Italia akuzohet se ka liruar zyrtarët libianë të kërkuar me urdhërarreste ndërkombëtare, në këmbim të kufizimit të fluksit të emigrantëve. Një prej të liruarve është shefi i Policisë Gjyqësore të Libisë, Osama “Al Masri” Njeem, ndaj të cilit kishte urdhërarrest të Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Qeveria italiane lirimin e tij e arsyetoi me “pasaktësi” në urdhër. Al Jazeera ka folur me dy persona që mbaheshin në burgjet e mbikëqyrura nga Njeem dhe ata kanë folur për mizoritë që kanë thënë se i kanë parë.
Shefi i Policisë Gjyqësore të Libisë, Osama “Al Masri” Njeem, u kthye në Libi me një aeroplan të qeverisë italiane pas arrestimit të tij në Itali më 19 janar, me një urdhër të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC).
Lirimi i tij dy ditë më vonë ishte për atë që qeveria italiane tani thotë se ishin “pasaktësi” në urdhër.
Njeem akuzohet nga GJNP-ja për krime të kryera në rolin e tij duke mbikëqyrur degën në Tripoli të Institucionit të Reformës dhe Rehabilitimit, një rrjet qendrash paraburgimi të drejtuar nga Forca e Mbrojtjes Speciale (SDF) e mbështetur nga qeveria.
Amnesty International e identifikon Njeem si një “anëtar të njohur dhe aktiv të milicisë së Tripolit, e quajtur Aparati i Parandalimit të Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar (DACTO)”. Kjo milici është një nga grupet me të cilat qeveria e Tripolit, e njohur ndërkombëtarisht, punon dhe mbështetet për të pasur kontroll mbi zonat perëndimore të Libisë, të cilat ajo i kontrollon në mënyrë formale.
Grupi i të drejtave të njeriut “ka dokumentuar prej kohësh shkelje të tmerrshme të kryera, me pandëshkueshmëri totale në burgun Mitiga në Tripoli, nën kontrollin e DACTO-s”, dhe thotë se “nuk ka asnjë perspektivë për përgjegjësi të brendshme në Libi, të komandantëve të fuqishëm të milicive”.
Al Jazeera ka folur me dy persona që mbaheshin në burgjet e mbikëqyrura nga Njeem dhe ata kanë folur për mizoritë që kanë thënë se i kanë parë.
“E pashë duke kryer krime lufte. E pashë të vriste njerëz”, tha David Yambio, drejtues i OJQ-së Refugjatët në Libi.
Akuzat ndaj Njeemit janë të shumta, duke filluar nga vrasja te tortura dhe trafikimi i njerëzve.
Lirimi i tij është dënuar si “çmenduri” nga grupet e të drejtave dhe si “hipokrit” nga figurat kryesore politike brenda Italisë. Menjëherë pasi Njeem u kthye në Libi, Ministri i Brendshëm italian Matteo Piantedosi i tha senatit italian se ai ishte liruar, në vend që t’u dorëzohej prokurorëve nga GJPN-ja, “duke pasur parasysh rrezikun që ai paraqiste për shoqërinë italiane”. Pas më shumë se një jave, ministri i Drejtësisë njoftoi se lirimi kishte qenë një teknikë ligjore.
Njeem thuhet nga GJNP-ja se kontrollon disa objekte burgu në Tripoli, duke përfshirë atë në Mitiga, Ain Zara dhe al-Jadida, “ku mijëra persona u burgosën për periudha të gjata”.
Sipas GJNP-së, Njeem “dyshohet për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, duke përfshirë vrasje, torturë, përdhunim dhe dhunë seksuale, të dyshuara të kryera në Libi nga shkurti i vitit 2015 e tutje”.

Çmimi që paguajnë njerëzit
Yambio, tani 27 vjeç, mbërriti në Libinë jugore në dhjetor të vitit 2018 pas një udhëtimi të gjatë nga vendlindja e tij, Sudani Jugor – ku ishte detyruar të luftonte si fëmijë ushtar – përmes Afrikës dhe përfundimisht në Libi.
