Botë

E ardhmja e pasigurt e Sudanit

Sudan

Kjo është lufta e tretë civile e Sudanit në 70 vjet dhe në njëfarë mënyre është më e keqe se të tjerat, pasi konfliktet e mëparshme u zhvilluan në pjesë të tjera të vendit. Por kjo e ka përçarë Sudanin, duke vënë theksin mbi kërcënimet për të ndarë kombin

Qendra e Khartoumit tani është jashtëzakonisht e qetë, pas javësh luftimesh intensive në kryeqytetin sudanez.

Ka vetëm disa ditë që Ushtria e Sudanit e rimori atë nga Forcat Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), kulmi i një ofensive gjashtëmujore në pjesën qendrore të vendit.

Dikur zemra tregtare dhe selia e Qeverisë së Sudanit, Khartoumi, tani është shndërruar në një vend të djegur.

Rimarrja e kryeqytetit ishte një pikë kthese në luftën civile dyvjeçare, e cila nisi fillimisht nga një luftë për pushtet midis ushtrisë dhe RSF-së dhe vlerësohet të ketë marrë të paktën 150 mijë jetë.

Por, ndonëse në rrugët e kryeqytetit festimet për Bajramin kishin marrë hov dhe njerëzit këtu e konsiderojnë luftën si të mbaruar, nuk është ende e qartë se çfarë drejtimi do të marrë konflikti tani.

Pallati presidencial ishte një bazë e rëndësishme për luftëtarët paraushtarakë.

Dyshemetë janë të mbuluara me mbetje të ndryshme dhe xhama të thyer.

Karriget, që dikur përdoreshin nga funksionarët qeveritarë, tani janë mbuluar me pluhur. Disa piktura qëndrojnë ende në mure e llambadarët e krisur varen nga tavanet.  

Por pothuajse çdo gjë tjetër është plaçkitur, madje edhe kabllot elektrike u hoqën nga muret.

Dëmi më i madh është në pjesën e përparme të ndërtesës, e cila u godit nga dronët e RSF-së pak pasi ushtria e pushtoi pallatin.

Hyrja kryesore është e rrënuar, gjaku i tharë është ende i dukshëm në shkallë e dritaret tani kanë çarje nga ku mund të shohësh lumin Nil.

“Isha shumë i emocionuar që do të hyja në pallatin republikan”, më tha një ushtar teksa ecnim në tapetin e kuq të ndyrë.

“Është hera ime e parë në këtë vend dhe e kam pritur këtë si të gjithë sudanezët në përgjithësi. Ata donin që ai të ishte i lirë. Është simbol i dinjitetit tonë”.

Është gjithashtu një simbol i rëndësishëm i fuqisë për ushtrinë.

Ushtarët këndonin dhe kërcenin, pasi ishin gëzuar për festën e Bajramit.  

Një restorant lokal organizoi një festë për ushtarët, të cilësuar si heronj nga shumë në kryeqytet.

Por fitorja e tyre erdhi me një kosto të madhe.

Pasojat e luftës

Niveli i shkatërrimit në Khartoumin qendror është i jashtëzakonshëm: ministritë, bankat dhe objekte të larta janë shkatërruar.

Asfalti në aeroportin ndërkombëtar të vendit është shndërruar në një varrezë të avionëve të shpartalluar, pasaportave të udhëtarëve dhe sporteleve të kontrollit të mbuluara me hi.

Në rrugë ka municione të pashpërthyera.

Në një kryqëzim gjenden të grumbulluara pjesë të trupave të njerëzve, dy kafka janë shumë të dukshme. Rreth 100 metra poshtë rrugës, një trup gjendej përpara një makine të dëmtuar.

Një ndalesë në Katedralen e Shën Mateut, e ndërtuar nga britanikët në vitin 1908, dhe e njohur si vend adhurimi për popullsinë minoritare të krishterë të vendit, ishte tejet e nevojshme.

Tavani i lyer bukur ishte i paprekur.

Një vrimë lart në njërin prej mureve tregonte vendin ku ishte gjuajtur një predhë. Një kryq ishte rrëzuar.

Por dukej shumë më mirë se shumë nga ndërtesat e tjera të dukshme.

Një ushtar që pastronte rrënojat nga dyshemeja tregon se pjesa më e madhe e dëmit u shkaktua nga copëzat e granatimeve rreth kishës.

Askush nuk e shkatërroi “shtëpinë e Zotit”, tha ai, por luftëtarët e RSF-së e përdhosën ndërtesën duke bërë jashtëqitjen brenda në të.

Ai tha se djali i tij lindi në ditën e parë të luftës, por për shkak të luftimeve të pandërprera ai nuk kishte pasur ende mundësi që të shkonte në shtëpi dhe të shihte fëmijën.

Paraushtarakët pushtuan edhe zonat ku ndodhen përfaqësitë diplomatike.

Kur filluan luftimet, organizatat dhe kompanitë u përpoqën ta evakuonin stafin.

Në hyrje të Ambasadës britanike, një slogan i RSF-së ishte skalitur në mur.

Xhami i papërshkueshëm nga plumbat ishte në përgjithësi në gjendje të mirë, por shenjat e dhunës ishin të dukshme.

Në parkingun në pjesën e pasme, automjete të shumta janë shkatërruar.

