Prokurorët në Rumani thonë se Tate dhe vëllai i tij, Tristan, të dy ish-kikboksierë me nënshtetësi amerikane dhe britanike, joshën shtatë gra me premtime për romancë, i detyruan të kryenin akte seksuale për OnlyFans dhe më pas futën fitimet në xhepat e tyre. Dhe, sipas prokurorëve, pas Tate-s kanë lindur edhe të tjerë kopjues rumunë të modelit të tij.
(Ky rrëfim përmban gjuhë të papërshtatshme dhe përshkruan abuzime seksuale)
Pjesa e parë:
Andrew Tate, fenomen i mediave sociale dhe i vetëshpallur mizogjen, fitoi vëmendjen ndërkombëtare pasi u implikua në një skemë të trafikimit seksual ku dyshohet se përdorte OnlyFans për të fituar para.
Prokurorët në Rumani thonë se Tate dhe vëllai i tij, Tristan, të dy ish-kikboksierë me nënshtetësi amerikane dhe britanike, joshën shtatë gra me premtime për romancë, i detyruan të kryenin akte seksuale për OnlyFans dhe më pas futën fitimet në xhepat e tyre.
Vëllezërit u akuzuan në qershor të 2023-s për trafikim njerëzor dhe formim të një bande për shfrytëzim seksual të grave; Andrew Tate u akuzua gjithashtu për përdhunim. Ata mohojnë akuzat dhe presin gjyqin në Bukuresht. Në nëntor, një gjykatë apeli urdhëroi që disa prova të hiqen nga çështja për shkak të gabimeve ligjore.
Andrew Tate është ende nën arrest shtëpiak në pritje të një hetimi të dytë për trafikimin e qenieve njerëzore, për të cilin prokurorët thonë se ai përdori gjithashtu OnlyFans. Për atë hetim, asnjë akuzë nuk është ngritur ende. Avokati i Tate-s nuk ka qenë i qasshëm për të dhënë ndonjë koment.
Këto raste të profilit të lartë kanë nënvizuar shqetësimet midis grupeve të sigurisë në lidhje me potencialin e shfrytëzimit të grave në OnlyFans. Dhe, sipas prokurorëve, pas Tate-s kanë lindur edhe të tjerë kopjues rumunë të modelit të tij.
Në qershor të 2023-ës, Vlad Obuzic dhe tre burra të tjerë u arrestuan, në atë që Njësia e Ndjekjes Penale Kundër Krimit të Organizuar të Rumanisë, ose DIICOT, i tha Reuters-it se ishte “një kopje e modelit Tate”.
Prokurorët thanë se burrat përdorën, njësoj, premtime të rreme romantike, kërcënime dhe dhunë për t’i detyruar gratë që të krijojnë përmbajtje pornografike për një platformë për të rritur, të cilën burimi i DIICOT-it e identifikoi si OnlyFans. Disa gra u detyruan të bënin tatuazh emrat ose fytyrat e të dyshuarve në trupat e tyre, ose fjalët e tilla si “lodër” ose “qen”, bazuar në një dosje që përmbledh akuzat.
“Viktimat u sollën gradualisht në një pozicion inferioriteti, varësie mendore dhe bindjeje”, thuhej në dosjen, e cila përshkruante aftësinë e Obuzic-it për të “identifikuar njerëzit e ndjeshëm dhe për të shfrytëzuar nevojën e tyre për dashuri, besim dhe stabilitet”.
Obuzic e ka përshkruar Tate-n në videot në internet si mentor dhe “mik shumë të mirë”.
Prokurorët thanë se operacioni 18-mujor i Obuzic-it filloi në vitin 2021 dhe përfshinte shtatë gra. Ata thanë se ai dhe “ushtarët” e tij fituan ekuivalentin e 2.6 milionë dollarëve nga postimi i përmbajtjes së grave në OnlyFans dhe “mbajtën pothuajse të gjitha paratë”.
Burrat u paditën në tetor të 2023-ës me akuzat për trafikim të qenieve njerëzore dhe formim të një grupi të krimit të organizuar. Ata i kanë mohuar akuzat. Gjyqi i tyre është në pritje. “Prokurorët duhet të vërtetojnë akuzat”, tha Dumitru Badragan, avokati i Obuzic-it. Reuters nuk ka arritur të kontaktojë me avokatët e të bashkëpandehurve të tij.
Prokurorët besojnë se Tate dhe Obuzici bënë milionat duke shfrytëzuar dhjetëra gra. Operacionet e dyshuara të trafikimit, të identifikuara nga Reuters-i në SHBA, përfshijnë më pak viktima dhe më pak para. Por ato tregojnë se si OnlyFans u ka ofruar njerëzve rrugë të reja drejt trafikimit, sipas prokurorëve, duke i lejuar burrat dhe gratë të fshehin abuzimin seksual teksa përfitojnë prej tij.
Mst: “Ai mbante armë në çdo dhomë”
Gruaja e re nga Wisconsin njohu për herë të parë të dashurin e saj në internet në gusht të vitit 2020 dhe ajo u zhvendos të jetonte me të shumë shpejt. Ajo mendoi se ata ishin të dashuruar. Austin Koeckeritz e trajtoi mirë. Ai e dërgoi atë në muze dhe i premtoi se do të udhëtonin së bashku në tërë botën.
Pas pak kohësh, Koeckeritz e izoloi atë nga familja dhe miqtë e saj, tregojnë të dhënat e policisë dhe gjykatës. Kur gjyshja i vdiq, ai e ndaloi të merrte pjesë në varrim.
Më pas ai u bë i dhunshëm.
“Ai më godiste me shkelm” ose “më shtrëngonte që të mos mund të merrja frymë”, duke e bërë atë që të humbiste vetëdijen në disa raste, thuhet në deklaratat e saj, të regjistruara në procesverbalet gjyqësore. Kur ajo i thoshte të ndalonte, ai qeshte. Ai e përdhunoi vazhdimisht, dëshmoi ajo.
Në janar të 2021-ës, Koeckeritz filloi ta detyronte gruan që të kryente akte seksuale në internet, në mënyrë që ata të mund “të pensionoheshin shumë, shumë herët”.
Ajo i tha një hetuesi se prodhonte përmbajtje seksuale për OnlyFans dhe platforma të tjera duke përfshirë Chaturbate dhe MyFreeCams, të cilat u themeluan nga pronari i OnlyFans, Leonid Radvinsky.
Një zëdhënës i Chaturbate tha se kompania bashkëpunoi me organet ligjzbatuese në këtë rast dhe e quajti sjelljen e autorit si “absolutisht të neveritshme”. Radvinsky dhe MyFreeCams nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
E monitoruar nga Koeckeritz, gruaja punonte 60 orë në javë, sipas të dhënave të gjykatës. Kur ajo ishte e sëmurë dhe donte të pushonte, ai nuk e lejonte. Kur ajo donte ta përfundonte punën herët, ai kërkonte seks oral.
Sipas të dhënave financiare të paraqitura nga prokurorët në gjykatë, gruaja fitoi më shumë se 422 mijë dollarë nga shitja e përmbajtjes së saj pornografike në OnlyFans dhe faqe të tjera. Koeckeritz i transferonte ato të ardhura në llogaritë bankare që ai kontrollonte, duke i dhënë asaj vetëm 2 mijë dollarë, thanë prokurorët.
Koeckeritz i tha asaj se do t’ia vriste anëtarët e familjes nëse ata përpiqeshin ta shpëtonin, sipas dëshmisë së saj. Ajo kishte frikë se ai do ta vriste edhe atë gjithashtu pasi ai mbante armë në çdo dhomë, shtoi ajo. Një ditë, ai e ndoqi atë me një armë gjahu. “Nëse gjuaj, do ta bëj një vrimë të madhe në trupin tuaj”, i tha ai, duke qeshur në mënyrë histerike, dëshmoi ajo para jurisë së madhe.
“Shoh ende ëndrra për të”, i tha ajo një hetuesi.
Muajt e fundit, rraskapitës, e bënë atë që ta mendojë vetëvrasjen, tha ajo për Reuters-in.
“Trupi im ishte gati që të kërciste”, tha ajo. “Nuk isha e sigurt nëse do të vdisja nga rraskapitja fizike dhe abuzimi i pandërprerë seksual apo nëse do t’u jepja fund të gjithave vetë”.