Yambio, së bashku me dhjetëra njerëz të tjerë, po përpiqej të ikte për në Evropë në nëntor të vitit 2019, kur u kap nga roja bregdetare libiane – e financuar kryesisht nga qeveria italiane – dhe u fut në një objekt paraburgimi në Triq al-Sika.
Yambio thotë se ai ishte “shitur” në një rrjet burgjesh të operuar nga Njeem dhe Policia Gjyqësore në dhjetor të 2019-ës. Ishte mbajtur fillimisht në një objekt në al-Jadida në Tripoli.
Yambio përshkroi kushte të tmerrshme në al-Jadida, duke përfshirë rrahjet dhe keqtrajtimet, duke shtuar se ai u fut në një ushtri skllevërish të burgosur dhe u detyrua të punonte në kantieret e ndërtimit.
Por më e keqja nga të gjitha ishte kur Njeem ishte atje, tha ai, duke shtuar se të gjithë në al-Jadida e dinin se kush ishte Njeem.
“Çdo dy ditë na rreshtonin, mijëra persona dhe, kur ai na vizitonte, al-Masri kalonte në linjë, duke zgjedhur njerëz për të rrahur, ose me një shkop metalik ose me dorezën e pistoletës së tij. Ndonjëherë hynte në qelitë ku flinin njerëzit dhe i rrihte me një shkop metalik ose plastik”.

“E pashë të vriste njerëz”
Në mars të 2020-s, muaj pas një sulmi ndaj Tripolit dhe qeverisë perëndimore nga komandanti renegat Khalifa Haftar, Yambio u transferua në burgun e kombinuar, bazë ushtarake dhe aeroport, në Mitiga, afër Tripolit.
Abuzimi i kryer në Mitiga është raportuar nga grupet e të drejtave të njeriut, duke përfshirë Amnesty, e cila përshkroi “shkeljet e tmerrshme të kryera me pandëshkueshmëri totale në burgun e Mitigës”, të tilla si “tortura dhe keqtrajtime të tjera, vrasje, zhdukje me forcë dhe krime të tjera”.
“Kushtet ishin fort të këqija”, ka treguar 33-vjeçari Lam Magok, gjithashtu nga Sudani i Jugut, për Al Jazeeran, tek fliste për kohën e tij së bashku me Yambio në al-Jadida dhe Mitiga.
Të dy ishin takuar në al-Jadida, në të njëjtin repart burgu dhe të lidhur nga fati i tyre i keq.
“Ne rrinim zgjuar natën duke folur”, kujtoi Yambio, “duke kujtuar shtëpinë tonë dhe vendin që na kishte braktisur”.
Në mars, Yambio u zgjodh me disa të tjerë për t’u transferuar në Mitiga për të luftuar në një nga grupet luftarake të Njeemit.
Magok, duke mos e kuptuar se do t’i bashkohej përfundimisht në prill, i shkroi Yambios në dorë, numrat e një aktivisti dhe një gazetari, me detaje të statusit të tij të azilit ligjor, dhe kontaktin e xhaxhait të tij me një lutje që, nëse do t’i jepej ndonjëherë rasti, Yambio të paktën të përpiqej t’i tregonte familjes së tij se Magok ishte gjallë.
“Nëse do Zoti e i gjen ata, thuaju që jam gjallë”, këto ishin fjalët e shokut të tij, kujton Yambio.
Ani pse Magok u kursye nga luftimet, kushtet për të në Mitiga nuk ishin më pak të rënda.
“Çdo të dytën ditë, ata na thërrisnin për t’u numëruar”, tha ai. Buzëqeshja në zërin e tij ishte në kundërshtim me brutalitetin që kujtonte. “Ata do të na bënin të gjunjëzoheshim dhe më pas do të na rrihnin ... Nëse bëni diçka që nuk u pëlqente, do t'ju merrnin, do t'ju mbyllnin në një dhomë dhe do t'ju torturonin. Vrasjet nuk ishin gjë e panjohur”, shton ai.
“U mbajtëm me libianë dhe emigrantë të huaj, por gjithmonë ishin emigrantët ata që dërgoheshin për të pastruar dhomat. Atyre u thuhej ta vendosnin trupin në një qese dhe ta çonin në ambulancë. Ishte tmerr”.
