OnlyFans u jep grave mundësinë për të fituar para duke bërë pornografi. Sipas Policisë dhe prokurorëve, trafikantët e seksit përdorin gjithashtu platformën për t’i abuzuar dhe shfrytëzuar ato. Mes të akuzuarve ka shumë burra, nga influencerët e rrjeteve sociale e deri te të dashurit e viktimave, të etur për para
(Ky rrëfim përmban gjuhë të papërshtatshme dhe përshkruan abuzime seksuale)
Wisconsin, nëntor (Reuters) - Në një mëngjes gushti të vitit 2022, një grua e re doli nga një shtëpi në periferi të Wisconsinit dhe vrapoi drejt një veture policie që po e priste.
Me duart që i dridheshin, ajo u tha oficerëve se ishte “gjëja më e guximshme që kam bërë ndonjëherë në jetën time”.
Për gati dy vjet, i dashuri i saj e kishte mbajtur rob, thonë prokurorët. Ajo kishte frikë se ai do ta vriste nëse do të përpiqej të largohej. Por vetëm disa ditë më parë, ai i kishte derdhur yndyrë të nxehtë në shpinë, dhe kështu ajo filloi të komplotonte arratisjen e saj, duke i dërguar mesazhe fshehurazi familjes dhe miqve për ta lajmëruar Policinë.
Gruaja e re më vonë u shpjegoi detektivëve trishtimin e saj: Pothuajse çdo natë, i dashuri i saj e kishte detyruar të kryente akte seksuale dhe t’i xhironte ato, për t’i shitur në internet. Ndër platformat që ai kishte zgjedhur, ishte OnlyFans, uebsajti jashtëzakonisht i suksesshëm, i famshëm për përmbajtje pornografike.
OnlyFans thotë se fuqizon krijuesit e përmbajtjeve, veçanërisht gratë, meqë ato arrijnë të fitojnë para nga imazhet dhe videot me përmbajtje seksuale në mënyrë të sigurt në internet. Por Reuters-i gjeti gra që thanë se ishin mashtruar, droguar, terrorizuar dhe skllavëruar seksualisht për të fituar para nga platforma. Gjetjet bazohen në ankesat jo të plota (për qëllime ligjore) të Policisë amerikane dhe dosjet e gjykatave ndërkombëtare, paditë dhe intervistat me prokurorë, hetues të trafikimit seksual dhe gra që thonë se janë trafikuar.
Në njërin prej rasteve që bëri bujë të madhe, influencuesi Andrew Tate, i cili numëron miliona ndjekës në mediet sociale, akuzohet se ka detyruar gratë në Rumani që të prodhojnë përmbajtje pornografike për platformën OnlyFans dhe ka futur fitimet në xhepin e tij. Ai i ka mohuar akuzat.
Më pak vëmendje kanë marrë rastet e identifikuara nga Reuters-i në SHBA, ku gratë duruan për javë ose muaj të tërë skllavërinë seksuale në shtëpi, që në pamje duken të zakonshme. Ka raste kur viktima ishte e fejuara ose e dashura e të akuzuarit, e abuzuar për të mbushur buxhetin e familjes, ose për të mbuluar shpenzimet e fëmijëve, sipas dosjeve policore dhe atyre në gjykata. Reuters-i nuk i ka publikuar emrat e grave që thonë se janë trafikuar.
“Kisha dhimbje, isha vetëm dhe gati të vdisja”
Gruaja nga Wisconsin, tani 23 vjeçe, u abuzua nga Austin Koeckeritz, i cili, në njërin prej rrjeteve të tij sociale, e përshkruante veten si “pronar biznesi, artist dhe student i psikologjisë”. Ai po vuan dënimin prej 20 vjetësh burgim pasi u deklarua fajtor për trafikim seksual.
“Dy vjetët atje ishin sa dekada, unë kisha dhimbje, isha vetëm dhe gati të vdisja”, u shpreh ajo, në deklaratën e saj të parë publike për rastin. “Unë nuk mendoj se do të shërohem plotësisht ndonjëherë”.
Në të paktën dy raste të tjera të detajuara përfshihen edhe pretendimet për prostitucion të detyruar. Një burrë dhe një grua kanë drejtuar madje një operacion trafikimi dhe prostitucioni në gjashtë shtete përpara arrestimit të tyre në një lagje të rregullt të Ohio-s, ku po rrisnin dy fëmijët e tyre, thonë prokurorët. Burri dyshohet se përdorte platformën OnlyFans për të organizuar takime me shumë gra dhe për të shitur përmbajtjet pornografike që ai i kishte urdhëruar t’i bënin. Ai pret gjykimin, ndërsa së fundmi, gruaja e tij u deklarua fajtore për akuzat e ngritura ndaj saj.
Këto ndërmarrje trafikimi u mbështetën në frikësimin, dhunën ose garancitë e rreme të dashurisë për t’i shtyrë gratë drejt pornografisë dhe për t’i detyruar ato që të prodhojnë përmbajtje, thonë viktimat dhe prokurorët. Autorët e dyshuar ishin kryesisht burra, disa të akuzuar për rrahje dhe përdhunim të grave, të tjerë për bërjen tatuazh të emrave dhe fytyrave të tyre mbi viktimat. Ata filmuan në ambiente private, ndonjëherë duke i mbajtur viktimat robër për një vit ose më shumë, tregojnë të dhënat dhe intervistat.
Në një shënim që gruaja nga Wisconsin fshehu në oborrin e përparmë për Policinë një ditë para se ta shpëtonin, thuhej se “isha e burgosur në këtë dhomë për të fituar para” për dhunuesin e saj.
Në OnlyFans, trafikantët e seksit kanë një “degë unike” në të cilën mund ta ushtrojnë privatisht biznesin e tyre, thotë Catheline Torres e Linjës Kombëtare të Trafikimit të Njerëzve, me qendër në SHBA, e cila ndihmon të mbijetuarit e trafikimit dhe shfrytëzimit. Reuters-i identifikoi 11 raste të grave që u thanë autoriteteve ose që ngritën padi me arsyen se ishin detyruar të kryenin akte seksuale për OnlyFans. Por ekspertët, duke përfshirë Torresin thonë se shtrirja e vërtetë e trafikimit seksual në platformë është pothuajse e pamundur që të vlerësohet nga të huajt. Llogaritë e shumicës së krijuesve të përmbajtjeve janë të fshehura pas një muri pagesash të bazuara në abonim, “duke minimizuar kështu gjasat që ata të kapen dhe ndiqen penalisht”, thotë Torres.
Ndjekja penale mund të jetë gjithashtu e vështirë, sepse viktimat e frikësuara ose të traumatizuara ngurrojnë të flasin ose të dëshmojnë në gjykatë.
Një grua i tha një detektivi që i fejuari i saj e kishte detyruar atë për muaj të tërë që të prodhonte përmbajtje pornografike për OnlyFans në një park periferik, jashtë Orlando, Floridas. Ajo u arratis me arsyen se Policia erdhi ta arrestonte të fejuarin e saj, për shkak të një urdhërarresti tjetër, që nuk lidhej me akuzën që ajo kishte ngritur. Ai u akuzua më vonë për trafikim njerëzor në rastin e saj. Por ajo hoqi dorë nga akuzat muaj më vonë dhe prokurorët e pushuan rastin.
“Dëmi është i përjetshëm”
Ajo i tha Reuters-it se kishte frikë se rasti mund të ndikonte në kujdestarinë e saj ndaj djalit të vogël të çiftit dhe ende ndihej “e sëmurë” kur fliste për atë që ndodhi. “Kjo i rikthen të gjitha ndjenjat, emocionet, çdo herë”, thotë ajo. “Dëmi është i përjetshëm”.
OnlyFans nuk u është përgjigjur kërkesave për koment.
Në faqen e internetit të OnlyFans thuhet se ndalohet prostitucioni dhe “skllavëria moderne”, e cila përfshin trafikimin e qenieve njerëzore dhe punën e detyruar. Thuhet po ashtu se adminët shqyrtojnë të gjithë përmbajtjen në platformë dhe janë trajnuar për të identifikuar dhe raportuar dyshimet për trafikim. OnlyFans ka udhëhequr “me fokus në sigurinë për njerëzit në hapësirën e përmbajtjes për të rritur”, pati thënë drejtoresha ekzekutive, Keily Blair, gjatë një paneli diskutimi në muajin mars.
Sipas rregullave të kompanisë, krijuesit duhet të kenë pëlqimin me shkrim nga të gjitha palët për përmbajtjen e tyre. Por deri në nëntor të vitit 2022, ata nuk ishin të obliguar ta tregonin dëshminë e pëlqimit përpara se platforma të lejonte postimin e përmbajtjes së tyre, sipas deklaratave të fundit të Blair, në një komitet parlamentar në Mbretërinë e Bashkuar. Kompania tani kontrollon për provat e dëshmisë së pëlqimit përpara se të lejojë që përmbajtja të transmetohet, ka shtuar ajo.
Por Reuters-i zbuloi ndër të tjera edhe sprovën e një gruaje, që dyshohet se filloi edhe pasi u miratua rregulli i ri. Gruaja, nga Arkansas, i tha Policisë se duke filluar nga viti 2023, i dashuri i saj e terrorizoi dhe e detyroi të filmonte video me përmbajtje seksuale për OnlyFans për orë të tëra, dhe nëse ajo do të rezistonte, ai “do ta sulmonte fizikisht atë”. Reuters-i nuk ka arritur ta përcaktojë nëse ajo kishte nënshkruar ndonjë formular pëlqimi.
Burri, Michael Hall, është deklaruar i pafajshëm për trafikim dhe është në pritje të gjykimit. Avokati i tij nuk u është përgjigjur kërkesave për koment.
OnlyFans nuk ishte e vetmja platformë e cituar në këto raste. Por popullariteti dhe kushtet që kjo platformë ofron e bëjnë atë potencialisht tërheqëse. Krijuesit e përmbajtjeve pornografike arrijnë të marrin 80% të të ardhurave që gjenerojnë në llogaritë e tyre. OnlyFans merr pjesën tjetër.
Faqet e internetit, të cilat akuzohen si “nikoqire” të trafikimit seksual përballen me rreziqe ligjore. Dhjetëra padi janë ngritur ndaj kompanive të medieve sociale dhe faqeve të tjera që nga viti 2019, duke i akuzuar ato për përfitim nga përmbajtjet abuzive seksuale, sipas statuteve federale të SHBA-së kundër trafikimit. Kompanitë pretendojnë se janë të mbrojtura dhe nuk kanë përgjegjësi civile apo penale, si shkak i një ligji federal, i krijuar për të mbrojtur fjalën e lirë. Por Kongresi ka miratuar së fundmi legjislacionin për të hequr këtë lloj mbrojtjeje.
Dy padi në pritje, për trafikim seksual emërojnë OnlyFans si të pandehur. Në njërën prej tyre, kompania akuzohet se ka përfituar nga shfrytëzimi i dy grave në Nevada nga një ish-personalitet televiziv. Tjetra, e detajuar në një hetim të Reuters-it, të muajit mars, përfshin një studente kolegji në Florida, e cila pretendonte se OnlyFans përfitonte nga videoja e përdhunimit të saj, e publikuar në platformë.
Një gjykatës ka rekomanduar që çështjet lidhur me OnlyFans të mos jenë pjesë e gjyqësorit të Floridës për shkak të ligjit për mbrojtjen e fjalës së lirë, duke shkaktuar kështu reagime nga avokatët e gruas. Në të dyja rastet, kompania mohon se ka shkelur ligjet e trafikimit seksual.
(Nesër në vazhdimin e këtij teksti, ndër të tjera mund të lexoni se si disa rumunë kanë kopjuar Andrew Tate dhe vëllain e tij, Tristan, të dy ish-kikboksierë me nënshtetësi amerikane dhe britanike, të cilët akuzohen se kanë joshur shtatë gra me premtime për romancë, i kanë detyruar të kryenin akte seksuale për OnlyFans dhe më pas fitimet i kanë marr për vete).