat Ukrainë – Rusi nëse nuk ka progres të shpejtë.