Magok u detyrua të punonte, të ngarkonte municione në automjete, ndërsa Yambio thotë se ai dërgohej çdo ditë në vijën e frontit aty pranë, ku u detyrua të luftonte së bashku me emigrantët e tjerë, grupet libiane dhe forcat turke dhe siriane për të zmbrapsur forcat e Haftarit.
“Ishim përdorur për të mbajtur municione si dhe për të gjuajtur topa. Ende kam atë tringëllimë në veshë. Kushtet ishin vërtet të këqija. Kishte të burgosur, libianë dhe emigrantë që detyroheshin të futeshin në gropa në tokë”, tha ai, duke përshkruar qelitë nëntokësore në Mitiga, ku era e të sëmurëve dhe të vdekurve i ngjitej dhe e ndiqte gjatë gjithë ditës.
“Ne i pamë duke i shoqëruar në dhomat e marrjes në pyetje, ku do t’i rrihnin, do t’u bënin elektroshok, do t’u prisnin gishtat ose do t’i futnin me forcë në fuçi me ujë”, tregoi ai për metodat që po përdoreshin kundër të burgosurve libianë dhe emigrantëve në Mitiga.
“Al-Masri ishte një person brutal. Kur njerëzit e dinin se ai po vinte, ata i kapte paniku. Ndonjëherë pyesja veten nëse ai ishte i droguar, por nuk ishte. Ai ishte thjesht i keq”.
“Unë e pashë atë të vriste njerëz”, shtoi Yambio prerë. “Një herë, dy persona u përpoqën të arratiseshin. Al-Masri na bëri të rreshtoheshim teksa gjuajti një. E kisha gjakun në trup. Një herë tjetër, dikush u kishte dhënë njerëzve që punonin me obusin koordinatat e gabuara të dronëve. Al-Masri e vrau”.
“Ishte i tmerrshëm dhe mizor, përtej çdo imagjinate”.
Rrëfimi i Yambios mbështetet nga raporte të tjera nga të burgosurit, njëri prej të cilëve i tha televizionit shtetëror italian në janar se ai kishte parë Njeemin duke vrarë të burgosurit “për t’ua futur tmerrin njerëzve brenda. Ai vret disa njerëz brenda. Edhe duke përdorur duart. Unë e pashë këtë, - pohoi ai, - “më shumë se një herë”.
Dy të rinj, tha burri, u vranë në këtë mënyrë para tij nga Njeemi.
Al Jazeera kontaktoi Ministrinë e Drejtësisë të Libisë dhe Policinë e saj Gjyqësore për komente mbi pikat e ngritura në këtë artikull dhe akuzat kundër Njeemit. Asnjëri nuk është përgjigjur deri në kohën e publikimit.
Lirimi i Njeemit nxiti zemërim në të gjithë Italinë. Ish-kryeministri Matteo Renzi u tha senatorëve: “Kryeministrja tha se dëshiron të synojë trafikantët në të gjithë botën. Dje ajo kishte një prej tyre… dhe ju e liruat dhe e kthyet në Tripoli me një aeroplan qeveritar”.
“A jam i vetmi që mendoj se kjo është çmenduri apo kjo është sjellje e një qeverie hipokrite dhe të pahijshme?”
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni më vonë zbuloi se ajo është nën hetim gjyqësor për rolin e saj në lirimin e Njeemit.
“Ajo që ishte e vërtetë dje është e vërtetë edhe sot: nuk mund të shantazhohem dhe nuk do të frikësohem. Le të ecim përpara me kokën lart!”, shkroi Meloni në Twitter.
“Është skandaloze që autoritetet italiane shpërfillën plotësisht një urdhër të GJNP-së për të vendosur për lirimin e Osama el-Masry-t”, tha për Al Jazeeran, Bassam Khawaja, zëvendësdrejtor për Lindje të Mesme dhe Afrikë të Veriut në Human Rights Watch.
Ai vuri në dukje shembuj të tjerë të Italisë që shkel normat ndërkombëtare, si njoftimi i saj se nuk do të zbatonte një urdhër të GJNP-së për arrestimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili kërkohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Njeem është libiani i dytë i akuzuar për krime që lirohet nga autoritetet italiane brenda gjashtë muajve.
