Në Slloveni në disa qendra tregtare dhe supermarkete janë duke u bojkotuar blerjet dhe ky bojkot do të zgjasë deri më 2 shkurt, pasi qytetarët janë ftuar të vazhdojnë bojkotin e rrjeteve tjera tregtare nga 3 shkurti deri më 9 shkurt.
Bojkoti shumëditor i blerjeve në Slloveni pasoi bojkotin e së premtes të kroatëve në Kroaci, kur për vetëm një ditë abstenimi nga blerjet shkaktoi pothuajse 50 për qind më pak qarkullim.
“Bojkotet janë shprehje legjitime dhe e zëshme e pakënaqësisë. Një bojkot i blerjeve mund të dërgojë mesazh të fortë për shitësit për rëndësinë e përballueshmërisë dhe çmimeve të drejta”, është thënë nga Shoqata e Konsumatorëve të Sllovenisë.
Sipas të dhënave nga Zyra e Statistikave e Sllovenisë, ushqimet tani kushtojnë mesatarisht 44 për qind më shumë se dhjetë vjet më parë. Rritja e çmimeve është ngadalësuar disi në vitin e fundit.
Por, përkundër ngadalësimit të rritjes së çmimeve, në vitin e fundit çmimi i vajit të ullirit u rrit për gati një të pestën, gjalpi me më pak se 17 për qind, mishi me tre deri gjashtë për qind dhe buka me dy për qind, raportoi Danas.
Ndërsa bizneset këmbëngulin për çmimet, një bojkot i ri po përgatitet në Kroaci të premten, dhe thirrje të ngjashme janë shfaqur edhe në Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi.