Botë

Edhe një rajon tjetër rus shpall gjendje të jashtëzakonshme pas sulmit të forcave ukrainase

Tank ukrainas / Foto: Reuters

Rajoni kufitar rus i Belgorodit ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme pas sulmeve nga forcat ukrainase, raportoi të mërkurën BBC-ja.

Guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, ka thënë se situata është jashtëzakonisht e vështirë për shkak të bombardimeve të përditshme në rajon. 

"Shtëpitë janë shkatërruar, ka civilë të vdekur dhe të plagosur”, ka thënë ai. 

Gjendja e jashtëzakonshme u shpall pas sulmit të papritur ndërkufitar të Ukrainës në rajonin Kursk të Rusisë javën e kaluar, duke çuar në evakuime masive dhe një gjendje të jashtëzakonshme të shpallur atje nga presidenti rus Vladimir Putin.

Në një video në Telegram, guvernatori Gladkov tha se do t'i bëjë thirrje qeverisë që të shpallë emergjencë "në nivel federal" si në Kursk.

Ai ka njoftuar se ka pasur rreth 23 sulme me dronë gjatë 24 orëve të fundit në Belgorod. 

Belgorod shtrihet në jug të rajonit të Kurskut, vendndodhja e inkursionit më të thellë të Ukrainës në Rusi që kur Moska filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë më 2022.