Në gusht të vitit të kaluar, djali i Khalifa Haftar, Saddam – i cili u takua me diplomatë të lartë italianë për të diskutuar sigurinë, bashkëpunimin ekonomik dhe migracionin të paktën katër herë vitin e kaluar – u arrestua shkurtimisht nga autoritetet kufitare italiane, të cilët e morën në pyetje në lidhje me një urdhërarrest të lëshuar nga Spanja për akuza për kontrabandë armësh.
Të dy Haftarët janë përballur me akuza nga media dhe grupe të të drejtave të njeriut, përfshirë Amnesty, për përfshirje në rrëmbimin, torturën, trafikimin dhe zhvatjen e emigrantëve.
Një hetim i gushtit 2023 nga Al Jazeera dhe partnerët tregoi se Brigada Tariq Ben Zeyad, e udhëhequr nga Saddam Haftar që nga shfaqja e saj në vitin 2016, ishte e lidhur me “një katalog tmerresh duke përfshirë vrasje të paligjshme, tortura, zhdukje me forcë, përdhunime dhe zhvendosje të detyruara”.
Krahas tërheqjeve të brigadës dhe shfrytëzimit të mëvonshëm të njerëzve që kërkonin strehim në Evropë, Al Jazeera dokumentoi një seri takimesh të nivelit të lartë midis regjimit të Haftarit në Libinë lindore dhe liderëve evropianë, përfshirë Italinë, që synonin të kufizonin numrin e emigrantëve që përpiqeshin të arrinin sigurinë.
Obsesioni i Italisë me migracionin
“Migrimi ka qenë një çështje e madhe në Itali për vite me radhë”, tha për Al Jazeeran Hamza Meddeb nga qendra Carnegie, i cili ka shkruar gjerësisht mbi këtë temë.
“Meloni e ka luajtur shumë mirë këtë kartë. Ajo e ka përdorur pozicionin e saj për t'i dhënë legjitimitet milicive dhe qeverive në Libi, si dhe atë të presidentit, Kais Saied të Tunizisë – i cili përndryshe do të shmangej plotësisht nga Perëndimi – pa u kërkuar atyre ndryshime apo reforma”, tha ai. Fqinji i Libisë është gjithashtu një pikënisje kyç për migrimin e parregullt.
Në zgjedhjet e vitit 2022 - në sfondin e rreth 105.000 ardhjeve të parregullta atë vit - Meloni dhe partia e saj e djathtë Vëllezërit e Italisë bënë fushatë për migracionin pa dokumente, duke premtuar se do të jepnin një “zgjidhje” që politikanë të panumërt para tyre nuk e kishin pasur.
Meloni përdori fjalimin e saj inaugurues për të shpallur ringjalljen e Planit Mattei, i sugjeruar për herë të parë nga drejtuesi i kompanisë kombëtare të energjisë elektrike në vitet 1950.
Mattei do ta shihte Italinë si partnere me shtetet afrikane për zhvillimin e energjisë në këmbim të ndihmës së tyre për të frenuar migracionin.
Meloni nuk është udhëheqësja e parë italiane e akuzuar se ka injoruar akuzat e besueshme për abuzim nga organizatat partnere në vendosmërinë e saj për të ndaluar me çdo kusht azilkërkuesit të arrijnë në Itali.
Italia kontribuon me shuma të pazbuluara për të mbështetur Rojet Bregdetare të Libisë, e cila akuzohet vazhdimisht për abuzime të të drejtave të njeriut, si dhe objektet ku mbahen emigrantët e parregullt.
“Nuk ka asnjë mënyrë që qeveria italiane të thotë se nuk di për vrasjen, abuzimin dhe terrorizmin që po mbështet”, tha Yambio.
“Unë them terror qëllimisht, sepse kjo është ajo që është. Është terror ndaj emigrantëve”.
Yambio u arratis nga Mitiga në prill të vitit 2020, duke shkuar në Itali ku iu dha azil. Magok u arratis në Itali në dhjetor të po atij viti.
Të dy tani punojnë për të bërë fushatë për të drejtat e refugjatëve dhe emigrantëve të parregullt.