Përtej rrugës një flamur i Mbretërisë së Bashkuar qëndronte i varur mbi shkallët e një ndërtese të shkatërruar, i ndotur dhe i bërë copash.

Shpresat për rimëkëmbje

Kjo është lufta e tretë civile e Sudanit në 70 vjet dhe në njëfarë mënyre, është më e keqe se të tjerat, pasi konfliktet e mëparshme u zhvilluan në pjesë të tjera të vendit.

Por kjo e ka përçarë Sudanin, duke vënë theksin mbi kërcënimet për të ndarë kombin.

Më larg zonës së luftës festimet për festën e Bajramit vëreheshin shumë.

Për njerëzit këtu lufta ka mbaruar, edhe pse ajo vazhdon gjetkë.

Ushtria është akuzuar për mizori dhe raportet thonë se dhjetëra mijëra u larguan nga luftimet ditët e fundit. Por në Khartoum njerëzit festuan fundin e pushtimit brutal të RSF-së.

Atmosferë e mirë ishte e pranishme në një kuzhinë të përbashkët në lagjen “Al-Jeraif West”.

“Ndihem sikur kam rilindur”, tha Osman al-Bashir, me sytë që i shkëlqenin nga realiteti i ri, pasi përmendi një sërë vështirësish të luftës. Ai tha se e kishte mësuar anglishten nga shërbimi botëror i BBC-së.

Duaa Tariq është një aktiviste pro-demokracisë, pjesë e lëvizjes që në vitin 2019 rrëzoi udhëheqësin ushtarak Omar al-Bashir, sundimi autoritar i të cilit kishte zgjatur gati tri dekada.

Ajo është fokusuar në ofrimin e ndihmës në lagjen e saj.

“Ne po e festojmë Bajramin për herë të parë pas dy vjetësh”, tha ajo.

“Të gjithë po vishen, duke përfshirë edhe veten time! Jam pushtuar nga shumë emocione, ndihem sikur po mësoj se si të jetoj përsëri. Ndihemi të lirë, ndihemi të qetë, madje edhe ajri ka aromë tjetër”.

Tariq u përpoq që t’i mbante kuzhinat në funksion gjatë luftës, ndërkohë që ushqimi u mbaroi, qyteti u plaçkit nga RSF-ja, u rrethua nga ushtria dhe ndihma amerikane u pezullua.

Ushqimi është ende i paktë, por tani ka shpresë.

“Ndihem për mrekulli. Ndihem i sigurt. Ndihem mirë, edhe pse jam i uritur”, tha i moshuari, Kasim Agra. “E dini, nuk ka rëndësi”.

“Liria është ajo që është e rëndësishme. Siç e shihni, unë kam një celular”, tha ai duke treguar një telefon në xhep. “Nuk mund të mbanit një celular rreth dy javë më parë”.

Kjo është diçka që shumë njerëz në pjesë të ndryshme të Khartoumit thonë, që telefonat celularë ishin një nyje shpëtimi për në botën e jashtme dhe një objektiv kryesor për vjedhjet nga luftëtarët e RSF-së.

Agra ishte optimist se Khartoumi dhe vendi mund të rimëkëmbeshin.

“Unë mendoj se qeveria do të sjellë investitorë: amerikanë, sauditë, kanadezë, kinezë, ata do të rindërtojnë këtë vend, besoj”.

Edhe nëse ndodh një rindërtim i tillë masiv, është e vështirë të imagjinohet që Khartoumi t’i ruajë tiparet e tij të dallueshme kulturore dhe arkitekturore.

Disa nga gratë gjithashtu i bënë jehonë diçkaje. Ato më në fund mund të flenë përsëri, pasi netëve qëndronin zgjuar nga frika se mos plaçkitësit e RSF-së do të hynin në shtëpitë e tyre.

Pesha e frikës dhe e humbjes është e rëndë: kaq shumë histori abuzimesh, jetësh të rrezikuara dhe të ndërprera.

“Fëmijët tanë janë të traumatizuar”, thotë Najwa Ibrahim.

“Ata kanë nevojë për psikiatër. Motra ime është mësuese dhe është përpjekur të punojë me fëmijët, por nuk mjafton”.

Tariq gjithashtu ka pyetje në lidhje me ndikimin e luftës: “Kur do të jetë qyteti përsëri i qasshëm, i hapur përsëri?

“Dhe një pyetje tjetër personale si aktiviste, çfarë do të ndodhë me të gjitha liritë dhe të drejtat që kemi fituar gjatë pesë vjetëve të fundit të revolucionit?” - pyeti ajo, duke iu referuar viteve që pasuan rrëzimin e Bashirit, kur një qeveri e përbashkët civilo-ushtarake kishte punuar drejt një kthimi të sundimit civil.

“Çfarë do të bëhet me shoqërinë civile, aktorët, për aktivistët, për luftëtarët e lirisë? Nuk jam e sigurt për të ardhmen tonë”.

Askush nuk është i sigurt për të ardhmen e Sudanit.

“Ne lutemi për popullin e Darfurit”, tha 16-vjeçarja Hawaa Abdulshafiea, duke iu referuar bastionit perëndimor të RSF-së, ku kriza humanitare ka qenë më e rëndë dhe ku fokusi i luftës pritet të zhvendoset.

“Zoti i ruajte”!