Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka propozuar reduktimin e stafit dhe veprimeve, derisa do të tkurrë buxhetin për 21% pas ndikimit nga ndalesa e donacionit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”, sipas një dokumenti të brendshëm.
Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, është larguar nga OBSH-ja kur Trump mori detyrën në janar, nën arsyetimet se agjencia ka keqmenaxhuar pandeminë Covid-19 dhe krizat e tjera shëndetësore ndërkombëtare. SHBA-ja ka qenë për shumë kohë donatori më i madh financiar i OBSH-së, duke kontribuar rreth 18% të të gjithë donacioneve.
“Njoftimi i SHBA-së, bashkë me reduktimet e fundit në asistencën zyrtare për zhvillim nga disa vende për të financuar rritjet në shpenzimet për mbrojtje, e ka bërë situatën tonë shumë më akute”, shkruhej në një dokument të OBSH-së të nënshkruar nga drejtori i përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Largimi i SHBA-së e ka përkeqësuar një krizë financimi pasi vendet anëtare kanë reduktuar shpenzimet në zhvillim. E përballur me një mungesë të ardhurash prej afër 600 milionë dollarë këtë vit, OBSH-ja ka propozuar të tkurrë buxhetin për vitet 2026-27 për 21% nga 5.3 miliardë dollarë në 4.2 miliardë dollarë, sipas dokumentit.
Në shkurt, bordi ekzekutiv i OBSH-së në fillim ka reduktuar buxhetin e propozuar për 2026-27 nga 5.3 miliardë dollarë në 4.9 miliardë dollarë.
“Pavarësisht përpjekjeve tona, tani jemi në një pikë ku nuk kemi zgjidhje veç se të reduktojmë madhësinë e punës sonë dhe forcën punëtore”, shkruhej në dokument.
OBSH-ja do të reduktoj stafin në nivelin e lartë të udhëheqësisë në selinë e saj në Gjenevë, Zvicër, edhe pse të gjitha nivelet dhe rajonet do të ndikohen, sipas dokumentit. Më shumë se çereku i stafit prej 9,473 punëtorëve është në Gjenevë.
Sipas një dokumenti tjetër të brendshëm, nga 10 marsi OBSH-ja ka njoftuar një limit njëvjeçar në kontratat e stafit. Aty thuhet se stafi po punon të sigurojë financime shtesë nga vende, donatorë privatë dhe filantropë.