Pas arratisjes së saj, oficerët kontrolluan shtëpinë. Ata gjetën 14 armë, duke përfshirë një pushkë të mbushur, deri në 20 mijë fishekë, jelekë taktikë dhe lodra që lidhen me akte seksuale.
Në nëntor të vitit 2023, Koeckeritz u deklarua fajtor për akuzat për trafikim seksual, duke çuar në dënimin e tij me 20 vjet burgim. Avokati i tij nuk dha asnjë koment.
Gruaja tha se mbetet e torturuar nga abuzimi që ka duruar.
“Më është thënë madje nga dhunuesi im dhe disa të afërm: ‘Asnjë burrë nuk dëshiron të jetë me një grua që ka qenë pjesë e platformave me përmbajtje pornografike’, tha ajo për Reuters-in. “Fatmirësisht të gjithë e kishin gabim, por në atë kohë, më dukej sikur isha e paaftë të më donin dhe nuk e meritoja dashurinë në radhë të parë”.
Ajo tha se fajëson jo vetëm abuzuesin e saj, por edhe vetë faqet pornografike, duke përfshirë OnlyFans.
“Industria e pornografisë në internet me të vërtetë nxjerr në pah më të keqen te njerëzit edhe në mënyra që unë as që i mendoja si të mundshme”, shtoi ajo.
Mst: E rrahur dhe e droguar
Në disa raste në SHBA, trafikimi shkon përtej shfrytëzimit të brendshëm të një partneri të vetëm dhe përfshin operacione më komplekse me më shumë se një viktimë, sipas pretendimeve në dosjet gjyqësore.
Sipas një padie federale për trafikim seksual, të paraqitur në muajin gusht, pretendohet se Brittanya Razavi, ish-personalitet televiziv dhe aktore e filmave për të rritur, 39-vjeçare, manipuloi dhe detyroi gratë që kishin gjendje të rënduar financiare që të krijonin përmbajtje pornografike për OnlyFans, dhe më pas u vodhi shumicën e fitimeve. Fenix International, kompania mëmë e OnlyFans, përmendet gjithashtu si e pandehur në padi dhe akuzohet se kishte “partneritet biznesi” me Razavi-n, duke “lehtësuar kështu shfrytëzimin” ndaj të dy grave.
Sipas padisë, njëra nga gratë mbeti pa punë gjatë pandemisë së Covid-it. Tjetra ishte emigrante që ishte dëbuar nga shtëpia e saj, ku ishte birësuar si adoleshente.
Razavi “i ndihmoi” të dyja, duke u gjetur atyre vende për të banuar dhe duke bërë “premtime ekstravagante për para që fitohen shpejtë e madje edhe pasuri dhe famë, nëse do të krijonin përmbajtje për OnlyFans nën menaxhimin e saj”, thuhej në padi. Njëra nga gratë e shikonte Razavi-n si “nënë”.
Në padi përfshihen një sërë akuzash për Razavi-n: Ajo përdori dokumentet e identifikimit të grave për të krijuar llogari në OnlyFans, që vetëm ajo mund t’u qasej, më pas i dehte me alkool për t’i detyruar ato që të kryenin akte seksuale para kamerave, ndonjëherë edhe me të tjerët. Pretendohet po ashtu se njëra nga gratë është përdhunuar sa ka qenë e dehur dhe videoja është postuar në internet. Reuters-i nuk mund ta konfirmonte nëse ose ku është shfaqur videoja.
Llogaritë e grave në OnlyFans gjeneruan më shumë se 1.3 milionë dollarë të ardhura, nga të cilat OnlyFans mori pjesën e zakonshme prej 20%, thuhet në padi. Pjesa tjetër u transferua në llogaritë bankare të kontrolluara nga Razavi, e cila u dha grave rreth 10% të pjesës së tyre dhe jo 50% që ajo kishte premtuar, thuhej tutje në padi.
I kontaktuar nga Reuters-i, avokati i Razavit “kategorikisht” i mohoi akuzat dhe nuk pranoi të komentojë më tej. OnlyFans nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi padinë.
Në një tjetër rast, prokurorët thonë se një ish-administratore e shkollës fillore dhe burri i saj drejtonin një rrjet të dhunshëm trafikimi seksual dhe prostitucioni, që përfshinte shumë gra të reja në gjashtë shtete verilindore.

Jonathan Ruiz dhe Charline Santiago jetonin me dy fëmijët e tyre të vegjël në një shtëpi me nivele të ndara në një lagje të Youngstown, Ohio, kur agjentët federalë u paraqitën me urdhërarrest.
“Mos kontrolloni telefonin tim”, u tha Ruiz, 32 vjeç, oficerëve gjatë arrestimit në qershorin e 2022-ës, sipas të dhënave të gjykatës, të paraportuara më parë. “Ju lutemi, kyçeni telefonin tim”, shtoi Santiago, 29 vjeçe.
Pajisjet e tyre telefonike tani janë pjesë e një grumbulli provash të mbledhura nga zyra e prokurorit të qarkut të Manhattan-it në New York. Sipas aktakuzës dhe të dhënave të tjera gjyqësore, Ruiz i detyroi gratë të krijonin përmbajtje pornografike për OnlyFans dhe përdori platformën për të organizuar takime me klientët duke filluar nga fundi i vitit 2020.
OnlyFans thotë se i ndalon përdoruesit që të postojnë përmbajtje që “tregojnë, promovojnë, reklamojnë ose u referohen shërbimeve të shoqërimit, trafikimit seksual ose prostitucionit”.
Ruiz dhe Santiago kaluan nga një shtet në tjetrin për të shmangur zbulimin e tyre, sipas të dhënave të gjykatës. Ruiz dyshohet se i rrihte gratë nëse flinin në punë ose refuzonin t’u bindeshin urdhrave. Ai i drogonte për t’i mbajtur zgjuar, ua ndalonte ushqimin nëse nuk punonin mjaftueshëm dhe ua konfiskoi dokumentet e identifikimit për t’ua pamundësuar ikjen, sipas të dhënave të tjera.
Santiago u deklarua fajtore në nëntor për akuzat për tentativë për trafikim seksual dhe promovim të prostitucionit. Për shkak të pranimit të fajit, ajo do të dënohet me kusht dhe do të urdhërohet që të mos ketë kontakt me askënd të përfshirë në këtë çështje dhe të jetojë një jetë që i bindet ligjit, tha avokati i saj, Michael Vitaliano. Santiago “pranon plotësisht përgjegjësinë për veprimet e saj” dhe është e fokusuar në “të qenit një nënë e përkushtuar dhe e dashur”, shtoi ai.
Ruiz është deklaruar i pafajshëm për akuzat e trafikimit seksual, konspiracionit dhe promovimit të prostitucionit. Avokati i tij nuk pranoi të komentojë mbi çështjen.
Ruiz krijoi llogaritë e OnlyFans “pa pëlqimin ose dijeninë e viktimave, pavarësisht se OnlyFans kërkonte identifikim për të hapur llogari”, thanë prokurorët. Llogari të shumta në OnlyFans u regjistruan në të njëjtat adresa IP, shtuan ata, duke përfshirë ato që lidhen me email-in e Ruiz-it. Viktimat nuk morën asnjë nga të ardhurat, bazuar në të dhëna.
Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhattan-it nuk pranoi të komentojë mbi specifikat e çështjes. Por Justin McNabney, kreu i Divizionit Special të Viktimave, tha se ai i vuri re trafikantët që hapnin llogari në OnlyFans dhe i detyronin viktimat të krijonin video gjatë pandemisë së koronavirusit.
“Çështja nga këndvështrimi i trafikantëve është që fitimi të maksimizohet në çdo kohë”, tha McNabney.
Ndërmarrja e prostitucionit të Ruiz-it qe e vështirë për t’u shuar edhe pas arrestimit të tij.
Gjatë një viti të tërë pas arrestimit të tij, Ruiz-i përdori një telefon kontrabandë për të manipuluar dëshmitarët dhe për të udhëzuar një bashkëpunëtor se si të përdorte platformën OnlyFans për të caktuar datat e takimeve me klientë.
Gjatë gjithë kohës, ai ishte ulur, në burg, në Rikers Island, New York.